Ekzili në Kil

07.02.2012 (komentet: 0)

Gruaja e ish liderit të Gjermanisë Lindore është përmalluar për vendin e saj. Ajo mund të jetë "e fortë" dhe "sportiste" por si grua e ish udhëheqësit të Gjermanisë Lindore ende e merr malli për vendin e saj. Margot Honecker është përmalluar për malet dhe këpurdhat e egra të Gjermanisë. Ajo është autore e një libri të sapo botuar.

SPIEGEL ONLINEMargot Honecker

Ka diku rreth 20 vjet që Margot Honecker, e veja e ish udhëheqësit të Gjermanisë Lindore, Eric Honecker, jeton në ekzil. Shtëpia e saj është në Santiago, në Kil, shumë larg nga vendi I saj I lindjes në Gjermani për të cilin shtet e merr malli.

84 vjeçarja u takua me  Frank Schuhmann, në Kil, i cili thotë se ish ministresha e arsimit të shtetit komunist është përmalluar për vendin e saj. "Ajo jeton me mendjen e saj në Gjermani" i ka deklaruar ai gazetës ditore Berliner Kurier.

Pyjet dhe këpurdhat janë në mesin e gjërave për të cilat më së shumti e ka marrë malli, ka thënë Schuhmann, duke e përshkruar këtë plakë si një grua "me vetëbesim të madh, të fortë, sportiste dhe tërësisht e kthjellët në aspektin intelektual”.  Në fakt, Margot Honecker, me anë të internetit, vazhdon të jetë e informuar për gjërat aktuale në Gjermani. Ajo hulumton në internet çdo ditë nga ora 5 deri në ora 6 pas dite. Vitin e kaluar, nga një intervistë me nipin e saj, u mor vesh se Margot, çdo mëngjes, e lexon edhe SPIEGEL ONLINE.

Në vjeshtën e viti 2011, ajo ia dorëzoi Schuhmann-it ditarin prej  400 faqeve të burrit të saj që e kishte mbajtur sa ishte i burgosur në burgun Moabit të Berlinit në muajin korrik të vitit 1992.  Autori e kishte kthyer ditarin në libër të cilin e kishte titulluar  "Letzte Aufzeichnungen -- Für Margot," që përkthehet "Shënimet e Fundit -- Për Margot-in" e cila në Gjermani do të botohet me datën 16 shkurt të këtij viti.

Schuhmann ka botuar një libër me 260 faqe në vitin 1994 të quajtur "Moabiter Notizen" (Shënimet e Moabitit) ku përfshihen komentet e Honecker-it në lidhje me zhvillimet politike të kohës sa ishte prapa grilave. Por, libri i fundit do të përfshijë më shumë vrojtime personale të ish udhëheqësit komunist.

Shtriga e Purpurt

Republika e Gjermanisë Lindore është shpërbërë në vitin 1990 kurse Honecker në vitin 1992 është nxjerrë para gjyqit i akuzuar për vrasje dhe akuza tjera që kishin të bëjnë me urdhrat e tija për trupat ushtarake të Gjermanisë Lindore për të vrarë ata që tentonin të iknin matanë kufirit.  Pas 169 ditëve ai u lirua për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore. Pastaj me gruan iku në Kil ku në maj të vitit 1994, moshën 81 vjeçare, vdiq nga kanceri në mushkëri.  Në gusht të këtij viti Honecker, i cili e udhëhoqi Gjermaninë Lindore nga viti 1971 deri më 1989, do të bëhej 100vjeçar.

Në fillim të janarit, SPIEGEL  ka cituar informata nga Shërbimi Sekret Gjerman (BND) të cilat thonë se martesa e Honecker-it ishte e kapluar me konflikte por “mbijetoi” vetëm për shkak të arsyeve politike.

E njohur në Gjermani si "shtriga e purpurt" për shkak të stilit të saj të ashpër të udhëheqjes dhe ngjyrës së kaltër të flokëve, Margot Honecker, shërbeu si ministre e arsimit në Gjermani Lindore nga viti 1963 dhe deri në vjeshtë të vitit 1989. Ajo ka qenë dogmatike kurse disa mendojnë se ajo, madje, në mënyrë sekrete, e ka udhëhequr vendin komunist. Ajo është akuzuar se është përgjegjëse edhe për adaptimin e dhunshëm të fëmijëve të disidentëve politik. 

Kthehu mbrapa

Shto koment