Tadiqit: Ka shumë Amsera në Luginë të Preshevës!
20.02.2012 (komentet: 0)
Ata e kanë të vështirë kthimin në shtëpitë e tyre, si pasojë e trysnisë që u bëhet nga policia, ushtria e xhandarmëria serbe që është e stacionuar në kufi, nga mosperspektiva e zhvillimi ekonomik e shumë prej të zhvendosurve tashti kanë edhe mungesë dokumentacioni.
Shoqata e të Shpërngulurve nga Kosova Lindore “Vatra” me seli në Gjilan, disa herë ka ngritur zërin për problemet e mëdha me të cilat po përballen banorët e zhvendosur, me theks të veçantë në mungesë të dokumentacionit, andaj drejtues të kësaj shoqate Shkëlzen Agaj, Fisnik Ibrahimi e Enver Haziri, kanë thënë se ka disa ditë që zyra e tyre është e hapur për të pranuar të dëbuarit që nuk kanë dokumente identifikimi, duke u munduar që në të ardhmen të dihet numri i saktë i të paregjistruarave dhe që më pas problemi i tyre të tentohet të zgjidhet në mënyrë kolektive.
Ismet Tafili, veprimtar, që angazhohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, thotë se pushteti serb vazhdon të përdorë metoda mjaft të sofistikuara për t’i ndjekur shqiptarët nga vatrat e veta, për t’i larguar nga puna, për të mos investuar në vendbanimet shqiptare, për të mos lejuar përdorimin e simboleve kombëtare e më së shumti duke e militarizuar këtë rajon me ushtri e xhandarmëri serbe.
Sipas tij, diskriminim ekstrem ka disa vite që po e përjetojnë më së shumti qytetarët shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, të cilët për gjatë viteve të ’99-ta u dëbuan me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore dhe u vendosën përkohësisht nëpër disa qendra të Republikës së Kosovës.
Sipas Refik Hasanit, veprimtar nga Lugina e Preshevës, Beogradi po luan një politikë dyfytyrëshe me shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilëve u mohon shumë të drejta, derisa për konsum të brendshëm dhe atë ndërkombëtar mëton të paraqitet si vend që e ka në zemër humanitetin.
Sipas Hasanit, shembulli më i mirë për këtë është rasti i fundit në Restelicë, ku kinse presidenti serb u interesuaka për të mbijetuaren e vetme, të cilën Serbia do ta mbështesë financiarisht deri në moshën madhore.
Hasani thotë se në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ka shumë fëmijë të tillë, të cilët mund t’i mbështesë, ngase, sipas tij, ka shumë fëmijë të ushtarëve të UÇPMB-së të rënë, invalidë e veteranë që fëmijët e tyre nuk e marrin asnjë shtesë fëmijërore, sikurse që kanë mbetur pa përkujdesje edhe fëmijët e të burgosurve politikë, ndërkaq Serbia shumë pak përkujdeset për aftësimin e fëmijëve shqiptarë në Luginë, në ndarjen e bursave e as që ka hapur ndonjë spital rajonal në Luginë për maternitet a pediatri.
Ai ka thënë se Serbia jo që nuk po ndihmon shqiptarët e atjeshëm, por po i rrah, keqtrajton, po ua kufizon lirinë e lëvizjes, me qëllim final që t’i përzë nga trojet e tyre, andaj këtu shihet qartazi dyfytyrësia e Serbisë, e cila para se të përkujdeset për pjesën që përfundimisht e ka humbur, ajo duhet të përkujdeset për shtetasit e vet


Shto koment