VV publikon kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese

08.02.2012 (komentet: 0)

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë sot publike kërkesën që ka deponuar në Gjykatën Kushtetuese për mocionin e Qeverisë së Kosovës, të miratuar në Kuvendin e Kosovës më 20 janar të këtij viti.



Ky mocion e ka shfuqizuar atë të 7 dhjetorit, të iniciuar nga Vetëvendosja për reciprocitet të plotë me Serbinë.

Mocioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës përmban 4 pika:

1. Kuvendi i Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre të tërësishëm;

2. Qeveria e Kosovës, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të vendosë për masat përkatëse reciproke për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe implementimin e konkluzioneve të arritura;

3. Qeveria obligohet t’í raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit;

4. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Kuvendit në lidhje me këtë çështje.

Në një komunikatë për opinion, në të cilën ka botuar një pjesë të kërkesës, Vetëvendosja, mes tjerash, thotë se “Kuvendi i Kosovës, në pikën e parë të vendimit të kontestuar, ka mirëpritur arritjen dhe ka mbështetur zbatimin e tërësishëm të këtyre marrëveshjeve”.

Duke cituar dispozitat e nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, VV pohon se “kjo mënyrë e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është në kundërshtim me të gjitha dispozitat e këtij neni”

“Vendimi i Kuvendit të Kosovës është në kundërshtim të drejtpërdrejtë më nenin 18 të Kushtetutës dhe si i tillë e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mënyrën e përshkruar për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare”, thuhet në kërkesën e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje. /REL/

Kthehu mbrapa

Shto koment