Evakuohen mësuesit nga Karadaku i Shkupit
28.01.2012 (komentet: 0)
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) bëri të ditur se janë evakuuar mësuesit dhe se të gjithë ndjehen mirë.
Shërbimet e QMK sot në mëngjes u alarmuan pasi që mësuesit kanë kërkuar ndihmë për evakuimin e tyre.
08:04 - Mësuesit e shkollave fillore periferike të Brezës dhe Malinës të Karadakut të Shkupit janë bllokuar për shkak të bllokimit të rrugëve nga bora.
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) kërkoi që Armata e Maqedonisë të angazhojë një helikopter për tërheqjen e mësuesve gjatë ditës së sotme. Mësuesit janë nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës dhe se pesë prej tyre janë të angazhuar në shkollën e fshatit Brezë dhe shtatë të tjerë në shkollën e fshatit Malinë.
Njëri prej mësuesve është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe nevojitet intervenimi mjekësor. Mësuesit nuk kanë arritur që t`i afrohen automjetit të tyre që gjendet në fshatin Goshincë.
Sipas QMK, trashësia e borës në Brezë është shënuar rreth 2 metra dhe se tërë rajoni është i bllokuar. Për shkak të borës, nuk është e kalueshme edhe rruga Goshincë - Brezë në një largësi prej 8 kilometrave. Në këto zona për shkak të motit të keq është ndërprerë përkohësisht edhe procesi mësimor. QMK ka bërë të ditur se është në kontakt me banorët e fshatit dhe se nuk ka filluar pastrimin e rrugëve, për shkak të kushteve të rënda klimatike. (INA)


Shto koment