KONSTANTIN XHEHANI - NJË MËSUES VOSKOPOJAR MË PAK I NJOHUR

07.03.2016 (komentet: 0)

 



Konstantin Xhehani 1740 -1800, filozof, mësues, matematicient dhe poet i shek. XVIII. Nxënës i Teodor Kavaliotit në Akademinë e Re të Voskopojës dhe student i disa universiteteve evropiane. Njohës i mirë u kulturës greko-romake dhe asaj evropiane. Autor i mbi 15 veprave me karakter didaktiko - historik.

 

 

Gëzim Bullaku

Emri i plotë i tij është Konstantin Haxhi Jorgji Xhehani. U lind në Voskopojë në vitin 1740.[1] (Voskopoja asokohe ishte qendër e rëndësishme tregtare, kulturore dhe arsimore në atë pjesë të Ballkanit). Mësimet e para i morri në vendlindje për  ti vazhduar në Akademinë e Re të Voskopojës, ku kishte fatin të ishte student i pedagogut të famshëm voskopojar Teodor Kavalioti. Është ndër shkrimtarët dhe arsimtarët, të cilët kanë bërë studime në Akademia e Re të Voskopojes, ku Kosta figuron i nëntëmbëdhjeti.”[2] Studimet e mëtutjeshme për gjuhë gjermane dhe latine, dy vite, i vazhdoi në Modra të Sllovakisë.[3] Në vitin 1760, Konstantin Haxhi Xhehani shpërngulet në Vjenë.[4] Menjëherë pas vendosjes në Vjenë filloi punën si mësues i gjuhës greke në qytetet Temishvar, Pest (Budapest) dhe në Zemun. Në vitin 1766 përkundër dëshirës së babait të tij, i shtyrë nga dëshira e tij e madhe për të zënë dituri, në këmbë dhe pa para, shkon në qytetin Hallë të Prusisë (Gjermani), ku për rreth tri vite ndoqi ligjërata nga matematika dhe letërsia. Pas kësaj ai udhëtoi për në Akademinë e Getingenit kurse për një kohë jetoi edhe në Paris.[5] Nga kryeqyteti francez ai udhëtoi për në Londër dhe në vitin 1776 e gjejmë si student në Universitetin e Kembrixhit. Prej këtu ai kthehet në Leiden të Holandës ku ndoqi ligjërata në universitetin e atjeshëm. Gjatë qëndrimit në Leiden, nga një profesor i atyshëm, dëgjoi komente negative për popujt e Ballkanit. Këtyre komenteve Xhehani do tu përgjigjet me dy poema, ku në të parën e madhëron Akademinë Lougdounou Vatafon të Leidenit kurse në të dytën e kritikon profesorin për përkthimet e gabuara nga greqishtja. Për tri vite qëndroi edhe në Laipcig dhe pastaj përsëri udhëtoi nëpër vende të ndryshme të Evropës Perëndimore (Amsterdam, Romë, Venedik, etj.) si dhe në Konstantinopojë.[6]  Për një periudhë kohore ai qëndroi edhe në Vllahi të Rumanisë, gjatë së cilës shkroi edhe një poemë satirike. Pas kësaj ai qëndroi për pak kohë edhe në Poloni prej nga në vitin 1786[7] shkon dhe jeton në Leiden të Holandës ku edhe vdes rreth vitit 1800.[8]

Për nga gjerësia e kulturës së tij, ai njihet si mësues dhe shkrimtar me njohuri enciklopedike, si zotërues i shumë gjuhëve, por edhe nga sasia e shkrimeve të botuara dallohet nga të tjerët bashkëkohës të tij. Tek asnjë nga intelektualët e epokës së Xhehanit, nuk gjejmë një numër kaq të madh punimesh historike, didaktike etj, sa ç’ka lënë ky mësues dhe shkrimtar voskopojar. Studiuesi i shquar Ilo Mitkë Qafzezi, Konstantin Haxhi Xhehanin e konsideron si njërin nga më të mëdhenjtë e shekullit të XVIII, i cili ka një jetëshkrim që deri më sot nuk është studiuar sa dhe si duhet. Madje për nga shumësia e shkrimeve dhe publikimeve, Xhehani ia kalon edhe vetë mësuesit të tij Teodor Kavaliotit.[9] Më 1774, historiani dhe albanologu i Universitetit të Halles, Hans Johan Tunman, i cili e ka pas njohur personalisht Konstantin Xhehanin mes tjerash shkruan: “Foti Kostantin Haxhi Xhehani nga Voskopoja më fali një libër të rrallë (është fjala për “Protopirine” fjalorin tre gjuhësh të Teodor Kavaliotit),[10] një burrë me shumë njohuri, veçanërisht në filozofi dhe matematikë, me një mendje të ndritur dhe që do të meritonte një fat më të mirë. Zoti Xhehani, përveç librit më ka dhënë shumë njoftime mbi vllahët dhe shqiptarët, për emrin e tyre, shtrirjen, sasinë e popullsisë, gjuhën etj”.[11]

Në vitin 1769 gjersa ishte ende student, për nevojat shkollore botoi tekstin mësimor në gjuhën greke, me titull: “Doracaku i aritmetikës” (Eng: Manual of arithmetic).[12] Po në këtë vit, shkroi në gjuhën latine dhe greke, edhe traktatin me titull: “Hyrje në gjeometri: Teoria e re e kuadraturës së rrethit” (Eng: Introduction to Geometry: New theory of squaring the circle),  në të cilën ai propozonte zgjidhje të re teorike për problemin e kuadraturës  së rrethit. Kjo vepër u botua tek në vitin 1774.[13]

Në vitin 1772 publikoi veprat: “Poemë kushtuar peshkopit të Temishvarit Vincent Jovanoviq” si dhe veprën tjetër: “Poemë kushtuar Francisko Kollarit”.

Në vitin 1773 botoi veprat: “Poemë kushtuar Konstantin Aleksdandrit” si dhe tjetrën me titull: “Poemë për nder të Perandorit të fuqishëm dhe të pamposhtur romak.”

Në vitin 1776 publikoi në Leiden dy vepra të rëndësishme: “Poemë për nder të Perandoreshës Katerina II”, si dhe “Petro van Bleiswyk - Lugduni Batanorum”.

Në vitin 1777 në Vjenë, botoi veprën: “Poema safike për shkollarin dhe njeriun e ndershëm Skarlato Sturla”.

Janë edhe disa vepra pa datë botimi mes të cilave duhet përmendur: “Epigramë nderi për murgun dhe priftin Antimos” botuar në Vjenë, pastaj “Poema safike për ditëlindjen e Mbretit të Prusisë, Frederiku II”, si dhe “Dy epigrame për zotri Ipsilantin”, botuar në Laipcig.

Nga gjuha gjermane në gjuhën greke përktheu disa vepra mirëpo deri më tani dihet vetëm për njërën prej tyre, “Gramatika e Renit”, kurse nga greqishtja e vjetër në gjuhën gjermane përktheu veprat:”Katekizmi i Platonit”, si dhe “Rregullat e jetës së drejtë dhe të shenjtë”.

Në vitet e 1770-ta duke u bazuar mbi veprën e Marin Barletit, shkroi në gjuhën greke biografinë e Skënderbeut të titulluar “Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skenderbe - Mbret i Shqipërisë” (Istoria Georgiou tou Kastriotou tou eponomasthentos Skentermpe, Vasileos tis Albanias).[14] Kjo vepër do të botohet në Moskë në vitin 1812 mirëpo nën autorësi të Eugjen Vulgarit. Më vonë ky libër u përdor si tekst mësimor nga nxënësit e Gjimnazit “Zosimea” në Janinë. Ka edhe mendime tjera sipas të cilave, vepra në fjalë është vetëm një përkthim, jo i Konstantin Xhehanit por i një përkthyesi tjetër, të një vepre tjetër të një autori francez, kushtuar Skënderbeut, dhe botuar në Amsterdam në vitin 1789.[15]

Atdhedashuria e veçantë e Konstantin Xhehanit del në dritë me veprën kushtuar Gjergj Kastriotit -  Skënderbeut të bazuar mbi veprën e Marin Barletit, ndërsa dashuria e tij për gjuhen shqipe duhet shikuar në kujdesin që ai ka treguar për ribotimin e fjalorit të Teodor Kavaliotit dhe në përpjekjet, që ka bërë që të njihet më mire populli shqiptar dhe gjuha e tij. Në këtë kuptim ne mund të themi, se Konstantin Xhehani ka pjesë në meritat e studimit edhe sot të vlefshëm të Tunmanit, mbi historinë dhe gjuhën e popullit shqiptar. (Siq dihet, deri më sot janë ruajtur vetëm dy ekzemplarë origjinal të veprës “Protopeiria” të Kavaliotit, botimi i vitit 1770 në Venedik, kurse të tjerat kanë humbur, dhe për ruajtjen e njërit ekzemplar duhet ti falënderohemi pikërisht Konstantin Xhehanit).[16] Në këtë pikëpamje, vënia përballë e veprës së Xhehanit ndaj Kavaliotit, do të hidhte më tepër dritë ndaj botimeve për Voskopojën.[17]

 

 



[1] Konstantinos Tzechanis. Wikipedia, The free encyclopedia. Last modified on 17 September 2015. https://en.wikipedia.org/wiki/Konstantinos_Tzechanis 3.03.2016.

[2] Albert Kotini. Ndërtimi i një qytetërimi:Voskopoja në jetëshkrimin e sultanëve të Turqisë. Gazeta Metropol. 3 dhe 4 shtator 2013. Tiranë.

[3]Константинос Дзеханис. Википедия, свободная энциклопедия. Последнее изменение этой страницы 10 января 2016. https://ru.wikipedia.org/wiki/%D0%94%D0%B7%D0%B5%D1%85%D0%B0%D0%BD%D0%B8%D1%81,_%D0%9A%D0%BE%D0%BD%D1%81%D1%82%D0%B0%D0%BD%D1%82%D0%B8%D0%BD%D0%BE%D1%81 03.03.2016.

[4] Erik Amburger, Michał Cieśla, László Sziklay. Wissenschaftspolitik im Mittel- und Osteuropa: Wissenschaftliche Gesellschaften, Akademien und Hochschulen im 18. und beginnenden 19. Jahrhundert. Hobbing. Essen, 1976, fq. 121

[5] Константинос Дзеханис. Википедия, свободная энциклопедия. Последнее изменение этой страницы 10 января 2016. https://ru.wikipedia.org/wiki/%D0%94%D0%B7%D0%B5%D1%85%D0%B0%D0%BD%D0%B8%D1%81,_%D0%9A%D0%BE%D0%BD%D1%81%D1%82%D0%B0%D0%BD%D1%82%D0%B8%D0%BD%D0%BE%D1%81 03.03.2016.

[6] Константинос Дзеханис. Википедия, свободная энциклопедия. Последнее изменение этой страницы 10 января 2016. https://ru.wikipedia.org/wiki/%D0%94%D0%B7%D0%B5%D1%85%D0%B0%D0%BD%D0%B8%D1%81,_%D0%9A%D0%BE%D0%BD%D1%81%D1%82%D0%B0%D0%BD%D1%82%D0%B8%D0%BD%D0%BE%D1%81 03.03.2016

[7] Τζεχάνης Κωνσταντίνος [περ. 1740, Μοσχόπολη Μακεδονίας - περ. 1800, Leyden Ολλανδίας(;)]http://195.134.75.14/hellinomnimon/authors/New%20Bios/Tzexanis.html 3.03.2016

[8] Konstantinos Tzechanis. Wikipedia, The free encyclopedia. Last modified on 17 September 2015. https://en.wikipedia.org/wiki/Konstantinos_Tzechanis 3.03.2016.

[9] Albert Kotini. Ndërtimi i një qytetërimi:Voskopoja në jetëshkrimin e sultanëve të Turqisë. Gazeta Metropol. 3 dhe 4 shtator 2013. Tiranë.

[10] Xhevat Lloshi: Rreth alfabetit të shqipes (Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit). Logos-A, Shkup - Prishtinë - Tiranë, 2008. fq. 279.

[11] Albert Kotini. Ndërtimi i një qytetërimi:Voskopoja në jetëshkrimin e sultanëve të Turqisë. Gazeta Metropol. 3 dhe 4 shtator 2013. Tiranë.

[12] Richard Clogg: Balkan Society in the Age of Greek Independence. Macmillan Press Limited, 1981. fq. 75

[13] Konstantinos Tzechanis. Wikipedia, The free encyclopedia. Last modified on 17 September 2015. https://en.wikipedia.org/wiki/Konstantinos_Tzechanis 3.03.2016.

 

[14] Konstantinos Tzechanis. Wikipedia, The free encyclopedia. Last modified on 17 September 2015. https://en.wikipedia.org/wiki/Konstantinos_Tzechanis 3.03.2016. Shih për këtë edhe shënimin në gjuhën ruse: Константинос Дзеханис. Википедия, свободная энциклопедия. Последнее изменение этой страницы 10 января 2016. https://ru.wikipedia.org/wiki/%D0%94%D0%B7%D0%B5%D1%85%D0%B0%D0%BD%D0%B8%D1%81,_%D0%9A%D0%BE%D0%BD%D1%81%D1%82%D0%B0%D0%BD%D1%82%D0%B8%D0%BD%D0%BE%D1%81 03.03.2016

[15] Shih edhe në: Dhimitër S. Shuteriqi: Shkrimet shqipe në vitet 1332 - 1850. Rilindja, Prishtinë, 1978, fq. 129 - 130.

[16] Eliona Lata: Plasari kthen në Shqipëri një kopje të kryeveprës së humbur të Kavaliotit. www.shekulli.com 11 shtator 2012. http://www.shekulli.com.al/p.php?id=4085 3.03.2016 

[17] Albert Kotini. Ndërtimi i një qytetërimi:Voskopoja në jetëshkrimin e sultanëve të Turqisë. Gazeta Metropol. 3 dhe 4 shtator 2013. Tiranë.

 

Dokumente

 

Faqja e parë e tekstit "Doracaku i aritmetikës" (Gre: Egheiridion arithmitikon-ΕΓΧΕΙΡIΔΙΟΝ ΑΡΙΘΜΗΤΙΚON, Eng: Manual of arithmetics), i Konstantin Xhehanit, botuar në Halle (Saale) afër Leipzigut në Gjermani në vitin 1769.

 

Vepra Konstantin Xhehanit kushtuar “Petro van Bleiswyk” publikuar në vitin 1769

 

 

 

 

Një vepër e Konstantin Xhehanit e publikuar në Kembrixh (Cantabrigiae) në vitin 1776 (MDCCLXXVI)

 

Një vepër tjetër ku shihet nënshkrimi Konstantinos Xhehanis

Kthehu mbrapa

Shto koment