Një Letër për Mimozën
16.02.2012 (komentet: 0)
Fisnik Ismaili
Ky është nji reagim/letër e hapun drejtue Ministres së Tregtisë e Industrisë, Zonjës Mimoza Kusari-Lila, për vendimin e saj të 8 shkurtit 2012, me i shpenzue 1 milion euro në një fushatë reklamimi për promovimin e Kosovës në CNN, si dhe për gabimin e turpshëm që u transmetua në lansimin e kësaj fushate, në ditën e parë të transmetimit, tuj e paraqitë imazhin e Monumentit të Pavarësisë NEWBORN, si NEWPORN në sekondin e 11-të të kësaj reklame.
Shiko videon e transmetuar në CNN më 15 shkurt 2012
Çka më intrigoi më së shumti, madje më shtyu me e shkrue këtë letër, ishte reagimi i shpejtë dhe “zyrtar” në Facebook i Ministes në fjalë, i cili u publikua edhe në disa portale, edhe i cili i siguronte qytetarët se gabimi ka me u përmirësue, pa dhanë asnji spjegim se a kanë me u ndërmarrë masa ndaj atyne përgjegjës për këtë gafë.
Për ma tepër, mbasi disa qytetarë kërkuan sqarime në Facebook faqen zyrtare të Ministres për qëllimin edhe arsyen e kësaj fushate, tuj i shprehë dyshimet e tyne, ajo i këshilloi që të mos paragjykojnë, por të kenë besim se rezultatet kanë me qenë pozitive, pa edhanë asnji argument bindës për këtë gja.
Kjo letër synon me dhanë argumente bindëse se pse 1 milion euro të tatimpaguesit po shpenzohen për asgja.
E ndruemja Ministre e Tregtisë dhe Industrisë së republikës së Kosovës, Zonja Mimoza Kusari-Lila,
Tuj e marrë parasysh se po flitet për diçka që i përket fushës time profesionale edhe faktit që kam qëllue edhe personi prapa krijimit të monumentit NEWBORN, mendoj se më takon me e shprehë mendimin tim edhe profesional, edhe si qytetar/tatimpagues, në lidhje me fushatën publicitare tani shumë të përfolun, që nuk ndryshon prej mendimit që e kisha kur mora vesh per vendimin eTuej, si Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, për me i shpenzue 1 milion euro në CNN për përforcimin e imazhit të Kosovës, të datës 8 shkurt 2012.
REALIZMI
Pavarësisht planit që është prezentue, të cilin e kam mbledhë copa-copa prej artikujve nëpër media edhe prej debateve në Facebook me persona të përfshimë në këtë fushatë, ASNJI fushatë në botë, me buxhet prej 1 milion eurosh nuk realizohet për 7 ditë. Edhe nuk po flas vetëm për realizimin e video reklamës (që në vete është proces së paku 2-4 javësh), por edhe për planifikimin e strategjisë dhe mediave (sekondave të transmetimit), pastaj negociimin e çmimit medial, konceptin kreativ edhe mesazhin (që janë gjëja ma e randësishme) edhe në fund ekzekutimin e nji projekti të tillë.
Këtë po e them prej pervojës time 17 vjeçare në këtë fushë, të fitueme në Angli, Kosovë edhe Shqipëri, që përfshin mbi 350 projekte dizajni dhe fushatash reklamimi, me total prej ma shumë se40 milion euro vlerë punësh të realizueme në karrierën time deri sot, duke ia shtue 6 çmimet ma prestigjoze në botë në fushën e reklamimit (përfshi Luanin e Artë në Cannes, që për reklamat është sikur çmimi Oscar për filmat).
EKZEKUTIMI
Kur e kam shprehë mendimin tim të përshkruem ma naltë te një person i involvuem në këtë projekt 7 ditë ma parë, duke e cekë përvojën time në këtë fushë, më është thanë, madje duke më përqeshë se, edhepse e njoh fushën e reklamimit, nuk e njoh aq mirë, edhe se CNN pa problem mundet me e realizue nji reklamë per 7 ditë, pavarësisht se CNN nuk është agjenci që prodhon reklama, por vetëm kanal televiziv.
Fjalët e mia dolën të vërteta kur e pa publiku i gjanë reklamën në CNN për herë të parë dje, me 15 shkurt 2012 në CNN si dhe nëpër rrjete sociale, madje edhe në hapësinën tuej në Facebook. Nuk e kam fjalën vetëm për fiaskon spektakolare me NEWPORN, këtë madje, as nuk e kam imagjinue se mundet me ndodhë ndonjëherë.
Kjo reklamë, prej total 11 kadreve (skenave) të paraqituna, 6 prej tyne as NUK I KA të xhirueme në Kosovë, por janë ble prej "stock footage", nji databaze xhirimesh, në internet. Pos kësaj, vizuelisht ma shumë NUK e paraqet Kosovën, sesa që e paraqet, duke ia shtue aty gënjeshtrën më të madhe, që thotë se Kosova e ka ekonominë në rritje të shpejtë, kur në fakt NUK e ka, madje përkundrazi. Por hajt, po e pranojmë se reklamimi e shtrembënon pak të vërtetën (edhepse në këtë rast po e shtrembënon shume) edhe po supozojmë së në Kosovë paskemi rritje të ekonomisë (jam tuj qeshë me lotë në këtë moment, e s'po di a prej situatës komike, apo dëshpërimit).
Kjo na bjen te ajo me e rendesishmja:
SYNIMI I FUSHATËS
Synimi i fushatës është gjëja e parë edhe më e rëndesishme e secilës fushatë, e cila GJITHMONË duhet me e justifikue arsyen se pse po bahet, çfarë qëllimi ka, për kë po bahet (audienca) edhe çfarërezultatesh pritet me pasë?
Kjo e përcakton se si ka me u dukë fushata, çfarë ka me qenë mesazhi edhe qysh, sa, ku edhe kur ka me u transmetue.
Prej asaj që kam kuptue deri tash, e që kam marrë përgjegjje të ndryshme nga njerëz të ndryshem të përfshimë në këtë projekt, synimi i kësaj fushate është që:
a) Kosova të ngjitet 30 vende ma naltë në indeksin "Doing Business" deri në muajin shtator 2012,
b) Të nxitet investimi i huej në Kosovë,
c) Të promovohet turizmi,
ç) Te promovohet imazhi i Kosoves, dhe
d) Çka të na kujtohet diçka udhës.
Kush është ai "ekspert" që i fut KAQ SHUMË qëllime diametralisht të largëta prej njana-tjetrës, në nji fushatë të vetme?
Qysh mundet me i shkue mendja dikujt se me vetëm nji reklame televizive, të transmetueme në nji kanal të vetëm televiziv, ka me qenë mjaft tërheqëse për nji investues potencial i cili, tuj ndejtë në hotel i shtrimë në krevat mbas nji dite të gjatë plot takime, ka me mendue "Ueh, a e din çka? Kosova është vendi ku po due me i investue do pare!" prej nji reklame televizive? (Kjo tuj e marrë parasysh që CNN shquhet si kanal i preferuem i dhomave të hoteleve për biznismenë të rraskapitun.)
Në bazë të çfarë kritereve është përzgjedhë CNN si mediumi ma i përshtatshëm për reklamim, duke e marrë parasysh sa është aq gjithperfshimës edhe si i tillë ia humb efektin qëllimit të reklamës?
Cilit "ekspert" i ka shkue mendja se ma i randësishëm është numri i transmetimeve në CNN edhe "çmimi i ulët i sekondave", sesa cilësia e video reklamës që ka me u transmetue? A e di ai person se nji video reklamë e keqe, e transmetueme shpesh ka efekt ma negativ sesa nji reklamë e mire, e transmetueme ma rrallë?
Cili "ekspert" e ka llogaritë buxhetin edhe ka kujtue se ekzekutimi i nji fushate prej 1 milion eurosh mundet me u nisë brenda 7 ditësh (pavarësisht se fushata ka me zgjatë 1 vjet, nuk planifikohet për 7 ditë)?
Cili “ekspert” e ka pa, vlerësue edhe lejue këtë reklamë me u transmetue në CNN, çfarë masash duhen me u marrë ndaj tij/saj edhe kush ka me i vlerësue reklamat në të ardhmen?
Kush edhe qysh ka me u ba matja e rezultateve të fushatës,(d.m.th., me e përcjellë numrin e investuesve të ndikuem prej fushatës, në mënyrë që me e arsyetue fushatën?
PËRFUNDIMI
Mosserioziteti i këtij veprimi është pa qysh në start, me 8 shkurt 2012. Vendimi me e realizue këtë fushatë ka ardhë 7 ditë para ekzekutimit të saj, që i tregon dy mundësi/arsye:
1. Se për këtë fushatë është vendosë shpejt e shpejt - dikujt iu ka kujtue para do ditëve se është “ide e mirë” edhe është vendosë, pa u mendue mirë, me i shpenzue 1 milion euro të tatimpaguesit në nji vendim ad-hoc (që nuk është hera e parë që kjo qeveri vendos ngutazi)
2. Se për këtë fushatë është vendosë shumë më herët edhe puna iu ka dhënë dikujt paraprakisht, në mënyrë jotransparente, duke i anashkalue proceset e rregullta të tenderimit, duke e ba të ditun për opinion publik vetëm 7 ditë ma herët, që mos me mbërri askush me reague për jotransparencë (që, prapë, nuk është hera e parv qv kjo qeveri vendos paraprakisht se kujt ka me ia dhanë projektin, sikur për fushatën "The Young Europeans", tenderi për te cilën pat dalë me vetëm 10 ditë afat).
Duke e pa realizimin e dobët edhe lejimin e gafës ofenduese me NEWPORN qysh në ditën e parë, në reklamën e parë të transmetueme për herë të parë, ajo që po quhet paragjykim nga Ju, Zonja MInistre Lila-Kusari, per nji profesionist si unë quhet dështim hala pa ia fillue mirë fushata, i krijuem prej nji grupi amatorësh pa pikë njohunie, për krejt arsyet që i permenda ma naltë.
Tash, duke e marrë parasysh se pak vite ma parë janë shpenzue 5.7 milionë euro të tatimpaguesit për realizimin e fushatës "Kosovo - The Young Europeans", e cila, ndonëse e realizueme bukur si pamje (po i anashkaloj akuzat për plagjiature si në video, ashtu edhe në sllogan),NUK ka tregue ASNJI rezultat të vetëm pozitiv për Kosovën, po më intereson me e dijtë se me çfarë bindje edhe cili "eskpert" me garanton se nuk kanë me shkue huq edhe këto 1 milion euro tjera të tatimeve të mia edhe të qytetarëve tjerë të Kosovës?
Prej asaj që unë po e shoh, askush në Ministrinë tuej, përfshi edhe Juve, Zonja Kusari-Lila, nuk jeni tuj e pasë idenë se çka po bani në lidhje me këtë fushatë. Kujt duhet me i kërkue llogari, kur fjalët e mia dalin të vërteta mbasi të janë shpenzue këto para, e që deri tash për këtë fushë s’ia kam huqë asnjiherë
Përndryshe, unë mundem me i numrue së paku 10 mënyra shumë ma të arsyeshme edhe gjithsesi ma efikase, se ku kish me qenë ma e arsyeshme me i shpenzue 1 milion euro, për me e ndihmue zhvillimin e vendit. Por kjo, në shkrimin tim të ardhshëm.
E mirëpres një përgjegjje të shpejtë.
Me respekt,
Fisnik Ismaili
Sqarim: Për hir të korrektësisë, duhet përmendë se persona nga dikasteri i Zonjës Lila-Kusari më kanë kontaktue nëpërmes një emaili, të premtën, me datë 10 shkurt 2012, duke më kërkue foto të Monumentit NEWBORN, me të drejta autoriale prej fotografit për shfrytëzim, me iu dërgue urgjentisht brenda ditës. Meqë unë isha atë ditë gjithë ditën i angazhuem në homazhin për Mon Balajn edhe Arben Xheladinin, nuk e pata mundësinë me i sigurue të drejtat autoriale prej fotografëve me kohë.
Po të mos ishte ba kjo reklamë për ngutë, ashtu si është ba, ndoshta edhe nuk kish me ndodhë ky gabim, edhepse në internet ka me qinda foto të NEWBORN, si në Flickr, për shembull, ku personat përgjegjës për fushatën kanë pasë mundësi me i gjetë edhe fotot, edhe mei i identifikue fotografët shumë lehtë.


Shto koment