Obama mbron politikën e tij të jashtme
20.01.2012 (komentet: 0)
“E kam thënë shumë qartë që kur kam filluar të garoj për presidencë se do të ndërmarrim çdo hap të mundshëm për të parandaluar Iranin nga krijimi i një arme bërthamore”, ka thënë presidenti demokrat, Obama.
“A mund të garantojmë se Irani do të zgjedhë rrugën e duhur? Jo, prandaj vazhdimisht kam thënë se ne nuk e përjashtojmë asnjë mundësi që e kemi në tavolinë për t’i parandaluar ata nga posedimi i një arme atomike”, ka theksuar ai.
Kreu amerikan ka thënë se republikanët që po synojnë t’ia zënë karrigen në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë favoritin Mitt Romney, po përpiqen të fitojnë mbështetjen e partisë dhe të sigurojnë kandidimin nëpërmjet sulmeve ndaj vendimeve të tij në politikën e jashtme.
“Unë mendoj se Romney dhe republikanët e tjerë do të vazhdojnë me këtë taktikë deri sa të përfundojë gara brendapartiake”, ka thënë Obama në intervistë. “Në përgjithësi, unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë të argumentohet se ne gjatë tre vjetëve të fundit nuk e kemi ekzekutuar një strategji e cila e ka vënë Amerikën në një pozitë më të fortë se që ka qenë kur unë kam ardhur në pushtet”, ka shtuar presidenti i 44-t dhe aktual amerikan.
Obama do të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet që mbahen më 6 nëntor sivjet.
Romney ka deklaruar më 1 janar se Obama ka dështuar në përpjekjet e tij për të detyruar Iranin të heq dorë nga programi i saj i dyshimtë bërthamor.
“Unë dua që të sigurohem se njerëzit e këtij vendi e dinë se ai ka dështuar jo vetëm këtu, në vend, por edhe në trajtimin e rrezikut më të madh me të cilin përballemi, që na vjen nga Irani”, kishte thënë Romney.
Perëndimi supozon se Irani po përpiqet të krijojë armë bërthamore nën maskimin e një programi shkencor bërthamor. Republika Islamike mohon kategorikisht të ketë ambicie të tilla dhe këmbëngul se veprimtaria e saj është vetëm për energji dhe qëllime mjekësore.
Në intervistën për revistën “TIME”, Obama gjithashtu e ka krahasuar mandatin e tij me atë të paraardhësit të tij, George W. Bush, i cili i ka çuar Shtetet e Bashkuara në luftëra të shtrenjta në Afganistan dhe Irak.
“Është një udhëheqje amerikane që i di limitet në aspekt të resurseve dhe kapacitetit”, ka folur Obama për vendimet e tij në politikën e jashtme.
“E, megjithatë, ajo që unë mendoj se kemi arritur të dëshmojmë është një besim i qartë në mesin e vendeve të tjera të botës se Amerika vazhdon të jetë ai vendi i domosdoshëm për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha ndërkombëtare”, ka thënë Obama. (AFP)



Shto koment