Antiamerikanët dhe “antiamerikanët”
22.02.2012 (komentet: 0)
Fadil Lepaja
Në një popullatë me përqindjen më të lartë në botë të ndjenjave proamerikane dhe proevropiane është lehtë të manipulohet me etiketat pro dhe antiamerikan, pro e antievropian.
Ja prite përpara dikujt, i the antiamerikan, ja antievropian, ai e “hangër”. I mbetet në derë. Pastaj pason zhurma mediale dhe vështirë mund të thuash diçka për të të dëgjuar ndokush. Ngadalë o njerëz, nuk jam! Për zotin nuk jam... Nuk pi ujë. Nuk dëgjohesh. Ta ka pritë përpara.
Kështu na ndodhte edhe nën Serbi. Nën komunizëm. Etiketa ishte armë për t’u ngritur në karrierë, për ta mundur konkurrencën, për ta mundur edhe armikun më të rrezikshëm personal. Pastaj e kapte makineria e shtetit në dorë. E çonte posht. Pak mbetej prej tij. Nuk dëgjohej më në publik zëri i tij.
Jo veç në qytet. Edhe në fshat. Kishte njerëz që e kishin tokën e mirë, apo tufën e mirë. Fqinji e padiste në komitet. Është... pe dini çka më. E keni provuar shumë nga ju. Ose e kishte gruan e mirë. Ai përfundonte në burg dhe fqinjët i gjendeshin pranë.
Kjo ishte edhe biznes. Ja ngjitnin fjalën: “Hasani ka pushkë”. Pastaj ai duhej të shkonte natën ta blinte pushkën te ai. E t’ia dorëzonte ditën në “stanicë”. Kishte atëherë edhe intelektualë të cilët mendonin. Zakonisht në udhëheqje me institucione të kulturës dhe artit emëroheshin të atillë që ekzekutonin. Jo të atillë që mendonin. Ata që mendonin me kokë të vet, natyrisht etiketoheshin me anti. Anti çka? Çka të duash, bre! S’ka lidhje, veç të jetë anti. Kaq duhej. Perspektiva shuhej.
Barsoletë e asaj kohe thotë: “Dy femra me moral të dyshimtë po takoheshin papritmas në rrugë. Njëra prej tyre i thotë shoqërueses së vet: ‘Ma mbaj djalin se po e shaj e para’. ‘Mos bre, se shoqe jeni’ – ia kthen shoqëruesja. ‘S’ka lidhje, kurrkush nuk merret me atë punë masandej. Askush nuk flet se si m’u përgjigj ajo, por se si e shava unë”. Kështu shprehej populli me barsoleta. Nuk donte të përzihej në politikë. Politika ta hante kryet. Politika është lavire, thoshin njerëzit e thjeshtë, duke pasur parasysh politikanët e kohës.
Por, të kthehemi te antiamerikani ynë. Kryeministri ynë është i shpejtë në fjalë. Shan i pari. Të quan “Faqezi, Vetëfundosje, antiamerikan....”! Boll, a? Pastaj media tërë ditën merret me sharjet e tij. Ndërkohë, ai kontrabandon diçka politike.
Këtë lojë po e luaj edhe unë. Po e shpall kryeministrin antiamerikan. E, pse? Veç! Po më teket. Po dua ta provoj sa është demokrat.
Ashtu po bën edhe kryeministri, i cili falë miqësisë personale me ambasadorin e SHBA, të përfolur mjaft edhe për interesa personale dhe për humorin e tij karakteristik, është bërë yll medial në këtë vend, i cili ka vetëm 4 televizione nacionale të licencuara.
Por facebook-u është mediumi më i fuqishëm edhe këtu. Njerëzit flenë në facebook.
Dikush me qeverinë e dikush vetëm. Aq sa mund të jesh vetëm në këtë rrjet social.
“A po fle në shtrat a në facebook?”, e pyeti çuni vajzën. “Në facebook, valla!” – ia ktheu ajo. “A vetëm, a me ndokënd?” – e pyet ai përsëri. “E ku të lënë vetëm në facebook, ej!” – përgjigjet ajo, duke ia shkelur syrin!
Në Twiter dhe facebook, ka plasë sherri. Njerëzit po harrojnë që betejat politike duhet t’i zhvillosh edhe në parlament, në rrugë, madje, apo zoti mos e dashtë, edhe në mal. Se kur dikush e kritikon ashpër sistemin, kur e konteston rënd, ata kërcënohen se mund të pjell konflikt i madh, luftë, kaos. Të mos i ngucim pra, se na çojnë posht. E kallin vendin. Boll “Pimpsons”-at po flasin.
Kryeambasadori, duke dashur të vazhdojë betejën e humbur me diktatorin Mugabe, iu “gjuajt” Fisit. Dorën në zemër, Fisi duket i madh si arushë, e vështirë të besojë njeriu se në tërë atë trup rrah një zemër e butë demokratike. Edhe në luftë ka qenë. Profilin ta kompletojnë saora. Kështu krijohet stereotipi. Edhe Dell-i i tha: “Ti dhe Mugabe antidemokrat”. Tash pe kuptoni: Dell-i e Hashimi demokrat! Kishe! Por, Fisi e hëngri! Ja pritën përpara. Ne të tjerët po ngojmë e po bëjmë seri!
Të flasim edhe për një “antiamerikan” tjetër, i cili po merret me kryeministrin. Prokurori i rastit, i cili e heton rastin e iniciuar nga Dick Marty, është një amerikan. Emri i tij përmendet shumë pak në media. Kjo d.m.th. se ai vërtet po punon. Po e heton rastin për të cilin është angazhuar. Le anash se pak kush beson se në këtë rast ka diçka. Nuk besoj as unë, por Marty ka vepruar ngjashëm me kryeministrin: ja “futi” një etiketë! Tash, Hashimi me kot përpiqet të thotë: “Rrenë o”! Ta ka pritur përpara, Hashim. Ky doli më i shpejtë.
Ndërkohë, kryeministri po prodhon kriza edhe zhurmë publike. Edhe kryeambasadorit nuk po i shkohet në shpi. Ndoshta ende s’i ka kryer krejt punët e veta. Ndoshta edhe ndonjë “antiamerikan” nga Amerika edhe është duke u marrë me këto punë. Kush e di?!
Halil Budakova edhe Hashimi janë më të fortë se Amerika. Amerika punon për ta.
Ajo që po përpiqet të lërë si përshtypje në publik, kryeministri ynë antiamerikan është e ngjashme me atë deklaratën famoze se NATO ishte aviacioni i UÇK-së. Se kjo ishte një produkt i mençurisë gjeniale të tij.
Tash ka pohime të çmenduara se kryeministri e ka korruptuar krejt personelin ndërkombëtar në këtë vend. Përfshirë edhe ambasadorë të vendeve, buxheti i të cilave është me mijëra herë më i madh se i yni. Edhe ky është veç një produkt horror i një PR-i megaloman, formalisht inekzistent.
Pyetja e radhës që logjikshëm rrjedh është: Kush është më i forti?
Ta bësh këtë pyetje ndër cooler-at e partisë, garant do të thonë: “Hashim roboti!”.
Ata e thanë, unë nuk e thashë. Se unë jam veç një “antiamerikan” i zakonshëm, i cili ëndërron që Kosovën ta bëjë Amerikë. Edhe Evropë.
Proud to be an “antiamerican” who loves too much USA! Ne po shkojmë në Evropë, njeri, po shkojmë në shpi! Sapo të na e hapin rrugën “proevropianët” që po e mbajnë peng këtë vend.



Shto koment