Politikani, kujt t’i frikësohet?

20.01.2012 (komentet: 0)

Reaksionet pas shfaqjes lakuriq të dhunës ditë më parë mbi protestuesit në Merdar e te Dheu i Bardhë më kujtuan një nga çështjet që mundon gati të gjitha shoqëritë, e të cilën një mendimtar, shumë më herët, e shtroi përafërsisht kështu

Ali Cenaj

Prej çkahit duhet të ruhet më së shumti politikani?, ishte çështja. Dhe, përgjigjej: Prej zgjedhjeve të lira, prej fanatikëve, prej debateve të hapura e të lira dhe... prej barsoletave! Pse barsoletave? Ç’punë kanë këtu barsoletat?, mund të pyesë dikush.

Duke elaboruar më tej, më pak të rrezikshme dalin zgjedhjet e lira, pasi në një vend si ky i yni zgjedhjet mund të kurdisen apo të vidhen, ashtu siç tanimë thuhet se na ndodhën “vjedhjet industriale”. Edhe debatet e hapura e të lira, siç u pa e po shihet, mund të ngufaten lehtë, përmes “argatëve” kaherë të shitur e që shpesh i shohim si pjesëmarrës kujdestarë në debate të nxehta.

Edhe fanatikëve, si atyre të “Vetëvendosjes”, Qeveria mund t’ua gjejë ilaçin. Nëse nuk bën ndryshe, atëherë bëjnë punë prangat, arrestimi, inicimi i ndonjë hetimi etj., që së paku për një kohë e largon nga skena por që kjo, kësaj radhe, megjithatë nuk piu ujë falë reagimit nga brenda e jashtë, ashtu që rreth 150 të paraburgosurit u liruan.

Edhe pse punët nuk i kemi aq keq sa që individi pa deficit të guximit e të kurajës njerëzore, intelektuale e morale, të mos gjejë hapësirë për të artikuluar mendimin sado kritik ndaj Qeverisë, megjithatë barsoleta mbetet ndër ato format e parapëlqyera nga analistët anonimë.

Vetëm barsoletat janë ato, kundër të cilave çdo pushtet, sado i fortë, shfaqet i pafuqishëm. Ç’është e vërteta, në rastin më të keq, mund ta kapë për fyti nëse dike e zë “në vepër” duke e tallur qeverinë me barsoleta me gjemba, por megjithatë ato vazhdojnë të fliten e të përfliten ashtu që lufta me ta i ngjan betejës me erën.

Ju kujtohet, gjithsesi ajo e Plakës së Reçakut dhe tani ministrit Rexhepi: “Po, po... na keni ndihmue, na keni këqyr, na e keni ...... atë nënë”, thoshte plaka, duke lënë gojëhapur jo vetëm ministrin, e që tani rrëfehet shpesh nga ata që parapëlqejnë gjuhën spirituoze të të shprehurit. Çka mendoni, sa do të ishte çmimi që kjo vetëm të zhbëhej. Por, nuk mundet, punë që nuk bëhet.

Edhe pse me mendësinë epike që të keqen zakonisht e shohim vetëm te tjetri, nuk shquhemi shumë për kreativitet, për shkathtësi imagjinative e për mprehtësinë që prodhon barsoleta, megjithatë gjithnjë e më shpesh rrëfehen “bëma” të ndryshme të politikanëve tanë.

Një nga to, ditë më parë, e rrëfyer sipas një miku “myshteri” gati i rregullt i kafenesë së njohur prishtinase “Te Martini”, duket kështu.

Sipas tij, pasi kishte kapërdirë disa gota, një tip i njohur për gjuhë të rëndë, person goxha publik, sidomos orëve të vona në lokalet si ai “Te Martini”, i mllefosur me dhunën e ushtruar por më shumë me arrogancën me të cilën ministri arsyetonte “përdorimin proporcional të forcës” mbi protestuesit, duke ndërprerë lajmet që po jepeshin në TV, brofi në këmbë dhe me gjithë zë e me grusht tavolinës bërtiti: “Këta politikanë janë kretenë!”.

“Ej, mos ofendo ashtu!”, - ishte dëgjuar një zë nga tavolina në qoshe.

“Pse, mos je edhe ti njëri nga këta politikanë?”, iu drejtua atij.

“Jo, unë jam kreteni!”, kishte thënë i “ofenduari” nga tavolina në qoshe, thoshte miku.

Humori i tillë, thotë miku, është një nga mënyrat më të mira që “unin” tonë të rrezikuar ta mbrojmë nga ofendimet e rrezikimet që përditë na vijnë nga jashtë.

Dhe, vazhdon me barsoletën e radhës, që i sillet ndër mend.

“Nëse i lajmë politikanët tanë, e di çka fitojmë?”, pyet ai.

“Ujë të ndytë e politikanë të pastër!”, - thotë , pa pritur përgjigjen time

Kthehu mbrapa

Shto koment