Edhe çka duhet të ndodhë?
09.02.2012 (komentet: 0)
Behxhet Haliti
Bëhet fjalë për jetë!
Për mbijetesë!...
Sepse është gjendje e jashtëzakonshme kjo!
E, në gjendje të jashtëzakonshme, duhet edhe të sillemi në mënyrë të jashtëzakonshme!
Prandaj kërkohet mobilizim!
Edhe çka tjetër duhet të ndodhë në Kosovë për të ndodhur mobilizimi? Për të ndodhur gjendja e jashtëzakonshme!
Atyre që duhet të vendosin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në nivel të Kosovës (sepse në disa komuna kanë vendosur vetë kryetarët e komunave) nuk ua çeli sytë as ministri i Arsimit, Ramë Buja, i cili, i pari në këtë Kosovë, në nivel qendror, u soll në mënyrë të jashtëzakonshme! Ashtu si e deshi momenti: ndërpreu mësimin parauniversitar!
Nuk ua çeli sytë as prognoza meteorologjike që mund ta shohin sapo të lidhen me internet!
Nuk ua çeli sytë as shembulli i shteteve të rajonit!...
Lexoni këta tituj të djeshëm të agjencive të lajmeve: “Ribllokim rrugësh në Kosovë, acar deri minus 22 gradë”, “Probleme me rrymë e me ngrohje”, “QKUK-ja ndërpret ndërhyrjet kirurgjike”, “Shtyhen provimet në Universitetin e Prishtinës”, “E enjtja e akullt, mund të bllokojë gjithçka”, “Bora bllokon fshatrat e Vushtrrisë në rajonin e Shalës”, “Gjendje e vështirë në komunën e Rahovecit”, “Gjendje e jashtëzakonshme nga bora në rajonin e Ferizajt”, “Podujeva shpall gjendje të jashtëzakonshme”, “Termokos mbetet pa mazut, qytetarët e Prishtinës mbeten në të ftohtë”...
Nuk ka nevojë të numërohet më tepër! As të tregohet se sa fshatra të Kosovës janë të bllokuara, as sa njerëz në këtë Kosovën e varfër kanë 1 kilogram miell në shtëpi... Për të tjerat nuk po flasim...
Neni 84 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që flet për kompetencat e Presidentit të Republikës, në pikën 22, thotë se Presidenti “vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin”.
Unë ju garantoj se deri më sot, jo që janë konsultuar për këtë punë njëri me tjetrin, Presidentja me Kryeministrin, por as që u ka shkuar mendja për këtë!
Të mos i frikësohen lopatave! Kush nuk po thotë që edhe ata të kapin lopatat, por të ndërmarrin masa që ka shteti në dorë për kapërcimin e kësaj gjendjeje.
E, çka është gjendja e jashtëzakonshme, prapë sipas shpjegimit kushtetues?
Neni 131, pika 3, thotë se Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme kur ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
A e ka prekur kjo fatkeqësi natyrore tërë territorin e Republikës së Kosovës?
Po!
E, çka po pritet pra?
Përgjigjen më së miri e di Presidentja që duhet të konsultohet me Kryeministrin!
Ata të dy i dinë edhe modalitetet e gjendjes së jashtëzakonshme: kush, çka, kur, ku?
Dekreti i Presidentes pastaj përcakton natyrën e gjendjes së jashtëzakonshme...
Kujtoj se edhe në këso situata mund të dëshmojmë se dimë dhe mund të mbajmë shtet!
Fatkeqësisht, sot nuk po e dëshmojmë këtë!


Shto koment