Thaçi i fermentuar
22.02.2012 (komentet: 0)
Artan M. Haraqija
Deri më tash kemi mbushur faqe të tëra të gazetës duke iu treguar lexuesve se sa gjëra të dëmshme po ndodhin në kohën e qeverisë së tij, qoftë kur ishte bashkë me LDK-në e njëjtë edhe tash kur udhëheq qeveri të pakicës.
Të jesh politikan që nuk i mban premtimet nuk është diçka e re që po i ndodh vetëm kryeministrit të Kosovës, por të jesh politikan që nuk iu beson as fjalëve të veta më, ka diçka më të madhe që nuk është në rregull këtu. Imagjinojeni, ai thotë se ka udhëhequr luftën për çlirim pa shtënë as edhe një plumb gjatë tërë kohës së luftës. Goxha komandant, apo? Ai e thotë “unë e shpalla” pavarësinë e Kosovës, megjithëse deklaratës, me të cilën e shpalli Kosovën shtet, as sot e kësaj dite nuk i dihet autori.
Bile personi që e “qëndisi” atë në pergamenën e falur nga britanikët, profesor Shyqyri Nimani, pa të keq këtyre ditëve e tregoi se kur e ka parë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ka vërejtur nevojën për lekturim, sepse ishte i shkruar me gabime. Padyshim që përkthyesit nga anglishtja në shqip, kanë nevojë që tekstet e përkthyera t’i lekturojnë.
Ndoshta mënyra më e mirë për ta sqaruar Hashim Thaçin dhe pikë së pari për t’i treguar atij se sa i dëmshëm është bërë për vendin, tash i duhet thënë se sa i çrregullt është bërë vetë ai. Nëse një kompjuter dërgohet te mjeshtri shpesh, vjen koha kur ai nuk shërben më mirë dhe nuk i besohet as ruajtja e të dhënave. Në fakt, “programi” i të bërit politikë i Hashim Thaçit duket është “ri-freskuar” aq shpesh sa tash e ka humbur komplet “rrugën mes oborrit”. Një gjë e përdorur aq shumë s’ka diskutim që duhet hedhur tutje, vetëm nëse Hashim Thaçi mendon se është verë e kuqe, që sa më gjatë që rri aq më i mirë bëhet.
Pas deklasimit më të rëndë në profesionin e tij të parë në jetë, si kryeministër, kur e pranoi përfaqësimin e Kosovës në takime rajonale edhe me Rezolutën 1244, s’ka ku shkon më e arsyeshme të kërkohet largimi i tij. Ka pasur jo pak raste kur insistimi i tij që të mbetet udhëheqës i vendit i ka bërë dëme të mëdha Kosovës. P.sh. sikur Thaçi ta donte sado pak këtë shtet ai do të largohej në sekondin e parë kur miratohet rezoluta e Këshillit të Evropës që hedh dyshime edhe në të për trafikim ilegal organesh me pengjet e luftës së Kosovës, sado të pavërteta të jenë këto akuza. Largimi i tij do t’i krijonte mundësi Kosovës të frymojë lirshëm, e jo sa herë përmendet vendi ynë, në të gjithë botën të thuhet, “shteti që udhëhiqet nga njeriu mbi të cilin ekziston një dyshim kaq makabër”.
Ndoshta këtu edhe nis çrregullimi i “kompjuterit” Hashim Thaçi. Ne vetëm mund ta imagjinojmë se sa herë i është thënë atij gjatë takimeve me temë dialogun Prishtinë-Beograd; “do bësh kompromis apo t’i kthejmë akuzat në skenë prapë?” Në fakt, Thaçi duket të jetë shumë i suksesshëm me kompromise ndryshe nuk ka mundësi që brenda një viti, organizata që i nxiti hetimet për trafikim organesh, Këshilli i Evropës, tani të mos dojë as t’i përmendë ato akuza.
Në janarin e këtij viti u mbajt sesioni dimëror i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, prej nga “Zëri” ka raportuar çdo ditë. Për gazetën ka qenë e pamundshme të gjejë qoftë edhe një zyrtar atje që është i gatshëm të ulet e të flasë gjerë e gjatë për këtë temë. Vetëm sa për ta kujtuar, rezoluta ishte miratuar me vota pro edhe nga shumica e pjesëtarëve që vijnë nga vendet mike, Britania, Gjermania…etj e bile edhe disa shqiptarë. Krejt në fund, një pyetje legjitime mund të bëhet, nëse Hashim Thaçi si i tillë po na udhëheq neve si dele, a thua çfarë lloji delesh jemi ne që udhëhiqemi nga ai?


Shto koment