Presidente, ke hyrë në valle!
31.01.2012 (komentet: 0)
Behxhet Haliti
Nuk ishte as e para e as e mbrama që përmendi këtë kancer Kosove, por më e rëndësishmja në tërë këtë ishte se e tha Presidentja. Njeriu numër Një në Republikën e Kosovës.
Ne të gjithë e dinim këtë gjë! I madh e i vogël!
Në adresimin vjetor (që e ka obligim kushtetues) presidentja Atifete Jahjaga, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 8 dhjetor 2011, tha:
“Nesër do të udhëtoj për në vizitë zyrtare në SHBA, ku do të takohem me sekretaren e Shtetit, me kryeprokurorin amerikan, me drejtorin e FBI-së dhe me udhëheqësit e Pentagonit. Në këto takime do t’i njoftoj ata me hapat e bërë në luftën kundër korrupsionit. Pas kthimit në Kosovë do të themeloj Këshillin Antikorrupsion, të cilin do ta udhëheq në bazë të kompetencave të mia kushtetuese e ligjore. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të fitohet”...
Dhe, nga ato që tha presidentja para gati dy muajsh, deri më tash përmbushi njërin premtim.
Ishte në Amerikë.
Është fakt se atje takoi zyrtarë shumë të lartë amerikanë. Bile, duhet pranuar: niveli i takimeve në Amerikë ishte më i larti i ndonjë shtetari të Kosovës.
Pas kthimit nga atje, tha se Amerika i ofroi ndihmë konkrete në fuqizimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Plus kësaj, u shpreh e vendosur për të formuar Këshillin Antikorrupsion.
Ama, Presidentja ende nuk mori vendim për themelimin e Këshillit.
Qenë përmendur edhe data.
26 janari 2012, për shembull.
Kaloi edhe kjo datë!
Qe thënë se Presidentja e ka në letër përbërjen e Këshillit.
Qenë përmendur, si pjesë e Këshillit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe organizata të ndryshme joqeveritare.
Por, letra është letër!...
Opinioni di për një selam të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, të thënë publikisht, por të dërguar në adresë të zonjës Jahjaga: Presidentja të ketë kujdes me ligjet dhe me Kushtetutën!
Sipas këtij selami, Presidentja nuk ka të drejtë të formojë një këshill të tillë!
Dhe, opinioni di edhe për një selam tjetër, atë të kryeministrit Hashim Thaçi, sërish të thënë publikisht, por të dërguar po në adresë të zonjës Jahjaga: “Qeveria do të vazhdojë të mbetet në ballë të luftës kundër korrupsionit!”.
Shul e shqip: “Presidente, mos u merr ti me këtë punë se ka kush merret!”...
Deri më sot kështu po del.
Ndoshta, nesër mund të ndryshojnë gjërat.
Pak e besueshme!...
Ama, Presidentja i ka hyrë valles! Para të zgjedhurve të popullit dhe para popullit.
Duhet ta luajë vallen derisa të ndalet muzika, sepse ashtu si e nxori ambasadori Christopher Dell nga zarfi, sërish mund ta fusë në zarf ambasadorja e re Tracey Ann Jacobson!


Shto koment