Shkrimi im është me plot fakte dhe të vërteta
08.02.2012 (komentet: 0)
Dua të them se shkrimi im është me plot fakte dhe të vërteta dhe shumë të tjera të pa thëna (ato i ruaj për kohë tjera).
Shkruan: Rashit Sahiti
Janë të vërteta sepse kam paraqitur me emër e mbiemër njerëz, të cilët patën fatin e keq të jenë “viktima” dhe fatmirësisht të gjithë janë ndër të gjallë, vetëm se të denigruar e të nëpërkëmbur,por krenarë për punën që e bëjnë në procesin edukativo-arsimor.
Në shikim të parë krahasimi nuk mund të jetë i “pa pëlqyer”,por në realitet vetëm pak dallon nga koha e komunizmit në atë të demokracisë. Largimi nga puna dhe suspendimi është njësoj. Është shkoqitur mirë dhe arsyetuar përmes shkrimit tim, po të analizohet me kujdes.
Jam i vetëdijshëm se rregullat vlejnë në çdo sistem çfarëdo qoftë ai. Gjithashtu edhe projektet e “hartuara” për “fshesë” të kuadrove sikur në kohën e sistemit totalitarë.
Ndërkaq për shkeljet e rënda për të cilat i zëni në gojë ndaj dy drejtorëve,unë them se nëse duam shtet ligjor,ekziston gjykata, për çka është kompetencë e tyre dhe e njëjta i ka shpallur të pafajshëm dhe që të dy sot punojnë në procesin edukativo-arsimor. Bile, njëri nga ta, pas ankesës në KPM,e njëjta e ka urdhëruar DA-në ta kthej në vendin e punës me të gjitha të drejtat që i takojnë (kompensimi i të ardhurave personale për kohën sa ka qenë i pa punë).A s’është e vërtetë dhe fakt kjo?!
Pastaj shtrohet pyetja: Cilat na qenkan tejkalimi i kompetencave të drejtorëve,pasi çdo punë ishte e centralizuar dhe duhej të kalohej përmes DA-së dhe filtrave të saj?
Z. Kuretshi, zyrtarët e arsimit përherë e kanë respektuar orarin e punës,bile njëri nga ta,për sa kohë që ka punuar, nuk ka shfrytëzuar pushimin që i takon me ligj, për shkak të vëllimit të punëve.(Atëbotë, të gjitha punët kryheshin nga tre zyrtarë të niveleve të ndryshme, ndërsa sot të njëjtën punë e kryejnë shumë më shumë zyrtarë në numra).
Punëtorët e suspenduar,të larguar e të transferuar,një numër i tyre ka shkruar ankesë nëpër gjykata dhe lëndët e tyre ose janë zgjidhur në favor të palës, ose janë ende në procedurë gjyqësore.
Nuk isha i interesuar të lëshohem në detale,pasi konsideroj se nuk e kam rolin e avokatit për askënd,por vetëm dua të nxjerr në shesh dukuritë e dëmshme në DA dhe ta paraqes një të vërtetë përpara lexuesit të komunës sonë. Janë këto probleme që ende e preokupojnë DA-ne. Vetëm këtë vit kemi 43 ankesa të kandidatëve të intervistuar për pranim në procesin edukativo-arsimor.
Komisioni komunal është marrë një kohë të gjatë me këto ankesa,dhe si rezultat i punës jo të mirë gjatë pranimit,i ka kthyer, respektivisht ka rekomanduar rishpalljen e konkursit e disa ,pas konstatimit të shkeljeve që iu janë bërë,i ka kthyer në vendet e tyre të punës (shih raportin e Komisionit Komunal për ankesa).
Ndërmarrja e masave administrative duhet të merret njësoj për të gjithë ata që i shkelin, e jo në mënyrë selektive.
Edhe ndarja e mirënjohjeve dhe shpërblimeve është e ditur si është bërë.
Ndërsa ju bëj me dije se sa i përket matematikës,jam letrar,s’jam matematicient, por kam qenë nxënës solid dhe asnjëherë nuk kam pas problem me numra. Dhe për fund,nuk desha t’ju dal në mbrojtje askujt,vetëm desha të them një të vërtetë,nuk e kam marrë rolin e mbrojtësit,por vetëm e tërhoqa një paralele dhe le të gjykojnë lexuesit. Mbrojtjen e ligjit janë kompetent ta bëjnë juristët, ndërsa drejtësinë ta ndaj gjykata. /2lonline/


Shto koment