Republika nuk është pronë e Qeverisë, ajo është vlerë kombëtare
30.01.2012 (komentet: 0)
Një komb ekziston vetëm atëherë kur fillon të shqetësohet për fatin e tij. Malcolm X
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Ata që bisedimet me Serbinë i filluan kokë në vete, pa miratim nga Kuvendi; ata që marrëveshjet ndërkombëtare po i quajnë konkluzioni (për t’i ikur ratifikimit të tyre nga Kuvendi i Kosovës që është obligim kushtetues).
Ata qeveritar që bisedimet për heqjen e Republikës në takimet ndërkombëtare po i quajnë bisedime teknike. Ata që pranuan të bisedojnë me Serbin para se ajo ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Të njëjtit e hoqën Republikën nga vulat e doganave; kufirin shtetëror e reduktuan në kufi administrativ; pikat kufitare pranuan t’i quajnë pika të kalimit; origjinali i regjistrave civil dhe dokumentet e kadastrave të Republikës së Kosovës pranuan t’i mbeten Serbisë.
Ata pranuan që mbi tabelat RKS të vendosen katër “S” e Serbisë; pranuan që qytetarët e Republikës së Kosovës nëpër Serbi të qarkullohet me dokumente të lëshuara nga Serbia, e kanë humbur tërësisht legjitimitetin, me e përfaqësuar Kosovën.
Kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin (edhe ashtu të kontestuar për shkak të vjedhjeve të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit 2010) edhe brenda vendit, sepse përveç abuzimeve në procesin e privatizimit, tenderimit e sfera të tjera, e njëjta e ka imponuar Ligjin diskriminues mbi Trashëgimin Kulturore të Prizrenit dhe Ligjin për Hoqën e Madhe. Kjo Qeveri në vitin 2012 ka bërë presion për anulimin e vendimin të Kuvendit mbi reciprocitetin, ka urdhëruar rrahjen e protestuesve që dolën në mbrojtje të reciprocitetit me 14 dhe 22 janar në Merdare dhe Dheun të bardhë.
Paralajmërimi se do të heqin dorë nga Republika në takimet e nismave rajonale paraqet kulmin e të këqijave që po na vijnë nga kjo Qeveri, prandaj kjo nuk bënë të kaloj
Të gjitha këto lëshime që po mundohen t’ia shesin popullit si suksese me kinse integrimin në Evropë, përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, heqjen e vizave, stabilitetin në rajon, integrimin e komunitetit serb etj. nuk do të kalojnë.
Qytetarët e Kosovës kanë filluar t’i kuptojnë gjërat ashtu si janë, sepse më bindëse janë problemet që po u dalin nga marrëveshjet e arritura në Bruksel se deklaratat e negociatorëve të Brukselit.
Se marrëveshjet me Serbinë janë të dëmshme për qytetarët e Kosovës po e kuptojnë të gjithë ata që po udhëtojnë nëpër serbi dhe ata që po përpiqen t’i eksportojnë prodhimet e tyre atje. Zëvendësimi i dokumenteve identifikuese të Republikës së Kosovës dhe tabelat e automjeteve të tyre me dokumente e tabela të republikës së Serbisë derisa një gjë e tillë nuk vlen për shtetasit serb që vijnë në Kosovë është vetëm njëra nga dëshmitë e pa barazisë që po e përjeton qytetarët tan po sa po afrohen te kufiri me Serbin.
Për Republikën e Kosovës është derdhë shumë djers, janë shpenzuar shumë para, janë bërë shumë sakrifica, shumë fëmijëve i është mohuar e drejta e shkollimit vetëm se i kishin shkruar shkronjat “RK”, prindërve të tyre u mohohej punësimi. Shumë të rinj e kaluan rinin në burgje, shumë nuse e pësuan më rënd se Penelopa, nënat e kaluan pleqërinë në ethe. Për Republikën u kall flakë Kosova, ndodhi eksodi i përcjell me gjenocid. Për Kosovën Republikë ranë dëshmor bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës.
Republika ka çmim tepër të lartë. Ajo nuk është pronë e askujt. Ajo është vlerë e jona sublime. Prandaj nuk ka autoritet dhe as justifikim që guxon ta cenoj Republikën. Kushdo që jeni ju kontribuues apo armiq të saj mbani duart larg nga Republika, sepse ajo është vlerë sublime pa të cilën jeta nuk ka kuptim për mbi 95% të qytetarëve të këtij vendi. /2lonline/
(autori është kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan)


Shto koment