Tenderi për Privatizimin e Rruges së Kombit Bëhet në "Beograd"
07.02.2012 (komentet: 0)
Gati privatizimi i “Rrugës së Kombit” Koncesionmarrësi do të shpenzojë 80 milionë euro dhe mund të fitojë mbi 350 milionë
Nga Gjergj Erebara dhe Ard Kola-Gazeta Shqip
Plani i qeverisë shqiptare për të dhënë me koncesion autostradën A1, e cila njihet ndryshe edhe si “Rruga e Kombit” apo autostrada “Patriotike”, mund të krijojë një kompani që do të ketë të ardhura prej minimalisht 350 milionë eurosh gjatë 35 viteve të ardhshme, ndërsa koncesionmarrësi do të duhet të investojë vetëm rreth 80 milionë euro. Këto janë rezultatet që mund të nxirren nga të dhënat e përgjithshme të publikuara nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, e cila po “konsulton” qeverinë shqiptare se si ta privatizojë këtë rrugë. Dokumenti që i është dërguar kompanive të interesuara për të marrë pjesë në garën për koncesionin, disponohet nga gazeta “Shqip”.
Koncesionmarrësi do të ndërtojë një tra doganor te tuneli i Thirrës dhe parashikohet t’i marrë 5 euro çdo automjeti personal dhe 10 euro çdo kamioni në emër të mirëmbajtjes së rrugës. Nga dokumenti sugjerohet që koncesionmarrësi nuk do të ketë për detyrë të mbulojë shpenzimet kapitale apo riparimet e mëdha. Duke qenë se volumi aktual i trafikut në këtë rrugë është 4600 makina mesatarisht në ditë gjatë të gjithë vitit dhe me një tarifë mesatare prej 7 eurosh, koncesionmarrësi do të krijojë 10 milionë euro të ardhura në vit ose minimalisht 350 milionë euro për gjatë të gjithë kohës së koncesionit dhe në këmbim do të duhet të investojë rreth 80 milionë euro. Fitimet e koncesionmarrësit do të jenë edhe më të larta sepse në 35 vitet e ardhshme, volumi i trafikut në këtë aks nuk mund të ndodhë ndryshe veçse të rritet. Por fakti është që koncesioni nuk merr parasysh amortizimin e rrugës. Nuk ka një shifër të saktë, por vlerësimet e përgjithshme e japin normën e amortizimit të rrugëve nga 2 në 5 për qind në vit, kosto kjo që do t’u mbetet taksapaguesve shqiptarë, pavarësisht pagesës që do të bëjnë sa herë që kalojnë në këtë rrugë.
Në Beograd
Për koncesionin për “Rrugën e Kombit”, që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, pyetjet mund t’i drejtohen dy zyrtarëve të Korporatës Ndërkombëtare Financiare në Beograd. Një ironi e fatit kjo, duke marrë parasysh se destinacioni final i investimeve që Shqipërisë dhe Kosovës po i kushtojnë mbi 2 miliardë euro dhe që sakaq kanë shpënë në prag të falimentit të dyja vendet, është korridori 10 që kalon mes përmes Serbisë.
Koncesioni
Qeveria shqiptare e ndërtoi rrugën nga Miloti deri në Morinë gjatë pesë viteve të fundit, (punimet në disa segmente nuk kanë mbaruar ende), duke e financuar atë me kredi të marrë në tregun ndërkombëtar dhe atë vendës. Nuk ka një faturë finale për rrugën, por ajo ka kushtuar rreth 1 miliard euro. Rruga ka kosto mirëmbajtjeje dhe kosto amortizimi, por kjo e dyta nuk është përfshirë në detyrimet e koncesionmarrësit. Nuk është e qartë se pse duhet të jepet me koncesion një rrugë në këmbim të ndërtimit të rrjetave mbrojtëse dhe disa punimeve të vogla, ndërkohë që problemi i rrugës mbetet kostoja e lartë e amortizimit në raport me volumin e vogël të trafikut. Autostradat me katër korsi kërkojnë një fluks mesatar ditor prej minimalisht 12 mijë makinash, ndërkohë që sipas vlerësimeve të zyrës së konsulencës së IFC në Serbi, në “Rrugën e Kombit” kalojnë aktualisht vetëm 4600 makina në ditë. Volumi i trafikut vetëm në pak ditë vere arrin në 10-15 mijë makina në ditë.
Arsyet
Dokumenti i koncesionit tregon se kompania sipërmarrëse do të duhet të punojë në stabilizimin e skarpateve të krijuara gjatë ndërtimit, të vendosë rrjeta mbrojtëse përgjatë autostradës dhe të vendosë ndriçim te disa nënkalime e mbikalime. E vetmja vepër e rëndësishme e parashikuar është ndërtimi i një mbikalimi pranë Kukësit. Ndërkohë, vetëm n.q.s e sheh të arsyeshme dhe volumi i trafikut e justifikon, koncesionmarrësi mund të ndërtojë një tunel tjetër në Kukës.
“Objektivi i parë i projektit të koncesionit është që të sigurojë operim efektiv dhe mirëmbajtje të autostradës në përputhje me standardet europiane nga një koncesionar i kualifikuar dhe me përvojë. Subjekti koncesionar do të përcaktohet nga standardet e mirëpërcaktuara të performancës operacionale dhe do të ketë detyrën të mirëmbajë autostradën, të ndërtojë dhe operojë sheshin e traut të pagesave, të zgjasë masat mbrojtëse për të parandaluar mbylljen e rrugës si pasojë e rënies së materialeve, si dhe të zbatojë punime për stabilizimin e skarpateve në mënyrë që të përmirësojë sigurinë dhe gradualisht të ulë koston e operimit dhe mirëmbajtjes”, thuhet në dokumentin e IFC.
Konkurrenca pa çmim
Pjesëmarrësit në koncesion, sipas formës së tenderimit, nuk do të konkurrojnë se cili i kryen funksionet e kërkuara me çmim më të lirë, por kush është më i aftë të kryejë një punë të tillë. Kështu ishte edhe gara për vetë ndërtimin e autostradës, që u fitua nga konsorciumi “Bechtel/Enka” dhe që bëri që kostoja e rrugës të përfundonte nga 418 milionë euro që ishte vlerësimi i parë, në mbi 900 milionë euro në final.
Dokumenti
Detyrat e koncesionmarrësit
Koncsionari do të ketë për detyrë:
a) operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës gjatë kohës së koncesionit
b) operimin dhe mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës
c) operimin e sistemit të mbledhjes së pagesës dhe -
d) zgjerimin e masave mbrojtëse për të parandaluar mbylljen e rrugës për shkak të rënies së materialeve.
Përveç këtyre detyrimeve të Operimit dhe Mirëmbajtjes, koncesionmarrësi duhet të ndërmarrë punimet e mëposhtme të rehabilitimit dhe zgjerimit:
a) ndërtimin e sheshit të traut për mbledhjen e të ardhurave
b) instalimin e rrjetave përgjatë autostradës
c) instalimin e ndriçimit te të gjitha mbikalimet/nënkalimet
d) zhvillimin e tre kryqëzimeve në segmentin III të autostradës (Kukës – Kalimash)
e) ndërtimin e mbikalimit të Kalimashit
f) stabilizimin e skarpateve, në mënyrë që të përmirësohet siguria në rrugë dhe gradualisht të ulet kostoja e operimit dhe mirëmbajtjes
g) publikimin e segmentit të I të Autostradës, [Milot-Rrëshen] vetëm pasi volumi i trafikut të arrijë në nivelet që të justifikojë këtë zgjerim
h) ndërtimin e një ure dhe tuneli në Kukës, pasi volumi i trafikut të arrijë aq sa të justifikohet ky ndërtim.
Vlerësimi aktual paraprak i volumit të përgjithshëm të investimeve kapitale, duke përfshirë mirëmbajtjet e mëdha apo zëvendësimin e investimit kapital është rreth 80 milionë euro gjatë të gjithë jetës së koncesionit.
Burimi: Dokumenti i Informimit për Projektin e Autostradës Milot-Morinë, Korporata Financiare Ndërkombëtare, Zyra për Partneritet Publik dhe Privat në Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Bulevardi Krajla Aleksandra 86, Beograd, Serbi.
Box
Ecuria
Procedura e tenderit në kohë rekord
Tenderi për koncesionin e rrugës nisi zyrtarisht më 15 dhjetor të vitit 2011, ndërsa dorëzimi i aplikimeve për fazën parakualifikuese u mbyll më 31 janar. Më 10 shkurt pritet të shpallet lista e kompanive të përzgjedhura për të kaluar në fazën e dytë si dhe t’u dorëzohen këtyre kompanive të dhënat e detajuara të projektit. Më 20 shkurt do t’u jepen dokumentet e aplikimit, në mars do të zhvillohet një konferencë dhe më 31 maj do të dorëzohen aplikimet. Fituesi do të shpallet në qershor të këtij viti, pas së cilës, shqiptarëve dhe kosovarëve “Rruga e Kombit” do të fillojë t’u kushtojë, jo aq shumë për të mbuluar koston e ndërtimit të saj dhe interesat e kredive që po paguhen, por për të siguruar fitime për kompaninë koncesionmarrëse.
Studimi
Shqiptarët nuk janë dakord të paguajnë
Një studim i kryer nga IFC duke pyetur rreth 6100 kalimtarë në “Rrugën e Kombit” ka dalë në përfundimin se 940 prej tyre janë shprehur të gatshëm për të paguar, por pjesa tjetër nuk kanë qenë dakord. Një valë patriotizmi dhe deri-diku, ndërgjegjësimi për koston e rrugës dhe pasojat që ajo ka në financat publike të vendit, i ka shtyrë shumë shqiptarë të mendojnë se 5 apo 10 euro pagesë për mirëmbajtjen e rrugës është një tarifë e drejtë. Por shqiptarëve nuk u është thënë ende se ku do të përfundojnë, se për çfarë do të përdoren këto para. Pavarësisht se janë apo nuk janë dakord me pagesën, me t’u kryer koncesioni, shqiptarët do të jenë të detyruar të paguajnë.
Vetëm interesat e borxheve të marra për të ndërtuar autostradën i kushtojnë aktualisht Shqipërisë rreth 30-40 milionë euro në vit, të cilat do të vijojnë të paguhen nga taksapaguesit, pavarësisht se do të paguajnë edhe te trau i tunelit për një procedurë mirëmbajtjeje që nënkupton vetëm punime të vogla stabilizimi skarpatesh e vendosje ndriçimi në mbikalime.
Detajet
Rruga
Nga Miloti deri në Morinë, rruga do të privatizohet për 35 vitet e ardhshme. Segmenti i parë me dy korsi konsiderohet “i mjaftueshëm” për volumin aktual
Taksa
Çdo automjet personal do të paguajë 5 euro, ndërsa kamionët e autobusët nga 10 euro për çdo kalim në këtë autostradë me një total prej 10 milionë eurosh në vit
Kostot
Amortizimi, mirëmbajtjet e mëdha, pagesat e borxheve dhe të interesave të borxheve të marra për ndërtimin, do të vijojnë të paguhen nga taksapaguesit
Kontrata
Koncesioni do të zgjasë për 35 vjet, kohë gjatë së cilës autostrada ka gjasa të ketë kaluar gjysmën e jetës. Do të nevojiten kredi të tjera për riparime
Përfitimi
Në këmbim të qindra milionë eurove të fituara, koncesionmarrësi do të kujdeset që në rrugë të mos bien gurë, ndërsa do të shtrijë rrjetë teli për të bllokuar kafshët


Shto koment