VV “u thye”– shteti policor mësyn LDK-në

10.02.2012 (komentet: 0)

Në çastin kur zunë të përleshen PDK-ja dhe lëvizja VV, befas në tavolinë u rikthye 6-pikëshi i famshëm i Ban Ki-Moonit, i modifikuar në 4-pikëshin e Boris Tadiqit, si projekte për ta çarë shtetin e Kosovës. Derisa 4-pikëshi i Boris Tadiqit po fitonte terren diplomatik, kosovarët vazhdonin ta spiunonin njëri-tjetrin. Pas patriotizmit verbal, por të rremë të PDK-së, fshihej autonomia e veriut...

 

Serbia e ka një plan hegjemonist, pra territorial për Kosovën, ai ishte konstant gjatë tërë shekullit 20 dhe po ai plan është i sofistikuar tashmë në planin katërpikësh të kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq. 

Tashmë as BE-ja nuk po mund ta garantojë Prishtinën zyrtare se nuk do të bisedohet për statusin e pjesës veriore të Kosovës. 

Po pse u humb gjithë ajo kohë me përplasje egërshane brenda trupit politik shqiptar kur dihej se Prishtinës do t’i kërkohej një plan gjithpërfshirës, pra autonomia për veriun. Tashti të gjithë po duan një zgjidhje të re, autonomiste dhe jokushtetuese, e këtë po e mbështesin edhe “miqtë” që i proklamonte dikur Qeveria Thaçi.

Serbia fillimisht synon “autonomi politike” ose “zgjidhje tiroliane” për veriun e Kosovës, entitet ky i dirigjuar nga hegjemonizmi historik serb që synon ta shtrijë ndikimin politik dhe ekonomik edhe në brendësi të Kosovës, duke i inkurajuar serbët kosovarë që të punojnë për “shtetin e tyre inicial”, me qëllim final, ndarjen etnike përfundimtare. 

Secila ide e ndarjes etnike të Kosovës, është “pykë” në palcën kurrizore të shtetit kosovar, e bën atë jofunksional deri në zhbërje. 

Në këso situate shqiptarët e Kosovës projektojnë dëshira metanarrative për Shqipëri etnike, aneksim të Luginës së Preshevës etj., derisa në realitet po humb territore të reja. Tashti edhe shumë europianë duan një status special (Ahtisaari plus) për veriun, duke qenë se pesë shtete të BE-së nuk e njohën Kosovën, kurse Brukseli zyrtar u dëshmua jokoherent dhe pa kurrfarë ndikimi tek anëtarët e vet. 

Strukturat ilegale të Beogradit në veri të Kosovës, ishin projektuar për ta mbrojtur pragun e fundit të hegjemonisë, ndërkaq autonomia territoriale për atë pjesë të territorit kosovar është faza e dytë, pra finalja e dekompozimit të shtetit kosovar dhe këtë zgjidhje nuk mund ta pranojë Prishtina zyrtare jo vetëm për shkak se paraqet zgjidhje jokushtetuese për një pjesë të territorit, por për shkak se bie vetë shteti në Prishtinë.

Në anën tjetër, bisedimet e Prishtinës me Beogradin është ditur se do t’i ndihmojnë Serbisë për ta shtyrë përpara intencën e marrjes nga ana e saj të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërkaq që aktualisht Kosova synohet të joshet së pari me heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare e së dyti edhe liberalizimin e vizave.

Derisa dy subjektet e linjës së fortë politike kosovare, PDK-ja e VV-ja haheshin se cili është më patriot, nëpër deriçkat diplomatike rikthehej dhe riaktualizohej “Plani i fjetur” famoz i 2008-ës i ashtuquajtur “6-pikëshi i Ban Ki-Moonit”, të cilin kryeministri Thaçi e kishte shpallur qysh vjet në verë si të vdekur.

Kosova ka shkuar në dialog me Serbinë sipas agjendës së OKB-së, përkatësisht sipas planit 6-pikësh të sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Moon, , i cili “çan kombin.”

Plani 6-pikësh u shpik nga KS i OKB-së për të krijuar një baraspeshë të re mes shtetit të shpallur kosovar dhe serbëve kryengritës në veri të Kosovës dhe ky plan kishte dy qëllime parësore: Së pari, për ta relativizuar ose fusnotizuar pavarësinë e Kosovës në sytë e serbëve dhe të vendeve skeptike ndaj Kosovës së pavarur, pra diplomacia serbe e mbështetur nga faktorët kundër Kosovës ia doli që ta trajtojë shtetin e ri si “projekt të papërfunduar” e për t’iu rikthyer rinegociimit për gjithçka. Dhe së dyti, për të nxjerrë autonomi për pjesën veriore të Kosovës. 

Duke pasur parasysh 6-pikëshin dhe letrën e Ban Ki-Moonit dërguar  Boris Tadiqit dhe Fatmir Sejdiut, e tash edhe 4-pikat e Tadiqit, “çarja  cooperiane” konsiston në faktin se Kosova duhet të rinegociojë Pakon Ahtisaari, duke i vënë asaj një plus si prapashtesë, ndërkohë që Serbia as që e ka pranuar këtë plan.

Serbia nuk do të nënshkruajë me palën kosovare asgjë që e bën Kosovën “palë të barabartë” në negociata. Serbia në anën tjetër do të nënshkruajë gjithçka që Kosovën e identifikon me Rezolutën 1244, si pjesë integrale e Serbisë dhe konform me preambulën e Kushtetutës serbe, por përkohësisht nën protektoratin e OKB-së. 6-pikëshi “i heshtur” nga diplomacia europiane, faktikisht i është ofruar Prishtinës zyrtare i “fusnotizuar”, veçmas për sa i përket përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, ku në fusnotë do të sqarohet se Kosova është shtet për disa (thuhet se po negociohet përmendja e verdiktit të GJND-së) dhe nuk është shtet për disa të tjerë (por protektorat i OKB-së sipas Rezolutës 1244.) 

Bashkësia ndërkombëtare, në vend të një qëndrimi unik e të vendosur për shuarjen e strukturave ilegale të Serbisë në veriun e Kosovës, duke parë se Prishtina nuk kishte një ofertë dhe as kundërplan për veriun, po toleronte “palestinizimin” e Kosovës. 

Aranzhmani autonomist për veriun e Kosovës del t’i jetë bërë e qartë Prishtinës zyrtare nga BE-ja në vazhdimësi, e së voni duke ia kërkuar një ‘plan gjithëpërfshirës’.

Mirëpo Prishtina zyrtare nuk ka përgjigje dhe nuk ka as plan të vetin, prandaj për ta mbuluar me zhurmë çarjen e shtetit, Qeveria ka porositur spiunë të dikurshëm e të sotëm që të prodhojnë sa më shumë konspiracion dhe konfuzion brenda trupit politik kosovar, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga tema parësore e integritetit të vendit, te ‘telenovelat e spiunazhit”. 

PDK-ja përdori pushtetin politik dhe atë policor kundër VV-së, duke ia thyer tehun e rezistencës edhe përmes luftës speciale, në një mënyrë e mbështeti atë për muri, me të dhëna të qena ose të fabrikuara, liderit të kësaj lëvizjeje ia zbehu aurën e patriotizmit dhe e riktheu këtë subjekt politik në foshnjërinë e ‘Republikës’, në vitet ’80, kur ‘Republika’ ende ishte vetën parullë dhe shfaqej me iniciale në muret e shtëpive kosovare si “KR”.   Sapo u konstatua mposhtja e një armiku, tashti policisë sekrete të PDK-së i duhet fabrikimi i një armiku taze, e në radhë për “ta stolisur” me epitetin tashmë bajat të “tradhtarit”, Isa Mustafën.

Sepse ai, si lider i partisë më të madhe opozitare po shihet si rrezik, ose pragu i fundit i rezistencës për statusin special të veriut.

Vetë ish-kreu i ShIK-ut  e mori mundin të polemizojë me Mustafën dhe LDK-në për t’ia zbehur fuqinë ndikuese te qytetarët.

Në këtë kontekst koalicioni qeveritar, i kurthuar në spiunazh dhe i topitur nga trupi i madh e koka e vogël, duke qenë impotent në gjetjen e një “zgjidhjeje kreative” për veriun, siç proklamonte vitin e kaluar Hashim Thaçi, po përpiqet ta ruajë pushtetin personal duke trukuar “ndeshjen” Kosovë-Serbi, sipas terminologjisë sportive, me autogola. 

Truku është lehtësisht i lexueshëm.

Bisedimet dhe marrëveshjet për çështje teknike, Prishtinës i faturohen në Bruksel si mundësi e vetme për afrim me BE-në, dhe nga kjo i premtohet hisja e vet, heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe ndoshta në vitin tjetër edhe liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, Serbia me vetë faktin se ka gatishmëri të bisedojë me Prishtinën do të shpërblehet me marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndërkohë që është në fazën e dytë të krijimit të “Republikës serbe” në Kosovë. 

Mungesa e patriotizmit konstitucional po e çan kombin dhe shtetin e papërfunduar, kurse Qeverinë po e shtyn në përdorimin e policisë për ta ruajtur pushtetin e grabitur me vjedhje votash. Patriotët e bashkuar në kleptokraci, të rreshtuar rreth PDK-së dhe ShIK-ut, po i cenojnë interesat madhore të Kosovës, lirinë, demokracinë dhe sigurinë e saj.

Njerëzit e fuqishëm të Kosovës, së paku të perceptuar nga ndërkombëtarët për të tillë, përmes truqeve politike, po përdoren nga shërbimet e huaja dhe diplomatë e ndryshëm për ta realizuar pa tronditje të mëdha shoqërore, agjendën e Brukselit në Kosovë, e jo të ndonjë agjende kombëtare.

Kështu po u shërbejnë tërthortë interesave imperialiste rajonale dhe më gjerë.

Në shtetin ligjor për trukim ndeshjesh shkohet në burg.

Kthehu mbrapa

Shto koment