DR. XHELAL MITROVICA – NJË NDËR GAZETARËT MË TË SHQUAR, INTELEKTUAL DHE ATDHETAR I DALLUAR I KOMBIT SHQIPTAR

08.01.2016 (komentet: 0)

 
100-vjetori i lindjes së Xhelal Mitrovicës
DR. XHELAL MITROVICA – NJË NDËR GAZETARËT MË TË SHQUAR, INTELEKTUAL DHE ATDHETAR I DALLUAR I KOMBIT SHQIPTAR
 

 
- Hyrje
 
Në janar të vitit 2016 mbushen plot 100 vjet nga lindja e patriotit të shkëlqyer të kombit shqiptar, Dr. Xhelal Dervish Mitrovica, i cili punoi e luftoi tërë jetën për një Shqipërie të lirë, të bashkuar si komb në Evropën demokratike. Ishte orator e poliglot që mahniste me dijet dhe kulturën. Ka qenë sekretar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” themeluar në gusht të vitit 1941 në Mitrovicë, nëpunës i përgjithshëm me shërbim në Prizren (korrik 1941), drejtor i Radio Prishtinës dhe mësimdhënës në Gjimnazin, përkatësisht në Normalen “Sami Frashëri” në Prishtinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesëmarrës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (shtator 1943), sekretar i Komitetit (KEP) i zgjedhur në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 6 tetor 1943, deputet i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë (18 korrik – 28 gusht 1944) në qeverinë e Fiqri Dinës, njëri ndër gazetarët më të sprovuar e më të mirë të kohës, bashkëpunëtor në të përkohshmet “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë”, drejtues i gazetave “Vatra Shqiptare” dhe “Buletini i Lidhjes së Shqiptarëve” në Australi etj.
Në historinë kombëtare shqiptare janë të njohura disa personalitete të shquara nga Mitrovica që mbajnë mbiemrin e këtij qyteti, si: Dervish Mitrovica, major, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës (1912), qarkkomandant i xhandarmërisë në Shkodër në Qeverinë e Fan Nolit (1924); Rexhep Mitrovica, firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë, ministër i Arsimit e kryeministër i Shqipërisë; Xhelal Mitrovica, sekretar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” (1941), drejtor i Radio Prishtinës (1941), mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri në Prishtinë, përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë (1943-44). gazetar i spikatur; Shejh Muharrem Mitrovica, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare e fetare, pjesëtar i tarikatit Sa’adi, kryetar i Organizatës “Drita”, bashkëpunëtor i revistës “Njeriu”; Muharrem Mitrovica, nënprefekt i Mitrovicës, patriot i dalluar, i burgosur në Pejë në Kullën e Sheremetit, i vrarë në mënyrë mizore më 11 gusht 1946 dhe i varrosur në vendin e quajtur “Gropat e zeza”; Kimete Mitrovica, vajza e Dervish Mitrovicës, e cila jeton në Bruksel, veprimtare e dalluar bashkë me të shoqin Idriz Basha, bashkëpunëtore e rregullt e gazetës “Koha e jonë” që u botua gjatë periudhës 1962-1992; Rexhep Mitrovica - i Riu (1959), sot njëri ndër artistët me famë botërore, aktor në Teatrin e Komedisë në Paris, etj. Kësaj radhe po veçojmë Dr. Xhelal Mitrovicën, në 100-vjetorin e lindjes së tij.
 
Xhelal Mitrovica u lind në janar të vitit 1916 në Mitrovicë në një familje bujare e atdhetare me prejardhje nga Pazari i Ri (Jeni Pazari). I ati i tij, Dervish Mitrovica, oficer i shkolluar, arsimdashës i flaktë, politikan, patriot i kulluar, bashkëluftëtar dhe bashkëmendimtar i Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit, Azem e Shotë Galicës, kundërshtar i i rreptë e luftëtar i pakompromis i politikës serbe, ishte i lindur në Pazarin e Ri, por që nga mosha e re e kishte lidhur jetën me qytetin buzë Ibrit (Angrit të lashtë). Duke qenë se jetonte në Mitrovicë dhe ishte i lidhur me tërë qenien e tij me këtë mjedis që e donte dhe e adhuronte shumë, e mori për mbiemër emrin e qyteti Mitrovica.
“Dr. Xhelal Mitrovica, thekson Zef Pashko Deda në shkrimin nekrologjik për të të botuar në vitin 1974, në jetën e tij u ba simbol dhe shprehje ma e gjallë e dinamike e mija të rijve kosovarë, të cilët, si të rij idealista nuk dëshirojshin ma shumë se të mundeshin me folë e me shkrue si foli e shkroi ai gjatë gjithë jetës së tij, për të drejtat etnike, politike e kombëtare, gjithkah flitet gjuha shqipe. Çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i saj me nanën Shqipni qenë për Xhelal Mitrovicën si dy faqet e nji flamuri, të cilin ai kurrë nuk e hoqi nga zemra derisa vdiq më 10 nëntor 1974”.
 
- I ati i tij, Dervish Mitrovica, ishte pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912)
 
Dervish Mitrovica, me gradë ushtarake major, ishte njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar Isa Boletini, prandaj, si shumë të tjerë, e shoqëroi atë deri në Vlorë, për të marrë pjesë në Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ditën e parë në Kuvendin e Vlorës, i cili u hap më 28 Nëntor 1912, morën pjesë vetëm këta delegatë nga Kosova: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mit’hat Frashëri dhe Salih Gjuka, kurse të nesërmen mbërritën edhe rreth 400 kosovarë të tjerë të prirë nga Isa Boletini, në mesin e të cilëve vlen të përmendim këto personalitete nga Mitrovica, Shala e Bajgorës, Llapi, Drenica, Podguri etj., si: Dervish Mitrovica, Mehmet Pashë Deralla, Hajdin Draga, Tafil Boletini, Hasan Hysen Budakova, Zenel Begolli, Halim Musë Bajgora, Riza Beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hys Ferati i familjes së Ahmet Delisë me vendbanim në Mitrovicë, Ahmet Ali Llapi, Shaban Kopriva, Halit e Hamit Ahmeti, vëllezër nga Syrigona, Bislim Radisheva, Avdullah Gradica, Deli Lisica, Din Uka nga Zhabari i Epërm, Beshir Çabra, Lec Gradica, Rexhep Boletini, Halim Gradica (vëllai i Lecit), Hazir Radisheva, Isuf Hajrizi, Isuf Bardhoshi, Azem Lah Hajrizi, Shefqet Draga, Nurë Hajrizi nga Kotorri, Misin Bala nga Isniqi, Sak e Sadri Fazlija, Can Selmani, Halil Isa Boletini, Mujë Isa Boletini e shumë të tjerë. Të vetmit këta delegatë nga Kosova ishin me mandat të rregullt sepse i kishin zgjedhur populli i kësaj krahine. Edhe disa delegatë tjerë, si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Sait Hoxha, Idriz Seferi etj., nuk patën mundësi që të marrin pjesë në Kuvendin e Vlorës për shkak se forcat serbe i kishin zënë në Shkup dhe i kishin burgosur në kështjellën e Kalemegdanit në Beograd. Kështu, në mesin e atyre që hodhën firmat e tyre në aktin e Pavarësisë ishin edhe Bedri Pejani, Mit’hat Frashëri nga Frashëri, delegat i Kosovës, Rexhep Mitrovica dhe Sali Gjuka. Pjesëmarrja e këtyre atdhetarëve të shquar në ngritjen e flamurit dhe në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, ishte një ngushëllim i vogël pas gjithë atij helmi të madh që u derdh në zemrat e tyre me pushtimin e Kosovës nga ushtria serbe.
Pas Shpalljes së Pavarësisë Dervish Mitrovica u kthye në Mitrovicën e robëruar dhe vazhdoi të merret me tregti. Ai e ngriti zërin kundër politikës serbe, kundër dhunës e terrorit që ushtronte pushteti serb mbi shqiptarët për t’i detyruar që të shpërngulen nga vatrat e tyre stërgjyshore. Kundërshtoi edhe hapjen e shkollave serbe si dhe programet e tyre që përshkoheshin nga fryma e nacionalizmit serbomadh. Hapur u sugjeronte shqiptarëve që të kërkojnë shkolla në gjuhën amtare, i këshillonte që t’i bojkotojnë shkollat serbe, të cilat, si thoshte ai, kontribuojnë më shumë në shkombëtarizim sesa që ofrojnë edukatë dhe njohuri të mirëfilltë. Përpjekjet e tij për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe edhe pse nuk dhanë asnjë rezultat, artikulonin vullnetin e popullit të tij për ta kultivuar gjuhën dhe kulturën kombëtare. Ai shprehej hapur se shkollimi fillor në gjuhën serbe për shqiptarët ishte formalisht i detyrueshëm, ndërsa qëllimi i parë dhe i fundit i pushtetit serb ishte shpërngulja e shqiptarëve, pastrimi etnik i Kosovës dhe kolonizimi i saj me serbë e malazezë.
 
Në korrik të vitit 1914, filloi Lufta e Parë Botërore. Planet për shfarosjen e shqiptarëve dhe pastrimin etnik të Kosovës i pezulloi për një kohë ushtria austro-hungareze, e cila më 24 nëntor 1915, pushtoi këto vise, duke krijuar kështu një realitet të ri. Mitrovica me rrethinën e saj, bashkë me Vushtrrinë, Skenderajn, Pejën, Istogun, Gjakovën etj. i takonin zonës së okupuar Austro-Hungareze deri në tetor të vitit 1918, kur përfundoi Lufta e Parë Botërore. Mitrovica është një nga rrethet që në periudhën e sundimit Austro-Hungarez (1915-1918), e para formoi administratën, organizoi gjyqet dhe hapi shkollat në gjuhën shqipe. Gjatë periudhës së LPB (1915-1918) Dervish Mitrovica ishte emëruar kryetar i shtatë komunave që aso kohe kishte rrethi i Mitrovicës. Ai, duke e njohur mirë mikun e tij, Tafil Boletinin nga dera patriotike e Isa Boletinit, njeri i shkolluar e pjesëmarrës në aktin e Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, insistoi që të zgjidhet nënkryetar i rrethit. Të dy bashkëpunuan ngushtë deri në tetor të vitit 1918, kur forcat franceze e serbe e ripushtuan Kosovën. Gjatë kohës sa ishte prefekt, forcat serbe vazhdimisht sulmonin kufirin verior të Kosovës me qëllim që ta rrëzojnë administratën shqiptare, të destabilizojnë vendin dhe të rrezikojë popullatën e fshatrave përgjatë kufirit. Për këtë arsye ai shtroi nevojën e organizimit të forcave të armatosura mbrojtëse. Kontributi i Dervish Mitrovicës dhe Tafil Boleinit në këtë drejtim ka qenë mjaft i madh. Ata njihnin hallet dhe i kuptonin shqetësimet e popullit, prandaj i qëndronin gjithnjë pranë. Së bashku me Hasan Prishtinën, Rexhep Mitrovicën, Nexhip e Ferat Dragën u angazhua me tërë qenien për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Kështu, shqiptarët e zonës perëndimore, nën pushtimin e Austro-Hungarisë, të cilët udhëheqeshin nga personalitete të shquara si: Hasan Prishtina, Dervish Mitrovica, Tafil Boletini, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Ibrahim Deva e të tjerë, shfrytëzuan të drejtën për hapjen e shkollave në gjuhën amtare, për organizimin e administratës, kultivimin e kulturës së tyre etj. Për herë të parë u lejua hapja e shkollave në gjuhën amtare, përdorimi i flamurit, organizimi i administratës në gjuhën shqipe, ndërsa u ndërpre dhuna e terrori serb, vrasjet, shpërnguljet e mobilizimi me dhunë. Ndihmesë të madhe në këtë drejtim dhanë mësuesit shqiptarë të përgatitur në Shkollën Normale të Elbasanit. Gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore në Mitrovicë dhe në disa fshatra përreth janë hapur disa shkolla në gjuhën shqipe. Organizata Arsimore “Bashkimi”, të cilën e kishin themeluar Hasan Prishtina e Nexhip Draga, në vitin 1916, bëri një punë të madhe e të lavdërueshme në hapjen e disa shkollave shqipe katërklasëshe, si: në Mitrovicë, në Zhabar, në Broboniq, në Koshtovë, në Kçiq dhe në Vllahi. Hapja e këtyre shkollave bëhej në mënyrë solemne. Në fjalimet e patriotëve, si Hasan Prishtina, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica, Nexhip Draga etj., theksohej nevoja e hapjes së sa më shumë shkollave në gjuhën shqipe. Sipas tyre, vetëm arsimimi i popullit do të sjellë zgjim kombëtar dhe do të forcojë frontin e çlirimit kundër pushtuesve. Shkollat shqipe që u hapën në këtë kohë, kanë qenë thellësisht popullore, sepse ishin të lidhura ngushtë me fatin e popullit. Këtë e dëshmon edhe intelektuali i shquar nga ky mjedis, Rexhep Mitrovica, në një letër që i dërgon Mit’hat Frashërit në fund të Luftës së Parë Botërore . Ato zunë vend nderi në luftën e madhe që bënte populli ynë për çlirim kombëtar dhe për arsimimin në frymën kombëtare.
Në vitin 1917 u mbajt Kongresi i Arsimtarëve të Kosovës për zgjerimin e shkollave shqipe. Më pas u formua edhe Lidhja Kulturore e Mësuesve Kosovarë, e cila u bashkua me Shoqatën Kulturore e arsimore “Besa Kombëtare” me qendër në Gjakovë. Po në këtë vit u hapën dy kurse për mësues në Mitrovicë dhe në Pejë.
 
Një foto e rrallë, e cila është bërë në Mitrovicë në vitin 1915 me rastin e hapjes së shkollës shqipe e ku shihen nxënësit shqiptarë dhe oficerët austriakë së bashku me parinë e qytetit
Në shkollën shqipe në Mitrovicë, e cila u hap në vitin 1916, jepnin mësim: Tefik Efendi Ismajli nga Prizreni, i lindur më 1895, Hysen Efendi Hyseini i lindur më 1893 në Prishtinë, drejtor shkolle, Sadullah Hasani (1888), hoxhë nga Mitrovica, si dhe tre-katër oficerë nga Dalmacia (Zara), të cilët dinin gjuhën shqipe. Në një raport të Komandës së rrethit të datës 22.IX.1916, jepen emrat e mësuesve të qendrës shkollore Schulort në Mitrovicë. Në raportin mujor të referentit të shkollës, Nikolaus Popoviq, jepen emrat e këtyre mësuesve: Josef Meszaros, Luka Iliasheviq, Viktor Penza, arsimtar i gjermanishtes, Paul Nopen, Hysen Hyseini, drejtor, Viktor Kasuto, Gani Ibrahimi, Sadullah Hasani dhe Shefqet Haliti, mësues i muzikës . Hapja e shkollave katërklasëshe në Mitrovicë, Koshtovë, Zhabar, Vllahi, Kçiç, Broboniq etj. ka qenë me rëndësi të posaçme historike, sepse për herë të parë fëmijët shqiptarë e mësonin alfabetin e gjuhës shqipe. Periudha prej vitit 1915-1918 shkolla në gjuhën shqipe dha personalitete të rëndësishme arsimore, si: Shaban Idrizin, Jusuf Rexhën, Hajrullah Haxhiun etj.
Dervish Mitrovica dhe Tafil Boletini morën pjesë në Këshillin për pajtimin e gjaqeve, duke kontribuar kështu në shërimin e kësaj plage të rëndë. Falë angazhimit të tyre, popullata e këtij mjedisi e kaloi më lehtë situatën e Luftës së Parë Botërore. Ata shpesh ranë në kundërshtim me autoritetet austriake që bënin konfiskimin e gjësë së gjallë, nuk u pajtuan asnjëherë me mënyrën e rekrutimit të të rinjve shqiptarë, të cilët dërgoheshin në fronte të ndryshme, si në frontin e Kaukazit në luftën ruso-turke etj., ku bëheshin mish për top për interesat e huaja
Pas ripushtimit të Kosovës, Dervish Mitrovica dhe disa atdhetarë tjerë u detyruan të emigrojnë në Shqipëri e gjetiu. Dervish Mitrovica qëndroi në Shkodër e në Tiranë deri në fund të vitit 1924. Atje ra në kontakt me atdhetarë të shquar, si: Hoxhë Kadri Prishtina, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Niman Ferizi, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica, Mustafa Maksuti etj., duke u bërë një ndër anëtarët më të devotshëm të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918). Ai në këtë kohë pati një afri e miqësi të ngushtë me shkrimtarin e publicistin italian, Antonio Baldacin (1867-1950), i cili në vitin 1933 ka shkruar librin “Studi Speciali Albanesi”. Duke qenë se në kohën e Perandorisë Osmane kishte kryer shkollën për oficer dhe ishte përgatitur si ushtarak, D. Mitrovica shërbeu si qarkkomandant i xhandarmërisë shqiptare në Shkodër. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1922, ai ishte zgjedhur deputet i Prefekturës së Kosovës në Parlamentin shqiptar bashkë me Niman Ferizin, Hoxhë Kadri Prishtinën, dr. Fahri Gjilanin dhe Avni Rrustemin. Mbante një miqësi të madhe me Mustafa krujën, i cili në qeverinë e Nolit ishte zgjedhur prefekt i Shkodrës.
 
Dervish Mitrovica me djemtë e tij, Muharremin dhe Xhelalin
Në fillim të vitit 1925, , pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, Dervish Mitrovica së bashku me atdhetarë të shquar, si: Luigj Gurakuqin, Shuk Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Xhemal Bushatin, Mustafa Krujën, Angjelin Sumën, Mustafa Maksutin, major i ushtrisë shqiptare, etj., morën rrugën e emigracionit. Kështu, me një vapor italian zbritën në Brindisi të Italisë, për t’u vendosur pastaj në Bari, ku formuan një Komitet, i cili, sipas tyre, ka për qëllim që të mbrojë në rend të parë të drejtat e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë, që po rrezikoheshin nga fqinjët dhe nga disa shqiptarë të papërgjegjshëm. Në një mbledhje që u mbajt në hotelin “Internacional” e ku fjalën kryesore e pati Fan Noli, ishin të pranishëm edhe Sejfi Vllamasi, Qazim Koculi, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Dervish Mitrovica e shumë të tjerë. Më 2 mars 1925, Dervish Mitrovica mori pjesë në varrimin e Luigj Gurakuqit, i cili u vra nga dora tradhtare në Bari t’Italisë. Bashkë me Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, si: me studentët e Shën´Mitër Koronës, mikun i tij Kel Marubin, vëllezërit Kondi, Angjelin Sumën, Gjergj Gurakuqin (vëllanë e Luigjit), Nush Bushatin, familjen e Bajram Currit, argjipeshkvin Mjeda, studentët shqiptarë në Romë, shqiptarët e Borgo – Erizzos, familjen Guraziu, Mustafa Krujën, Konstandin Kottjen, Filip Boriçin, familjen Kamsi, Lazër Fundon, vëllezërit Dani, Cin Shirokën etj., vunë kurora lulesh mbi varrin e patriotit, demokratit e poetit Luigj Gurakuqi. Fjalën e fundit mbi varrin e Luigjit e mbajti Hasan Prishtina, mik i ngushtë i Dervish Mitrovicës dhe Luigj Gurakuqit .
Në mesin e vitit 1925, Dervish Mitrovica kaloi në Zarë, qytet i njohur në Dalmaci për tradita arbëreshe, ku vepronte një komitet revolucionar i shqiptarëve të ikur nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Një rol shumë të rëndësishëm atje kanë luajtur: Hysni Curri, Hasan Prishtina, Niman Ferizi dhe Dervish Mitrovica. Këtu jetonte e vepronte edhe intelektuali i shquar Mustafa Merlika – Kruja, i cili në një vend ishte shprehur kështu: “Jemi nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa farë mundsije me e çue kryet ma përpjetë”. I biri i Dervish Mitrovicës, Xhelali, i cili po mbaronte gjimnazin me rezultate të larta, e admironte shumë intelektualin e shquar, Mustafa Merlikën, që asaj kohe merrej intensivisht edhe me çështje gjuhësie, ishte duke përgatitur veprën monumentale të tij "Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe" me rreth 30.000 fjalë.
Ai, ndonëse shumë më i ri në moshë gjendej shpesh në shoqërinë jo vetëm me të, por edhe me atdhetarë tjerë të shquar që jetonin e vepronin në Zarë, si: Hysni Curri, Hasan Prishtina, Niman Ferizi, Mustafa Kruja etj., të cilët ishin miq të ngushtë të babait të tij. Duke filluar nga vjeshta e vitit 1925 e deri në pranverë të vitit 1926, Hasan Prishtina me të shoqen, Igballen, si dhe anëtarët e përfaqësuesit e Komitetit revolucionar: Dervish Mitrovicën, Hysni Currin etj., zhvilluan një aktivitet të dendur patriotik e politik në Zarë. Edhe prej andej, me protesta e shkrime të ndryshme, me peticione e memorandume njoftonin vazhdimisht Lidhjen e Kombeve dhe sekretarin e përgjithshëm të saj, E. Dramond, për gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve në Kosovë.
Dervish Mitrovica vdiq më 24 shkurt 1935, në Zarë , duke lënë pas vetes katër fëmijë: dy djem (Xhelalin e Muharremin) dhe dy vajza (Kimeten e Myrveten). Kimete Mitrovica – Basha, vajza më e vogël e Dervish Mitrovicës, e cila jeton në Bruksel, në intervistën dhënë gazetës “The Jurnal” të Brukselit, deklaron se i ati i saj ka vdekur në Gjenevë të Zvicrës në vitin 1935. Ajo, midis tjerash, thotë: “Dervish Mitrovica ishte një burrë shteti i respektuar, i cili i shërbeu Kosovës e Shqipërisë që nga koha e paraluftës e deri në vdekje në ekzil – Gjenevë, 1935”). U varros në Shkodër, sipas amanetit që kishte lënë. Për të shkroi gjerësisht në artikullin “Nji tjetër dëshmuer: Dervish Mitrovica” miku i tij i ngushtë, Mustafa Kruja, i cili aso kohe u ndodh në Konstancë. Vdekjen e tij e kishte qarë me lot syri e zemre, duke e konsideruar si humbje për popullin shqiptar, edhe mësuesi i devotshëm, Niman Ferizi (1883) nga Gjakova, i cili u vra nga dora e zezë antikombëtare në Zarë të Dalmacisë më 6 korrik 1937.
 
 
- Fëmijëria, rinia, shkollimi dhe aktiviteti patriotik i Xhelal Mitrovicës
 
Xhelal Mitrovica, i cili u shqua më shumë dhe u bë i njohur sidomos në fushën e publicistikës, u lind në janar të vitit 1916 në Mitrovicë në një familje bujare e me tradita patriotike. Pa mbushur moshën trevjeçare prindërit e tij migruan në Shqipëri (Shkodër). Aty kaloi fëmijërinë e hershme, ku i vijoi mësimet në shkollën Severiane në Shkodër. Në fillim të vitit 1925, disa muaj qëndroi me familjen e tij në Itali, për të kaluar pastaj në Zarë (Dalmaci të Kroacisë), ku përfundoi filloren dhe Gjimnazin. Ishte njëri ndër nxënësit më të zgjuar e më të talentuar. I etshëm për dije dhe me qëllim që t’i thellojë e zgjerojë njohuritë, në mesin e viteve ’30 shkoi në Itali, ku studioi për drejtësi në Universitetin e Bolonjës. Mori edhe gradën shkencore “Doktor i shkencave juridike”. U kthye në Shqipëri me diplomën për drejtësi, por siç do të shohim më vonë, ai asnjëherë nuk do ta ushtrojë profesionin e tij të juristit. Përkundrazi, tërë jetën u mor me gazetari. Bashkëpunoi me dhjetëra gazeta të kohës dhe u shqua si njëri ndër publicistët më të talentuar. Bëri emër sidomos në gazetat “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë” etj.
Në mesin e prillit të vitit 1941, kur Gjermania naziste pushtoi Jugosllavinë dhe Mbretëria Jugosllave kapitulloi, Dr. Xhelal Mitrovica u kthye në vendlindjen e tij, në Mitrovicë së bashku me disa patriotë, si: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Bedri Gjinaj, Tafil Boletini etj. Nën ndikimin e Ernest Koliqit, në Mitrovicë erdhën edhe intelektualë e mësues të dëshmuar nga Shqipëria, si: Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, Kudret Kokoshi, Ago Agaj, Gjon Logoreci, Shefqet Shkupi, Ymer Lutfiu, një patriot nga Shkodra, Kadri Vasili nga Borshi, Nexhip Deva e të tjerë, të cilët vunë bazat e administratës shqiptare duke u bërë kështu krah i fortë i Xhafer Devës dhe popullatës në Prefekturën e Mitrovicës dhe në nënprefekturat e saj, atë të Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri, që tashmë kishin hyrë në kuadër të zonës pushtuese gjermane.
 
Duke pasur përkrahjen e komandantit të qarkut dhe oficerëve gjermanë si dhe miratimin e mbështetjen e Komitetit, në Mitrovicë u bënë këto emërtime të reja: Ago Agaj, prefekt, Kadri Vasili, sekretar, Shefqet Shkupi, kryetar gjyqi, Kudret Kokoshi, prokuror, Pajazit Boletini, komandant i xhandarmërisë etj.
 
- Kthimi i Xhelal Mitrovicës në vendlindje dhe emërimi i tij sekretar i Lidhjes Popullore Shqiptare
 
Dr. Xhelal Mitrovica, së bashku me disa intelektualë tjerë, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Tafil Boletini, Ymer Lutfiu, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Ferat Draga, Vehbi Frashëri, Ali Draga, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa e të tjerë, u angazhua me tërë qenien për organizimin e pushtetit lokal e administratën, për hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri). Ishte shumë dinamik, prandaj përcillte dhe ndihmonte çdo aktivitet me karakter politik, kulturor, arsimor etj.
 
Shpallja e Statusit të Mitrovicës, duke folur Bedri Pejani (Hotel “Jadran”), 25 maj 1941
Kështu, lidhur me një tubim madhështor të mbajtur më 25 maj 1941, në sheshin “Skënderbeg” (midis dy luftërave botërore serbët e kishin pagëzuar sheshi “Car Llazar”) dhe fjalën e zjarrtë e përmbajtësore të Bedri Pejanit, gazetari mitrovicas Dr. Xhelal Mitrovica në artikullin “Mitrovica, Jeni Pazari, Vuçiterni, Prishtina dhe Ferizoviqi shprehin nxehtësisht vullnetin e tyne me u bashkue me Shqipnin” që u botua në gazetën “Kosova”, midis tjerash, shkruan: “Në manifestimin e Mitrovicës, që pat nji karakter totalitar të të gjitha qyteteve që presin ende arritjen e trupave italo-shqiptare, muerën pjesë përfaqësuesat e Mitrovicës, Jeni Pazarit, Senicës, Vuçitërnit, Prishtinës dhe Ferizoviqit që u bashkuen të gjithë në këtë qytet aq të lakmuem nga serbët e pangishëm, për t’i tregue botës mbarë se Shqipnija asht nji e vetme dhe e pandarëshme dhe se asnjë shqiptar nuk do të mbetet përjashta... Ndërkaq në ballkonin e Pallatit të Bashkisë, i lajmëruem prej Kryetarit, dukej veterani gjithnji i ri, Z. Bedri Pejani, i shoqnuem nga pjesëtarë tjerë kryesorë të Komitetit Kombëtar të Kosovës. Ai, mbasi falënderoi popullin e Mitrovicës dhe përfaqësuesat e të gjitha qyteteve të mbledhun aty, filloi t’i shpjegojë popullit nevojën themelore dhe, prandaj të domosdoshme për bashkim dhe me përba nji bllok të vetëm t’aftë me plotësue të gjitha aspiratat shqiptare të shejta, tue kërkue njëherë besim të plotë në Prisat e Mëdhaj të boshtit dhe me Qeverinë e Tiranës”.
Artikull i Dr. Xhelal Mitrovicës në gazetën “Kosova”, qershor, 1941
Dr. Xhelal Mitrovica përmes shtypit të kohës dhe Radio Prishtinës, të cilën e udhëhiqte, pra ishte drejtor i saj, lartësonte sakrificat e popullit të Kosovës “për lirinë e vet në integritetin tokësor të Shqipnisë”, ka qarë hallin e Kosovës dhe “ka kërkue pa u ndalë bashkimin me Shqipninë nanë të të gjitha viseve të Kosovës, pra të Mitrovicës, të Dibrës, Pazarit të Ri, Strugës, Sjenicës, Vushtrrisë, Peshterit, Prishtinës, Ferizajt, Rozhajës etj”.
 
- Raporti i Xhelal Mitrovicës mbi situatën në trekëndëshin Mitrovicë – Pazar i Ri – Vuçiternë (1941
 
Në korrik të vitit 1941 Dr. Xhelal Mitrovica ishte emëruar nëpunës i përgjithshëm me shërbim në Prizren. Ai më 4 korrik 1941 i dërgon një raport të shkruar në gjuhën italiane drejtorit të përgjithshëm Dot. Lo Ruso Atioma, i cili ia përcjell Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Mbretit e Perandorit. Në letrën shoqëruese Xh. Mitrovica sqaron se ky raport real i hartuar me ndihmën e parisë së Mitrovicës flet mbi situatën në trekëndëshin Mitrovicë -Novi Pazar – Vuçitërnë. Në të theksohet veçanërisht vullneti i popullit të kësaj treve për t’u bashkuar me Shqipërinë, duke treguar edhe arsye të tjera, pra faktorët që i lidhin, si ai ekonomik, kulturor, politik, ideologjik etj. Xh. Mitrovica, midis tjerash, shkruan (italisht): “Nga të dhënat që më kanë sjellë nga Mitrovica dhe nga raportet që më kanë dërguar paria e qytetit tim të lindjes, marr guximin për t’ju hartuar një shënim të shkurtër mbi situatën që është krijuar në këtë trekëndësh shqiptar të lidhur akoma administrativisht me Serbinë. Pas lajmit se ky trekëndësh mund të ngelej nën administrimin e Serbisë, përfaqësuesit më të rëndësishëm të qyteteve: Mitrovicës, Novi Pazarit, Senicës dhe Vuçitërnit shkuan në Beograd, ku kërkuan të dorëzojnë një peticion të drejtuar qeverisë së Rajhut që të përfshiheshin në Shqipëri. Komanda duke marrë shënim këtë vullnet, e siguroi që kjo çështje do të jetë lëndë studimi nga ana e autoriteteve kompetente gjermane... Trekëndëshi shqiptar pret që Qeveria e Tiranës të dërgojë disa funksionarë shqiptarë me qëllim që të përballojnë instalimin e funksionarëve serbë”. Pasi shkruan për situatën demografike në rajonin e Mitrovicës, Novi Pazarit dhe të Vushtrrisë, Dr. Xhelal Mitrovica shkruan si vijon:“Shqiptarët jetojnë në rajonin e Mitrovicës, pra në zemrën e trekëndëshit Mitrovicë, Vuçitërnë, Peshter dhe në rrethinat e Novi Pazarit. Shqiptarët sllavofonë jetojnë në qytetet e Novi Pazarit, Senicës dhe në rrethinat e Rozhajës. Boshnjakët janë të shpërndarë dhe në tërësinë e tyre janë një element antisllavë: është e rëndësishme të theksohet se ky element i ndjekur nga Sanxhaku në vitin 1881, i ka drejtuar të gjitha relacionet ekonomike dhe kulturore drejt Kosovës dhe tash është elementi më antisllav që ekziston në këto toka, edhe për faktin se duke qenë myslimanë, nuk mund të merren vesh me serbët. Elementi serb jeton kompakt në një rrip territori që kalon gjatë kufirit të vjetër turko-serb dhe pikërisht midis Senicës dhe Novi Pazarit.
 
Nga këto të dhëna statistikore të kontrolluara është e qartë që elementi shqiptar është predominues në të gjithë këtë rajon trekëndëshi. Arsyet ekonomike lidhin në mënyrë të pandashme këtë trekëndësh me Kosovën, në mënyrë të veçantë me rajonin e Pejës dhe të Prishtinës, faktikisht trekëndëshi eksporton bagëti dhe prodhime të tjera dhe importon grurë dhe misër. Meriton gjithashtu të përmendet se Mitrovica është qendra industriale më e rëndësishme e gjithë Kosovës: përveç minierës së plumbit më e rëndësishmja e Ballkanit dhe nga më të rëndësishmet në Evropë, në këtë qytet ekzistojnë fabrikat e drurit, që furnizohen me dru të papërpunuar nga Rozhaja, dhe që përpara luftës eksportonin 35% të të gjithë eksportit jugosllav. Eksporti orientohej kryesisht drejt Greqisë.
Është e rëndësishme të theksohet që gjithë eksporti i këtij trekëndëshi bëhej nga zona verilindje drejt zonës jugperëndim, pra nuk kishte asnjë lidhje tregtare me Serbinë.
Sa më rezulton, një aktivitet intensiv me karakter komunist po përhapet nga elementi sllav në të gjithë Kosovën: lufta gjermano-ruse ka zgjuar ambiciet pa vlerë të elementit sllav që në shpresën e një fitoreje iluzore ruse, bën gjithçka që elementi sllav mos të braktisë këto toka. Lajmëtarë të Beogradit arrijnë çdo ditë në gjithë Kosovën për t’u dhënë zemër serbëve lokalë. Në Gjakovë janë gjetur rubla dhe Ati Don Gjon Bisaku është në posedim të njërës prej tyre, e gjendur në një lokalitet fshatiPër sa i përket tensionit shqiptaro-malazez, pas vizitës së Shkëlqesisë së tij Togerit, situata ditë për ditë po përmirësohet; faktikisht shqiptarët, të mbështetur në fjalët e sinqerta të Shkëlqesisë së Tij, mbajnë qëndrim të qetë dhe të qartë. Kam frikë gjithsesi që duke u afruar të korrurat, do të mund të sjellin vepra të shëmtuara për shkak të zënkave që mund të lindin midis shqiptarëve që kanë punuar tokat dhe malazezët që janë akoma poseduesit e legjitimuar sipas ligjeve jugosllave në fuqi. Unë e mendoj të përshtatshme që një vendim shumë i ditur në këtë rast do të ishte i nevojshëm: gjysma e të korrave shqiptarëve dhe gjysma tjetër malazezëve.
Në një prej këtyre ditëve do të shkoj në Mitrovicë për të kontrolluar personalisht situatën dhe për të marrë një statistikë reale të minierave me numrat ekzakt të punëtorëve, të prodhimit dhe të cilësisë së prodhimit”.
 
Raport më 4 korrik 1941
 
Dr. Xhelal Mitrovica ishte njeri shumë dinamik dhe zhvillonte një aktivitet të shumanshëm. Ai ishte njëri ndër anëtarët më të respektuar të organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” që u themelua në gusht të vitit 1941 në Mitrovicë. Në kryesinë e ngushtë të kësaj organizate ku bënin pjesë: Xhafer Deva, Aqif Blyta, Bedri Pejani, Shaban Mustafa, Vehbi Frashëri, Pajazit Boletini, Rexhep Mitrovica, Rrahim Gashi, Ago Agaj, Ferat Draga, Bedri Gjinaj dhe Ibrahim Lutfiu e të tjerë, Xhelal Mitrovica ka luajtur një rol shumë të madh. Vlen të theksojmë se kryetar i parë i “Lidhjes popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë në fillim ishte zgjedhur Rexhep Mitrovica, nënkryetar Bedri Pejani, kurse sekretar Dr. Xhelal Mitrovica. Pas pak kohësh Ali bej Draga, djali i Ferat Dragës, u emërua kryetar, ndërsa sekretar Rrahim Azem Gashi nga Kotorri i Dranicës, i cili ishte shkolluar në Shqipëri në shkollën Teknike Shqiptaro-Amerikane, e fill pas tij Vehbi Frashëri. Në kryesinë e ngushtë të kësaj organizate bënin pjesë këto personalitete: Bedri Pejani (nënkryetar), Dr. Xhelal Mitrovica (sekretar), Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Aqif Blyta, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa, Vehbi Frashëri, Ago Agaj, Bedri Gjinaj, Ibrahim Lutfiu, jurist.
“Lidhja Popullore Shqiptare” dhe udhëheqësit e saj, të gjendur para një përgjegjësie të madhe, për t’iu kundërvënë sulmeve të bandave çetnike në kufirin verior të Kosovës, i hynë punës për organizimin e vetëmbrojtjes, duke mobilizuar vullnetarë nga Shala, Llapi, Drenica e më gjerë.
 
Emërimi i Dr. Xhelal Mitrovicës drejtor i Radio Prishtinës dhe mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë
 
Në mesin e vitit 1941, Dr. Xhelal Mitrovica u emërua drejtor i Radio Prishtinës. Hapja e këtij mediumi informativ pati një rëndësi të madhe për këtë mjedis e më gjerë. Ai tuboi rreth vetes disa gazetarë të dëshmuar, të cilët njoftonin për ngjarjet në vend e në botë, duke injoruar afirmimin e ideologjisë fashiste për çka u qortua disa herë nga autoritetet italiane. Në vitin shkollor 1942/43 mësimdhënës në Gjimnazin, përkatësisht Shkollën Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku jepte lëndën mësimore Elementet e së drejtës ekonomike me nga dy orë në javë . Në Normalen “Sami Frashëri”, ku ishte drejtor Dr. Rexhep Krasniqi, punonte kjo bërthamë e mësimdhënësve: Reuf Zaimi, Vasil Andoni, Ymer Berisha, Aqif Selfo, Xhevdet Harbuli, Zef Shpani, Filip Ndocaj, Efthim Deri, Ibrahim Kelmendi, Kolë Kozmaçi, dr. Zef Kakariqi, Kolë Parubi, Zeqir bajrami, Xhavit Saraçi, Kolë Margjini, Dr. Xhelal Mitrovica, Emil Miloti, Lirak Dodbiba, Fet’hi Dizdari, Abdurrahim Buza, Adem Bazhdari, Llazër Berisha, Myftar Spahiu, Kolë Parubi, Lorenc Antoni etj.
Në gusht të vitit 1943, fashistët italianë, për shkak të veprimtarisë patriotike, e burgosën Xh. Mitrovicën dhe disa patriotë tjerë, duke i internuar në kampin e Porto Romanos të Durrësit. Atje vuajti bashku me Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Mehdi Frashërin etj.
Më 8 shtator 1943, pikërisht kur presidenti amerikan Ajzenhauer pati shpallur armëpushimin ndërmjet Italisë dhe forcave aleate, Gjermania ndërmori nismën institucionale për të njohur shtetin shqiptar. Ky fakt e nxirrte kombin shqiptar përballë të papriturave të reja, duke vënë në provë sa mençurinë politike aq edhe trimërinë e tij për t’u orientuar në kahen e çështjes kombëtare.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste më 8 shtator 1943, disa prej intelektualëve mitrovicas, si: Asllan Boletini, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bedri Gjinaj etj., ishin ndër iniciatorët për themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Intelektuali dhe atdhetari i shquar, Xhafer Deva, kishte udhëtuar për në Shkodër e prej andej në Tiranë, ku u takua me personalitete të larta gjermane, prej të cilëve kërkoi lirimin e menjëhershëm nga burgu të disa personaliteteve shqiptare. Prej aty menjëherë shkoi në Durrës, ku ndikoi tek autoritetet gjermane që të lirohen nga kampi i internimit të Porto Romanos, në afërsi të Durrësit, patriotët e shquar, si: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Xhelal Mitrovica etj., të cilët do ta përfaqësonin në mënyrë të denjë Kosovën dhe popullin e saj në bisedimet me autoritetet politike të asaj kohe. Siç do të shohim më vonë, Dr. Xhelal Mitrovica mori pjesë në Lidhjen e Dytë të Prizrenit prej nga edhe raportoi si gazetar. Kështu, në ditën e tretë të punimeve të Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit arritën delegatët e zgjedhur nga shqiptarët e Kosovës me qëndrim në Shqipëri që nga viti 1913: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Dr. Xhelal Mitrovica të shoqëruar nga nacionalisti Mas’har Sopoti, shkrimtar e botues i gazetës “Kosova”, në të cilën ka shkruar e luftuar me një vendosmëri të madhe për kauzën e Kosovës dhe të Shqipërisë etnike. Hyrja e tyre në sallë u prit në këmbë dhe me duartrokitje frenetike. Pas një pauze të shkurtër delegatët e Kuvendit votuan dhe zgjodhën Komitetin Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit prej 7 anëtarësh: Rexhep Mitrovica - kryetar, Musa Shehu - nënkryetar, prof. Kolë Margjini - nënkryetar, dhe anëtarët: Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca. Përmbledhjen e diskutimeve të pjesëmarrësve: Musa Shehu, Shefqet Shkupi, Tahir Zajmi, Qerim Begolli, Rexhep Krasniqi, Qazim Bllaca, Jahja Fusha, Aqif Bluta, Sali Rama, Adem Voca, Sylejman Kryeziu, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Mashar Sopoti etj. në mbledhjen e parë, të dytë dhe të tretë të Kongresit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit e ka bërë Bedri Gjinaj.
Për shkak të konfuzionit të krijuar pas largimit të trupave italiane, një grup burrash morën mbi supe përgjegjësitë që shtronte zgjidhja e problemit nacional. Në këtë mënyrë në ditët e fundit të shtatorit 1943, në Tiranë u bashkuan Bedri Pejani, Dervish Biçaku, Ibrahim Biçaku, Xhafer Deva, Lef Nosi, Ahmet Dakli, Eqrem Telhaj, Ismail Sefa, Xhelal Mitrovica, Mihal Zallari,Vehbi Frashëri etj, të cilët formuan Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm. Qëllimi kryesor i tij ishte ruajtja e kufijve të Shqipërisë Etnike. Ndër të parët numra të gazetës “Kombi” të cilën e botonte pikërisht ky Komitet, ndër të tjera, shkruante tekstualisht: “N’emën të kombit q’asht në rrezik, n’emën të atdheut shqiptar që rron apo nuk rron, n’emën të atyre që dhanë jetën për kët truall, n’emën të atyre që kan vdekë me emnin e Shqipnisë, mos të çelim ma plagë, mos të mbjellim përçamjen, mos të predikojmë vëllavrasjen” .
Mbas kapitullimit të Italisë Xh. Mitrovica, publicist me eksperiencë, krahas Masar Sopotit, Eqerem Telhajt etj., ka bashkëpunuar në gazetën "Bashkimi i Kombit" të drejtuar nga intelektuali Akile Tasi, një patriot shqiptar i vërtetë dhe njeri i jashtëzakonisht i ndershëm. Artikujt e tij të botuar në këtë gazetë kanë pasur një frymë bashkimi me një të veçantë dashurie për Kosovën martire që në atë kohë po shqetësohej nga bandat çetnike. Me artikujt e botuar Xhelal Mitrovica dëshmonte se kishte arritur pikën më të lartë në publicistikën shqiptare të kohës
Anëtarë të Lidhjes Popullore Shqiptare: Rexhep Mitrovica midis atdhetarëve: Ago Agaj (në krahun e majtë të tij) dhe Vehbi Frashëri e Nexhip Deva (në krahun e djathtë). Në këmbë: Bedri Gjinaj (i pari majtas) dhe Dr. Xhelal Mitrovica
(në mes), prapa Rexhep Mitrovicës
Më 6 tetor 1943, në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Dr. Xhelal Mitrovica u zgjodh sekretar i Komitetit (KEP). Po në këtë kohë u zgjodh përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë, ministër për propagandë. Në një fjalim të tij, ndër të tjera, thotë: “Zani i Shqiptarizmës së krahinës që unë kam nderin këtu me e përfaqësue, po buqet i fuqishëm, atje në fushën e burrave, atje ku luftohet dhe vdiset për Shqipni” . Më 7 fror 1944, u formua shoqëria “Miqtë e Kroacisë”. Dr. Xhelal Mitrovica, i cili ishte sekretar general i Ministrisë së Kulturës Popullore dhe publicist me emër, u zgjodh anëtar i Këshillit të kësaj shoqërie.
Shqiptarët në Zagreb: studentë, punëtorë dhe tregtarë duke marshuar nëpër rrugët e kryeqytetit të Kroacisë me kërkesën për Shqipërinë tërësore
Në saje të ndërhyrjes së tij u liruan shumë të burgosur që i priste vdekja e sigurt në Kampin famëkeq të Prishtinës. Në një tubim të intelektualëve të Kosovës të mbajtur në shkollën fillore “Bajram Curri’ në Prizren, më 15 shtator 1944, Dr. Xhelal Mitrovica, ndër të tjera, thekson: “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës nuk mbështetet në interesa parciale politike”, duke stigmatizuar kështu luftën qytetare midis komunistëve dhe nacionalistëve në Shqipëri. “Kosova, me fuqitë e shëndosha të popullit të saj ka me mujt me evitue vëllavrasjen që, mjerisht, ka marrë hov në disa vise të Shqipnisë së vjetër, dhe ka me i zhdukë mikrobat e kësaj vëllavrasje, të cilët kanë fillue me u duke edhe në Kosovën t’onë!” Në fund konstaton: “Lufta nuk fitohet me të vdekun, por me të gjallë!” .
Nga e majta (rreshti i parë ulur): Skender Presheva, Kadri Voza, Eqrem Jegeni, Faik Shehu, Irfan Mojuni, Bedri Gjinaj; rreshti i dytë (ulur): X. Y., Shaban Mustafa, Rexhep Mitrovica, Ali Draga, Ago Agaj, Pajazit Boletini, Vehbi Frashëri; rreshti i tretë (në këmbë): Gaqo Mako, Kudret Kokoshi, Hasan ... Gjirokastër, Rifat Spahiu, Ibrahim Dervishi, Xhelal Mitrovica, X. Y., Ndoc Koçuli, Doda..., Thana ..., Starni Bojaxhiu dhe Shyqri Bulica.
Pas dorëheqjes së kryeministrit Rexhep Mitrovica (5 nëntor 1943 – 16 qershor 1944, më 18 korrik 1944, Këshilli i Lartë në këtë post e zgjodhi Fiqri Dine, i cili në ekspozenë e tij, midis tjerash thotë: “E nesërme për ne asht Shqipnija Etnike. Ne do t’i qëndrojmë besnikë vetes sonë e njeni-tjetrit, e tërthorazi do t’i qëndrojmë besnikë kushteve të shteteve të mëdha ndërluftuese dhe do të jemi korrektë me fqinjët tanë” . Xhelal Mitrovica, i cili ishte përfaqësues i Mitrovicës në Parlament, mbajti një fjalim, ku, pos që mbështet në tërësi fjalën e kryeministrit, shpreh shqetësimet e tij për situatën e rëndë të krijuar, për mungesën e përfaqësimit të duhur të kosovarëve në Qeveri, për deklarimet e disa individëve për “autonomizëm”, “separatizëm”. Ai, midis tjerash, sugjeron Qeverinë e Tiranës se çfarë hapash duhet të ndërmarrë për të fuqizuar e konsoliduar shtetin, për të evituar dëmin që janë duke i sjellë vendit shkaktarët e ndasive, për të parandaluar vëllavrasjen (gjakderdhjen): “Derisa ne po flasim Shqipnija në pjesën ma të madhe asht në zjarr dhe flaka ka tendenca, po qe se fuqinat tona nuk bashkohen me nji vullnet të vetëm të çeliktë e të pathyeshëm, me u zgjanue e me vue në rrezik të racës sonë. Gjej rastin me ba nji konstatim t’idhtë, por të nevojshëm para kësaj Dhome, ku problemet e popullit shqiptar prej Prishtine e deri në Konispol duhet të rrahin me nji sinkronizëm mendimi dhe veprimi dhe me nji guxim që vet mandati populluar na garanton. Ky konstatim asht se pjesëmarrja e grupit kosovar asht shumë i pakët në relacion me rëndësinë e çastit dhe në lidhje me sakrificat e kryeme nga Kosova prej ditës së Asamblesë Kushtetuese të shtatorit 1943 e deri sot... Ata që propagandojnë autonomizëm, separatizëm etj., nuk janë miq të popullit shqiptar, por ma keq janë në shërbim të armiqve t’anë tradicional. Asht e nevojshme pra, për hirë të ndërgjegjes sonë kombëtare të pastërt dhe për hir të gjakut të derdhun nga kosovarët për bashkimin e Kosovës me Shqipninë të deklarojmë solemnisht para kësaj Dhome se Kosova nuk mendon, as nuk do të lejojë që të mendohet për asnjë çast për me u nda nga nana Shqipni. Zemra e Shejtë Etnike për ne (kosovarët) asht Tirana. Vetëm nji Zot mundet me e nda Shqipninë, armiqtë kurrë!” – e përmbyll fjalën e tij Dr. Xhelal Mitrovica, i cili, duke qenë përfaqësues i Mitrovicës, flet në emër të Kosovës dhe të popullit të saj dhe shpreh besimin se kërkesa e tij për një përfaqësim më të denjë të kosovarëve në Qeveri do të plotësohet.
Nga fjala e deputetit Dr. Xhelal Mitrovica para Qeverisë (1943)
 
Në fillim të korrikut të vitit 1944, Dr. Xhelal Mitrovica së bashku me Rexhep Mitrovicën, Rexhep Krasniqin e Burhan Shportën arritën në Prizren për të bërë riorganizimin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke formuar shtatë resore-seksione: në krye të sektorit administrativ-politik erdhi vetë Xhafer Deva, të sektorit financiar Rexhep Meta, të tregtisë Esat Basha, të ekonomisë Mahmut Shaban Pasha, sanitar dr. Burhan Shporta dhe të seksionit të rinisë Bedri Gjinaj. Sekretar i Lidhjes u emërua Tahir Zajmi.
 
- Duke mos dashur që të marrë përgjegjësinë për luftën vëllavrasëse, vendos ta braktisë përkohësisht Kosovën
Më 16 nëntor 1944, në kohën më të vështirë, duke mos dashur që të marrin përgjegjësinë për luftën vëllavrasëse, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica e Tahir Zajmi etj., vendosën ta braktisin përkohësisht Kosovën. Të nesërmen dorëzuan Zyrën Qendrore të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe gjendjen e rregullt financiare. Për shkak të situatës së krijuar, Komiteti Qendror thirri urgjentisht parinë e qytetit, si: Musa Shehun, Sheh Hasanin, Jonuz Shahsivarin, Lukë Simon Mjedën, Ahmet Suharekën, Kemajl Karahodën, Pjetër Vuçajn, Esat Berishën, Sokol Dobroshin, dr. Xheladin Dedën, dr. Durmish Prizrenin dhe, pasi bëri përshkrimin e gjendjes kritike e luftës në Kosovë, rrezikun për shpërthimin e luftës vëllavrasëse, formoi komisionin e përkohshëm për të siguruar qetësinë në qytet. Komiteti paralajmëroi pezullimin e veprimtarisë në Atdhe, largimin nga Kosova për të vazhduar misionin dhe përpjekjet për liri të popullsisë shqiptare të Kosovës në mërgim. Komiteti Qendror në përbërje: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica etj. me shpresë të zbarkimit të pritur të aleatëve perëndimorë në Ballkan, kishin ngarkuar një intelektual të njohur shqiptar me detyrë që të udhëtojë në Shkup e Selanik për t’i paraqitur Komandës Aleate Perëndimore një memorandum në gjuhën frënge në të cilin shkurtazi shpjegoheshin arsyet historike të luftës së mbrojtjes së popullsisë shqiptare kundër sundimit të huaj dhe të imponuar të Serbisë dhe dëshirën e popullatës shqiptare që ishte shumicë në Kosovë që të vendosë për të qenë pjesë integrale e shtetit shqiptar. Më 17 nëntor 1944, Dr. Xhelal Mitrovica, së bashku me Xhafer Devë, Rexhep Mitrovicën, Tahir Zajmin, Rexhep Krasniqin etj., u detyrua të largohet nga atdheu i tyre për të cilin kishin luftuar dhe sakrifikuar shumë. Ata nga Prizreni nëpër Mitrovicë udhëtuan deri në Zagreb. Aty grupi kosovar përkujtoi festën kombëtare, 28 Nëntorin dhe qëndroi dy javë. Në fillim të dhjetorit grupi prej pesë vetash, me përkrahjen e Ante Paveliqit, vazhduan rrugën e mundimshme për në Austri, duke kaluar Alpet e mbuluara me borë të madhe. Edhe atje mbretëronte gjendje e rëndë dhe e pasigurisë, por, në saje të miqve personalë të Xhafer Devës, grupi kosovar u vendos në Vjenë. Që nga dhjetori i vitit 1945 e deri në fillim të vitit 1947, ata u tërhoqën në Austrinë perëndimore, duke mbajtur një lidhje të fortë me grupet nacionaliste. Përmes formave të ndryshme përpiqeshin që të përcillnin zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë. Lajmet për dhunën e terrorin, burgosjet, vrasjet e masakrat që bënin forcat partizane-çetnike në Kosovë, madje edhe kundër grave, fëmijëve e pleqve, i shqetësonin pa masë. I shqetësonte gjithashtu edhe fati i shumë bashkëveprimtarë të tyre, pjesëtarë të grupit që kishte marrë në dorë fatin e kombit, të cilët, duke mos e ndier veten fajtorë për asgjë, kishin vendosur që të qëndrojnë në Shqipëri dhe në Kosovë. Kështu, pas ngadhënjimit të ideologjisë komuniste dhe instalimit të pushtetit komunist, ata u përndoqën, u burgosën dhe u dënuan me vdekje. U dënuan madje edhe familjarët e këtyre veprimtarëve antikomunistë. E pësoi edhe nëna e Xhelal Mitrovicës e cila jetoi dhe vdiq në Tiranë në vitin 1953, e torturuar dhe e tërhequr në një kasolle të shkretë.
Dr. Xhelal Mitrovica me shokë, duke mos mundur që të qëndrojnë indiferentë ndaj këtyre tragjedive që po ndodhnin, u përpoqën që të bëjnë gjithçka që ishte e mundur që para opinionit ndërkombëtar të sensibilizojnë çështjen e popullatës shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri.
Në vitin 1947, Dr. Xhelal Mitrovicën, Xhafer Deva, Tahir Zajmin, Ali Dragën e atdhetarë të tjerë kaluan në Itali. Në fund të këtij viti, pasi i siguruan lejen Rexhep Mitrovicës për të kaluar në Turqi, Dr. Xhelal Mitrovica, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, e Tahir Zajmi emigruan në Siri, ku rifilluan aktivitetin e tyre politik dhe arritën të nxjerrin gazetën “Bashkimi i Kombit”.
Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva dhe Dr. Xhelal Mitrovica, Siri, 1948
Gjatë qëndrimit në Siri, me 1 shtator 1947, Dr. Xhelal Mitrovica, Ali Draga dhe Sulejman Kryeziu u takuan me mbretin Ahmet Zogu, ku biseduan lidhur me situatën e përgjithshme të popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe në diasporë. Pra, në Damask të Sirisë Xhelal Mitrovica vazhdoi veprimtaria politike e publicistike të tij, si zëdhënës i nacionalizmit shqiptar-antikomunist. Gjatë qëndrimit në Damask, siç thamë, ai drejtoi të përkohshmen “Bashkimi i Kombit”, përmes së cilës dënonte ashpër ideologjinë komuniste, tregonte hapur për gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar në Shqipëri nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës dhe në Kosovën e robëruar nga Jugosllavia komuniste të Titos. Ishte shumë i dëshpëruar dhe i shqetësuar për atë që po e priste popullin shqiptar. Parashikimet e tij se dhuna e terrori do të vazhdojnë për një kohë të gjatë në dy gjysmat e organizmit të ndarë kombëtar, përderisa të ndërgjegjësohet bota demokratike, mjerisht dolën të sakta.
 
- Gjeografia e lëvizjeve të Dr. Xhelal Mitrovicës: Austri – Itali – Siri – Australi - Kanada
 
Gjatë qëndrimit të tij në Siri dhe pikërisht në kohën kur po përgatitej për të migruar në Australi, Dr. Xhelal Mitrovica u martua me Feruze S. Mollasin. Më 20 dhjetor të vitit 1949, emigroi në Australi së bashku me gruan dhe Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, ku do të botojnë gazetën “Vatra shqiptare”. Kështu, gjeografia e lëvizjes së tij në disa shtete e qytete të botës do të zgjerohet.
Dr. Xhelal Mitrovica, një prej gazetarëve më të mirë të kohës së tij, u vendos në Melburn të Australisë, ku vazhdoi bashkëpunimin me disa gazeta që i përkisnin emigracionit politik shqiptar. Atje, siç theksuam më lart, nxori gazetën “Vatra Shqiptare”, pastaj udhëhoqi revistën “Buletini i Lidhjes së Shqiptarëve” në Australi etj. Në to vazhdonte trajtimin e temave të mprehta politike dhe historike. Qëllimi i tij ishte që t’i bashkojë të gjitha forcat kombëtare në një front të vetëm: në luftën kundër regjimit komunist në Jugosllavi e Shqipëri, dhe bashkimin e trojeve etnike. Në mesin e viteve ’60 Xhelal Mitrovicën e shohim si pjesëmarrës të Lëvizjes së Legalitetit, në fillim si anëtar i Komitetit Qendror (1966), në kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm Dr. Noçi Kotta, më vonë si bashkëpunëtor kryesor i gazetës “Atdheu”, kur sekretarinë e Lëvizjes së Legalitetit e udhëhiqte Adv. Selim Damani. Xh. Mitrovica dinte të trajtonte tema me përmbajtje kombëtare e kulturore, pra çështje më të ndërlikuara shoqërore dhe politike me një thjeshtësi që ia bënte mendimin e tij të qartë çdo lexuesi, pa zbritur nivelin intelektual nga i cili trajtonte çdo problem. Në saje të artikujve të tij të peshuar mirë, me porosi e tejet interesantë për lexuesit e bashkëpunëtorët, u bë një ndër personalitetet më të popullarizuara në Australinë e largët, në Amerikë, në Evropë e kudo që lexoheshin gazetat. Deri në vitin 1969 në Australi për t’u vendosur pastaj në Toronto të Kanadasë.
Australi, 1949
Herë pas here vizitonte miqtë e tij në SHBA. Gjatë qëndrimit të tij në New Jersey e në New York të SHBA-së, ku vizitonte degën e “Vatrës”, mblidheshin për nder të tij shumë intelektualë e patriotë. Ata i shtronin shumë pyetje inteligjente, të cilave Xh. Mitrovica u përgjigjej në mënyrë edhe më inteligjente, tejet interesante, mjaft mirë të ilustruara, pra si një intelektual i mirëfilltë, , si gazetar i mirënjohur e i sprovuar, si orator e poliglot i shkëlqyer. Kryetari i atëhershëm i “Vatrës”, Peter Chieka, i ofroi që të bëhej co-editor i “Diellit” që e editonte në atë kohë Dr. Athanas Gegaj, por ai nuk mundi ta marrë përsipër ta udhëheqë këtë gazetë me emër për shkaqe largësie. Më 28 Nëntor 1971, ai kishte mbajtur një ligjëratë të zjarrtë në një sallë ku ishin mbledhur mbi 600 veta, kryesisht shqiptarë por edhe personalitete të huaja. “Fjala e tij, thotë Zef Pashko Deda, ishte si nji rreze e fuqishme drite, e cila, e shoqnueme me zanin e tij të thekshëm shkonte tue lëshue dritë e diell nëpër galeritë e errëta të historisë sonë shumëshekullore dhe të përpjekjeve për liri. Ai zbulonte para publikut dëgjues figura gjigante të fisit arbnor, skena të tmerrshme të luftave titanike, të përpjekjeve vigane e betejave të përgjakshme: lufta për lirinë, mvehtësinë dhe nderin kombëtar”.
Në vitin 1971, në New York, nën kryesinë e Dr. Xhelal Mitrovicës u mbajt Kongresi IV i Lëvizjes së Legalitetit. Ai e udhëhoqi me mjeshtri, urtësi e takt. Në çdo rast u vinte fre të fortë abuzimeve dhe ndërhyrjeve të dyshimta, duke ua lëshuar kryet e vendit mendimeve konstruktive. Ishte plotësisht për lirinë e fjalës të çdo pjesëmarrësi, por edhe nuk lejonte që të spekulohej në padjallëzinë e anëtarëve të thjeshtë.
Vetëm në dy gjëra ai kishte mbetur gjithë jetën i patundur: nuk kishte pranuar kurrë asgjë që ishte në kundërshtim me interesat e kombit dhe nuk kishte shkelur asnjëherë parimet e tij. Aty, si gjithkund e gjithherë, shpërfaqi vlerat e tij shpirtërore e morale njerëzore. Krahas virtyteve qytetare, ai ka kultivuar gjithë jetën një ndjenjë të fortë përgjegjësie e detyre që ndoshta e ka dëmtuar në marrëdhëniet me të tjerët, por e ka lartësuar personalitetin e tij, sa jeta e tij përkon krejtësisht me idealin që ai ka dëshmuar. Ai, as në Shqipëri, as askund nuk ishte akrobat politik që t’i përshtatej gjendjes. Sipas tij, nuk ka gjë më të lehtë në këtë botë sesa oportuniteti, mirëpo nuk pranonte vazhdimin e gjendjes ashtu si ç'ishte, ani pse nuk mbërrihet në ndonjë përmirësim.
Fuad Muftija, Abaz Kupi, Xhelal Mitrovica dhe Masar Pustina (1971)
 
“Xhelal Mitrovica ishte i papërkulshëm në vuajtje, i qëndrueshëm në ideale, i respektueshëm në shoqëri, i ndershëm në politikë, i matur në sjellje, i urtë në fjalë, i qartë në mendime dhe i vendosur në punë: besnik në çdo gjë që iu ka besuar” – shkruante Zef Pashko Deda në gazetën “Koha e jonë” (1974). Dr. Xhelal Mitrovica me bashkëshorten e tij, Firuzen, rritën, edukuan për së mbari dhe shkolluan me kujdes të madh shtatë fëmijë: tre djem e katër vajza. Ndërroi jetë më 10 nëntor 1974 në Toronto, në moshë relativisht të re, kur ishte në kulmin e fuqisë intelektuale. Në varrimin e tij kishin ardhur shumë shqiptarë pa dallim feje e bindje politike nga Australia, Kanada, Amerika dhe Evropa. Më shumë se gjysmën e jetës së tij e kishte kaluar nëpër Evropë Perëndimore, Afrikë, Australi e Kanada duke ushqyer shpresën se një ditë do të kthehej në atdheun e tij për të cilin kishte sakrifikuar shumë në rininë e tij. E kishte djegur malli për atdheun e njerëzit e afërm të tij, sidomos malli për nënën. Atë e kishte lënë në Shqipëri. Lajmi për vdekjen e saj në Tiranë (1953), në mjerim të plotë, e injoruar plotësisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ia lëkundi zemrën. Vjet, më 29 korrik 2015, vdiq bashkëshortja e tij, Feruze Mitrovica. Dr. Xhelal Mitrovica duhet të ketë shumë shkrime dhe gjëra me interes për historinë e kulturën tonë, prandaj do t’ishte me dobi të madhe që fondi i tij të gjendet, të ruhet dhe të studiohet. Shkrimet e tij gjatë rezistencës nacionaliste në atdhe dhe andej në mërgim po të jetë se mund të përmblidheshin brenda dy kapakëve do të dilte një kontribut i çmueshëm për qëndresën kombëtare, përpjekjen për lirinë e Shqipërinë Etnike, bashkim kombëtar dhe luftën antikomuniste, sepse çdo shkrim i tij drejt në thelb të çështjeve të ditës – çështje të cilat janë aktuale edhe sot
Regjimi totalitar komunist u përpoq ta eklipsojë emrin e intelektualit e atdhetarit të shquar Dr. Xhelal Mitrovica, i cili, krahas nacionalistëve të tjerë mitrovicas e kosovarë, si: Isa Boletini, Xhafer Deva, Tafil Boletini, Rexhep Mitrovica, Hajdin Draga, Dervish Mitrovica, Ferat Draga, Bedri Gjinaj, Nexhip, Draga, Hetem Prekazi, Bedri Pejani, Hasan Prishtina,Selman Riza, Ahmet Gashi, Ymer Berisha, Shefqet Shkupi, Luan Gashi, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi, Sadi Pejani, Salih Gjuka, Salih Çeka e shumë e shumë të tjerë, dha një ndihmesë të madhe në mbajtjen gjallë të nacionalizmit shqiptar, të kulturës, arsimit dhe rezistencës kombëtare. Vepra e tij nuk shuhet kurrë. Ajo do të mbetet e gjallë dhe do të trashëgohe; shembulli i tij do të ndiqet prej brezave të rinj...

Kthehu mbrapa

Shto koment