Zonja për hajgare publike

16.02.2012 (komentet: 0)

Është një mekanizëm gjigant, i cili në forma të ndryshme bën përpjekje për të çorientuar vëmendjen e publikut aty ku më së shumti po i vuan pasojat. Luftimi i korrupsionit është mesazhi më i shpeshtë në gjuhën e politikanëve të cilët indirekt duan të distancohen nga ky fenomen. Këtij mekanizimi i kyçen të gjithë ata që përpara nesh shiten të moralshëm, të pakorruptuar dhe vullnetmirë. Kaluan më shumë se dhjetë vjet duke u thënë fjalë të mëdha se “do ta luftojmë korrupsionin”.

Arbana Xharra

Ndoshta në fillim edhe është besuar, por premtimet dhe realiteti bien ndesh aq haptazi sa që kur një politikan flet kundër korrupsionit më shumë i ngjan një figure humoristike sesa qëndrimit të sinqertë politik.

Euforia që e ka kapluar nga vizita në SHBA, presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me idenë për formimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit tregon se ajo ose nuk e di realitetin në Kosovë, ose nuk është e vetëdijshme se tashmë është bërë pjesë e lojës së atyre që kanë një plan, i cili u siguron shpëtim nga ndëshkimi. Plani është i thjeshtë: fol kundër korrupsionit, pasurohu përmes tij.

Këshilltarët e presidentes nuk duhet të shërbejnë vetëm për fjalime partiake, ata është dashur t’i bëjnë me dije presidentes së me këtë nismë vetëm sa degradon autoritetin e saj edhe ashtu të brishtë.

Është një pyetje e thjeshtë që duhet shtruar presidentes: si do ta luftojë korrupsionin me këtë këshill, kur së pari duhet hetuar shumicën e zyrtarëve të institucioneve që e përbëjnë këtë këshill? Me çfarë sigurie deklarohet zonja presidente se nuk do të lejojë të dështojë ky këshill? Kush janë ata që do ta luftojnë korrupsionin? Cilat mekanizma i ka ajo në dorë për të udhëhequr luftën kundër korrupsionit?

Ajo tha se dështimin e kësaj e nisme nuk do ta lejojnë qytetarët dhe ndërkombëtarët.

Një deklaratë e tillë nxjerr në pah se Jahjaga nuk ka haber se çfarë po ndodh në Kosovë.

Sa për rikujtim, që nga mbarimi i luftës në Kosovë janë formuar me dhjetëra taskforca për luftimin e korrupsionit.

UNMIK-u pat sjellë hetuesit e krimeve ekonomike Guardia di Financa, të tjerë erdhën në kuadër të njësitit për krime ekonomike e financiare, në anën tjetër e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit është edhe Agjencia Kundërkorrupsion (e cila dorëzon raste të hetuesve të korruptuar dhe ato mbyllen pa bërë zë) dhe, në fund, misioni i EULEX-it i cili që nga dhjetori i vitit 2008 është duke mbledhur fakte e dëshmi për krime edhe ekonomike dhe deri më tash nuk doli asgjë në dritë. Faktet nuk mungojnë por janë politikat e instancave shumë më të larta të cilat diktojnë se kah duhet orientuar luftimi i korrupsionit. E janë pikërisht ndërkombëtarët ata që janë në dijeni se ku është burimi i korrupsionit dhe nuk janë duke e injoruar thelbin e problemit.

Brenda një dekade, korrupsioni është zhvilluar në forma të ndryshme, por me kalimin e kohës ka ardhur duke u filtruar në instanca më të larta dhe grupe më të ngushta të interesit të cilët nuk lejojnë të vegjlit të vjedhin sepse tenderët milionësh janë në duar të tyre.

Në Kosovë nuk është e zorshme të luftohet korrupsioni nëpër sportele. Janë qindra miliona të tenderëve të mëdha, shitjeve e blerjeve të aseteve shtetërore që as Jahjaga e shumë të tjerë s’marrin erë. Politikat shtetërore po krijohen për të legjitimuar korrupsionin, jo për ta luftuar atë. E të ndërmarrësh një hap për të eliminuar miton kur në realitet gjigantin e korrupsionit e ke partner – kjo të bën të dukesh qesharake, në këtë rast zonja presidente po del e tillë: pak hajgare publike në emër të luftës kundër korrupsionit.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar do të luftohen vetëm me struktura të tjera drejtuese dhe kurrsesi me pushtetarë që deri dje janë marrë me keqpërdorime. Sepse është fare e thjeshtë: mjafton t’u hedhësh një sy: tenderit të autostradës, telefonisë mobile, tenderët në ndërmarrje publike. Në secilin rast do të preken njerëzit që presidentja i ka në tavolinë

Kthehu mbrapa

Shto koment