Zhegrat!
21.01.2012 (komentet: 0)
Avni Zogiani
Një prej tatëpjetave ka qenë veçanërisht e vështirë dhe njëkohësisht ishte e fundit në rrugën për në shtëpi. Kur qerrja vinte në këtë pjesë të rrugës bëhej një përgatitje e madhe për ta frenuar. Përveç shtrëngimit të vinçit deri në maksimum, dy veta qëndronin në rrotat e fundit me dy drunj të trashë për ta ndihmuar frenimin. Zakonisht ishte verë dhe ishte shumë nxehtë. Të mëdhenjtë skuqeshin nga lodhja e përcëllimi i diellit dhe në segmentin kritik të rrugës bëheshin tepër seriozë. Kur pesha fillonte nxitimin e qerres kishte shumë britma. “Mbaje! Shtyje! Tërhiqe! Ah, nënën....! Kujdes!”. Ndonjëherë ishte e pamundur të ndalej nxitimi i qerres dhe britma e fundit që dëgjohej ishte: zhegrat! zhegrat!
Ky ishte momenti kur të gjithë dorëzoheshin dhe thirrja “zhegrat!” nënkuptonte që dikush duhej vrapuar për t’i hequr zhegrat nga zgjedha e për t’i liruar lopët. Nuk bëhej fjalë më për shpëtimin e qerres, por qëllimi fokusohej në shpëtimin e bagëtive dhe të njerëzve që përpiqeshin të ndalonin nxitimin e qerres. Më pastaj duhej paralajmëruar njerëzit që eventualisht mund të ishin në rrugë dhe bërtitej: largohuni nga rruga! Zakonisht e tëra përfundonte me ndezjen e cigares nga të mëdhenjtë dhe soditja për një kohë të gjatë e qerres së thyer. Tensioni binte dhe aty-këtu këputej ndonjë e sharë, por njerëzit ishin më të qetë.
Pak a shumë, këtë ndjenjë po përjetoja këtyre ditëve kur dëgjoja që një lajm më i keq sot e mbulonte një lajm shumë të keq të djeshëm. Fundi i vitit që shkoi gati më kishte shkaktuar një ndjenjë të tillë kur mediat po transmetonin pa asnjë rezistencë një konferencë për shtyp të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili fliste për suksesin e dështimit të tenderit të privatizimit të PTK-së. Askush nuk e pyeste për milionat e djegur më kot për konsulenca.
Këtyre ditëve shpaloseshin ngjarje të tjera që dita e nesërme i mbulonte me një skandal tjetër të madh. Veselinoviqët e barrikadave marrin punë në “Rrugën e kombit”, e cila me gjithë mungesën e rentabilitetit ekonomik ishte shtyrë nën parullën e patriotizmit. Disa miliona euro për mbikëqyrjen e kësaj rruge i janë dhënë “Hill International”, e themeluar nga ish-punëtorët e “Bechtel”, e cila e zbaton projektin duke bërë që investimi më i madh në histori të Kosovës praktikisht të jetë pa mbikëqyrje. Deputetë e ambasadorë të PDK-së kanë themeluar kompani me serbët në veriun e Mitrovicës të kontrolluar nga të ashtuquajturat “struktura paralele” dhe kjo shihet si ekonomi tregu edhe në kohën kur kjo pjesë është e bllokuar nga barrikadat, të cilat potencialisht mund të jenë bërë me zhavorrin e deputetëve të Kosovës.
Qindra miliona euro të bllokuara nëpër banka të huaja nga privatizimi e Thesari, ndërkohë që Qeveria huazon nëpërmjet “bondeve” nga bankat për të mbuluar deficitin e shkaktuar nga shtimi i sektorit publik për qëllime elektorale, edhe pse në kor me korin diplomatik, Qeveria në vazhdimësi ka folur për ekonominë e tregut dhe reduktimin e rolit të Qeverisë në ekonomi. Sot doli lajmi mbi plaçkitjen e Fondit Pensional nga Qeveria, e cila prapë mundohet të mbulojë vrimat e shkaktuara nga “Rruga e kombit” e ndërtuar nga së paku pjesërisht Veselinoviqët e barrikadave. Dhjetëra miliona euro vazhdojnë t’u jepen kompanive të partisë në pushtet, ndërkohë që gjyqësia thjesht mrizon dhe përdoret politikisht nga BE-ja.
Sektori që mund të sigurojë ndonjë shpresë për tejkalimin e varfërisë, energjia, është përgatitur t’i falet ndonjë grupi të huaj interesi ngjashëm si me faljen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Ndërkohë që pjesa më e madhe e shoqërisë civile njëjtë si Qeveria për këtë sektor thjesht përcjellin agjenda që u hedhin të tjerët në tavolinë. Mafiozë që shfaqen si këshilltarë e ekspertë ndërkombëtarë, por në fakt janë përfaqësues të grupeve të interesit që duan ta kapin sektorin e energjisë me potencialin më të lartë në rajon.
Në aspektin politik opinionistët “neutralë” barazojnë debatin mbi dhunën policore ndaj protestuesve me debatin nëse “Vetëvendosje” ka pasur ose jo të drejtë në bllokimin e kamionëve në kufi me Serbinë. I gjithë spektri institucional gjen deklaratat e diplomatit amerikan Philip Riker dhe përfaqësueses për Politikë të Jashtme të BE-së, Catrine Ashton, për t’u fshehur si pas bishtit të fshesës ndaj akuzave mbi dhunën e policisë të motivuar nga kryeministri dhe ministri i Brendshëm.
Ndërkohë që po mundet çfarëdo rezistence e opinionit publik nga terrori informativ i RTK-së, gjithnjë e më shumë po hapet mundësia e një plani për krijimin e një hapësire të veçantë ligjore për serbët në Kosovë, e cila do të ishte njëlloj bosnizimi i Kosovës. Askujt nuk i bën përshtypje fakti se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kishin një shef të përbashkët të kampanjës që solli të dy në pushtet, izraelitin me qëndrime skajshmërisht konservative, George Birnbaun, i cili në Uashington shihet si një grup shumë kontrovers.
Të gjitha këto dhe qindra argumente e fakte të tjera e kanë shndërruar shoqërinë kosovare në një komunitet të pashpresë, pa fuqi. Parlamentin dhe partitë opozitare janë shndërruar në relikt, ndërkohë që kryeministri thotë se e respekton rolin “opiniondhënës” të organit më të lartë shtetëror. Krijohet përshtypja që asnjë veprim antishtet, antiekonomi, antiinstitucion i ekzekutivit nuk mund të ndalohet më. Një deklaratë e një diplomati në përkrahje të Qeverisë mbaron secilin debat dhe mbyll secilin skandal. Njeriu thjesht s’ka se si të mos ndihet së është në momentin kur duhet bërë: zhegrat! qerrja po thyhet, por mirë është që të ruhen njerëzit.


Shto koment