VV: Thaçi na ktheu 10 vjet prapa
20.02.2012 (komentet: 0)
Në një konferencë për medie, dy zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri, kanë thënë se ky ka qenë një vendim personal i kryeministrit Hashim Thaçi dhe se me këtë vendim, Kosova është kthyer 10 vjet prapa.
“Kryeministri i Kosovës duhet ta tërheqë këtë deklaratë të tijën. Qeveria e Kosovës nuk duhet ta pranojë këtë qëndrim disfatist të kryeministrit. Ky qëndrim personal i kryeministrit nuk është vendim i qeverisë së Kosovës dhe nuk rrjedh nga ndonjë mbledhje e qeverisë së Kosovës. Që emrit të shtetit të Kosovës t’i hiqet Republika e t’i shtohet fusnota ka kërkuar Serbia”, kanë thënë Ahmeti e Ymeri, duke shtuar se kryeministri i Kosovës po i plotëson kërkesat e Serbisë për Kosovën, e që, gjithnjë sipas tyre, ai paguhet nga qytetarët e Kosovës që t’i plotësojë kërkesat e qytetarëve të Kosovës e jo të Serbisë.
Përmes kësaj deklarate, sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, kryeministri i Kosovës ka marrë drejtimin që nuk e ndryshon Kushtetutën e Serbisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por anasjelltas: “ai me këtë deklaratë po tregon synimin e tij për ta ndryshuar Kushtetutën e Kosovës drejt Kushtetutës së Serbisë”.
“Pa Republikë dhe me shtetësi të kontestuar në fusnotë, njoftimet ditore për zgjerimin e dialogut me Serbinë në Bruksel edhe me temën e veriut të Kosovës, do të bëhen fatale. Heqja dorë nga Republika e lehtëson së tepërmi heqjen dorë nga veriu. Për më keq, ky lëshim pe i kryeministrit pa kurrfarë trysnie mbi të, e diskrediton atë si një person tërësisht jokompetent për të qeverisur me punët e shtetit”, u tha mes tjerash në konferencë.
Vetëvendosje ka paralajmëruar se po koordinohet me partitë e tjera opozitare për të kundërshtuar këtë kompromis të qeverisë. /Zëri/



Shto koment