VV: Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme

14.02.2012 (komentet: 0)

Situata në Kosovë çdo ditë e më shumë po përkeqësohet nga reshjet e vazhdueshme të borës. Numri i rrugëve të bllokuara dhe pullazeve të dëmtuara vazhdon të rritet. Tashmë i kemi nëntë të vdekur, një të zhdukur dhe dhjetëra apo ndoshta edhe qindra të lënduar, kush më rëndë e kush më lehtë.



Kështu e ka vlerësuar Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për medie, gjendjen në territorin e Kosovës, pas reshjeve të vazhdueshme që e kanë kapluar vendin.

Sipas zyrtarëve të këtij subjekti politik, në situata të vështira siç është kjo që po e kalojnë qytetarët e Kosovës është e domosdoshme që të kemi mobilizim qytetar për ta përballuar sa më shpejtë dhe sa më lehtë këtë gjendje që është e jashtëzakonshme porse nuk po shpallet e tillë.

“Duke u sjellë në mënyrë të zakonshme nuk mund të dalim nga kjo situatë. Ne i sugjerojmë Qeverisë së Kosovës që t’iu bëjë ftesë publike të gjitha kompanive private dhe qytetarëve që kanë pajisje për të larguar borën nga rrugët. Të gjithë ata që kanë eskavatorë, bagerë, buldozerë apo makineri të ngjashme duhet t’i bashkohen aksionit qytetar për të dalë nga kjo krizë që po përshkallëzohet”, thotë Vetëvendosje, duke shtuar se me atë rast, Qeveria duhet t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e derivateve për këto mjete të qytetarëve që do të vihen në shërbim të pastrimit të rrugëve për të mundësuar qarkullimin e qytetarëve dhe daljen e tyre prej izolimit të thellë.

“Për ta lehtësuar organizimin e një aksioni të tillë, të gjitha komunat duhet t’i organizojnë qytetarët e vet. Po ashtu, është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe solidarizimi ndërmjet komunave sipas mundësive dhe gjendjeve të krijuara në komunat përkatëse”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje njofton qytetarët, institucionet shtetërore dhe Qeverinë e Kosovës se “strukturat dhe kapacitetet tona organizative dhe logjistike janë në dispozicion në çdo kohë për të kontribuar në lehtësimin e kësaj gjendje të rëndë për qytetarët”./Infosot/

Kthehu mbrapa

Shto koment