Kontributi nuk mund të shndërrohet në imunitet të atij që e shkel ligjin

07.02.2012 (komentet: 0)

(reagim në vështrimin e z. Rashit Sahitit “Të suspenduar nga puna në kohën e komunizmit, të suspenduar edhe në kohën e demokracisë” të botuar me 4 shkurt 2012, në Portalin e Lajmeve Lokale "2lonline")



Shkruan Ismajl Kurteshi

 Para së gjithash  konstatimi i z. Sahitit “...kaloi ajo kohë, erdhi pushteti i jonë...” pas vetëm dhjetë emrave të përmendur nuk është i saktë.  Para dhe pas këtyre dhjetë mësimdhënësve të suspenduar nga pushteti okupator, janë suspenduar e persekutuar shumë mësimdhënës, nxënës e student. Ky fakt nuk bën të injorohet as në këtë vështrim me plotë pasaktësi  të z. Sahitit.

Një dallim esencial mes suspendimeve të kohës së komunizmit dhe këtyre të demokracisë ekziston. Derisa të parët janë suspenduar kryesisht për motive politike, për secilin të suspenduar në kohën e demokracisë, (gjatë viteve 2008 dhe 2009 në Drejtorin e Arsimit në Gjilan) ekziston arsye e veçantë.

Nga 14 emrat që janë përmendur në  këtë  vështrim, tre drejtor janë të suspenduar, dy për vjedhje ( të konstatuara nga auditori i brendshëm), kurse një për shkelje të rënda të normave morale (të dëshmuar nga policia, zyrtar të DA-së, Spitali Rajonal në Gjilan e dëshmitar të tjerë).

Rastet që kanë përfunduar me suspendim, pas inicimit të çështjes nga Drejtori i Drejtorisë (unë), duke e pas për bazë njoftimin zyrtar nga organet kompetente, kanë kaluar nëpër procedura të rregullta dhe shkeljet ligjore janë vlerësuar nga Komisioni Disiplinor i Komunës. Nëse ju zotëri mendoni se rastet është dashur unë t’i fsheh, këtu nuk mund të pajtohemi.

Sa u përket rasteve tjera, një drejtori i është ndërruar vendi i punës për shkak të tejkalimit të kompetencave. Dy zyrtarëve të DA-së u është ndërruar vendi i punës pas shumë vërejtjeve për mos respektim të orarit të punës  dhe keqpërdorim të pozitës. Të tjerët janë sistemuar sa po ju ka kaluar mandati, me përjashtim të dy rasteve që kanë prit më gjatë. Dy drejtor dhe një zëvendës drejtor dy – tre muaj pa e përfunduar mandatin kanë heq dorë nga pozita e drejtorit për ta zënë vendin e punës  të cilin e kanë synuar. ( këta të fundit i janë falënderua  DA-së për mirëkuptim, sepse siç e dini edhe ju, me ligj pas përfundimit të mandatit nuk ka vend të garantuar të punës).

Në mesin e të apostrofuarve ka drejtor që kanë shkuar në pension e që është dashur t’i dorëzojnë çelësat e shkollës, e këtu nuk po shoh asnjë të keqe (drejtori i Shkollës së Livoçit të Epërm) dhe drejtor  që së paku gjatë kohës sa kamë qenë unë drejtor nuk e kanë pas as një problem (drejtori i Verbicës së Zhegocit).

Unë nuk po e konsideroj të arsyeshme të lëshohem në detale për rastet veç e veç, (edhe pse e kam të faktuar secilin rast) por e di se shumica e atyre,  që sipas  jush u është bërë e padrejtë, nuk ju kanë drejtuar gjykatës e edhe ata që ju kanë drejtuar, nuk kanë fituar gjë, ky fakt megjithatë nuk mund të injorohet.

Gjatë kësaj kohe janë shqiptuar edhe masa tjera si heqja e mëditjeve, orëve të mësimit etj. Të gjitha këto masa janë ndërmarr, vetëm atëherë kur është shkel ligji. Sa do që ndërmarrja e masave administrative nuk është e popullarizuar, është vërtetuar se ka ndikuar pozitivisht në ngritjen e përgjegjësisë në punë.

Por mos të harrojmë se mbi të gjitha në këtë periudhë janë ndarë mirënjohje dhe shpërblime për ata që e kanë merituar, kështu janë stimuluar punëtorët e mirë. Është e vërtet se të gjithë  drejtorët e apostrofuar i kanë takuar LDK-së, si që është e vërtet se të gjithë  drejtorët e atëhershëm të shkollave i kanë takuar  LDK-së.

Është fakt se gjatë viteve 2008 dhe 2009 me kritere profesionale, e jo me pazare politike siç ka ndodh para dhe pas kësaj periudhe, është bërë pranimi i punëtorëve, pranimi i drejtoreve,  ndarja e bursave etj., pavarësisht përkatësisë partiake.  

Edhe ju z. Sahiti e dini që në secilin komision ka pas anëtar të LDK-së, (njëri nga ata keni qen edhe ju) dhe se si drejtor asnjëherë nuk kamë ndërhy në punën e komisioneve.  Madje sa herë që  komisionet kanë pas presion politik kam dalë në mbrojtje të tyre.

Sa i përket përqindjeve  me të cilat jeni shërbyer, vetëm sa keni dëshmuar se në matematik jeni shumë i dobët, nëse nuk e keni pas për qëllim t’i shtrembëroni ato që ju i keni  quajtur fakte.

Në fund besoj që  edhe ju z. Sahiti pajtoheni që veprimet për të cilat janë sanksionuar të lartpërmendurit nuk janë kontribute por e kundërta e saj, si të tilla janë të dëmshme dhe të dënueshme. Prandaj është irracionale dhe vështir të mbrojtja e tyre, qoftë edhe nga bashkë partiakët.  

Besoj që pajtoheni që askush, në emër të kontributeve eventuale, nuk mund të amnistohet kur me vetëdije shkel mbi ligje dhe norma morale.

Besoj që të  gjithë e kuptojmë se më i rëndësishme është ndërtimi i shtetit ligjor dhe mbrojtja e tij për mes ligjit, se sa mbrojtja e bashkë partiakëve edhe atëherë kur ata nuk kanë të drejt. /2lonline/    

Kthehu mbrapa

Shto koment