Nuk është njësoj si sot, si pas viteve 1981
08.02.2012 (komentet: 0)
Shkruan: Shefik Shkodra
Edhe në demokraci duhet të ketë ligj dhe rregulla për cilëndo shoqëri e edhe për ne. Përpjekjet tona duhet të bëhen për një shtet të tillë. Vërejtje ka pasur dhe ka sa i përket punësimit në sektorin publik edhe nga ky koalicion, por edhe nga i mëparshmi në krye me LDK, kur bahet fjalë për qeverisjen lokale. Nuk e kam ndërmend të bëj analizë politike të partive tona, duke zënë në artikullin e z. R. Sahitaj: “Të suspenduar nga puna në kohën e komunizmit, të suspenduar edhe në kohën e demokracisë”, të botuar në faqen elektronike ‘2LONLINE’, më 4 shkurt 2012.
Personalisht u nxita që, duke i shprehur dy-tri fjali ta zhvendos emrin tim të përmendur me disa kolegë, të diferencuar dhe të larguar nga puna në vitet 1981, pas demonstratave në Kosovë. Z. Sahitaj nuk ka bërë keq që dëshiron të vë në pah shfaqjet e padëshirueshme që ndodhin në shoqërinë tonë përmes mjeteve politike. Po, gjithnjë duhet pasur parasysh, kur bëhet një vlerësim si rast apo dukuri shoqërore, të mbahet një kurs me një intonacion për të gjithë njësoj në vlerësime. Të identifikohet edhe qëllimi që mundësisht me këtë që thua, t’u ndihmonte njerëzve me influencë në pushtet për t’u korrigjuar.
Në atë kohë, sikur e dinë të gjithë, Serbia (pas v. 1981), dëshironte që të gjithë shqiptarët t’i diferenconte. Ashtu bëri dhe ashtu ia arriti qëllimit deri më 1999. Të gjitha deri më tash janë të njohura për opinionin publik. Po ka diçka tjetër që është më me interes të ndahet e identifikohet në shkrimin “Të suspenduar nga puna në kohën e komunizmit, të suspenduar edhe në kohën e demokracisë”.
Në radhë të parë, nuk ishin të diferencuar e të larguar në vitin 1981 (pos 5-6 vetave) të gjithë ata sa keni numëruar z. Rashit. Pa keqkuptime. Nuk anoj për askënd. Ndoshta, nuk ishin as të “suspenduar” e të larguar të gjithë këta nga puna për shkaqe politike në këto kohë të demokracisë. Me të gjithë sa i njoh, të numëruar nga z. Sahitaj, jam në marrëdhënie të mira shoqërore. Derisa, unë këto vite të fundit sërish i përjetova rëndë. Si tepricë teknologjike e ashtuquajtur, konkurrova tri herë për vendet me konkurs dhe nuk u pranova. Mbeta i pa punë plotë tetë (8)muaj dhe i lënë në rrugë nga partia në pushtet, të cilën edhe e kam votuar dhe e kam simpatizuar(!) A ka qenë e drejtë të veprohet kështu me mua, këtë mund ta marrin vesh më mirë të tjerët.
Asnjë gabim material as moral nuk e kam bërë gjatë karrierës sime! Veç pseudopatriotët dhe sahanlëpirësit kanë spekuluar tinëzisht. Po për këtë çështje (timen) e kam adresuar thirrjen dhe e kam publikuar në media-t e shkruara. Nuk dua të flas për këtë më me këtë rast.
* * *
Z. Sahitaj, ndoshta ka dashur të identifikoj tipat në këtë grumbull personash që ka emëruar me këtë artikull, se cili/cilët de facto ishin ata/ato që e pësuan edhe atëherë e edhe tash. Dhe, a ishte vetëm një prej partive që bënte këso veprimtarish të pa mira pas lufte, do të thotë, duke i pas punësuar e emëruar në vende udhëheqëse vetëm ata simpatizantët e vet?
Zgjedhja e kuadrove në baza partiake ka ndodhur edhe në kohën kur LDK me koalicionin e vet ishte në pushtet. Bile shumë ashpër në disa vende. Nuk e pranon apo nuk i kujtohet ndonjërit të thotë se, edhe kjo parti me koalicionin e vet kur erdhi në pushtet bëri shumë “sherre” me kuadrot që i mendoi se, nuk do t’i ketë të gjithë të dëgjueshëm. Pas një viti (1999 – 2000), kjo parti ma shpalli vendin (me UNMIK-un) që isha i emëruar për drejtor. Por, kjo u ka ndodhur edhe të tjerëve, thash, nëse cilido prej atyre kuadrove nuk u është “dorëzuar” për manipulim.
Por, kolegët e diferencuar pas demonstratave të vitit 1981, të larguar nga puna, të dënuar me burg e të maltretuar në mënyra të ndryshme e me metoda të ndryshme, nuk janë të barabartë me këto që po i krahasojmë të pas luftës e deri më sot.
Shpeshherë interesi është grupor, pa ngjyra partiake, por gjithsesi faji i mbetet atyre që janë në pushtet.
Kërkohet një mirëkuptim dhe një unitet ndërpartiak, kur është interesi i të gjithë qytetarëve, ndryshe, duke pas humbur besimin në politikën dhe institucionet tona nuk mund të shkohet te para. /2lonline/


Shto koment