VV: “O kryetar, a po të shiten bananet”
04.02.2012 (komentet: 0)
Ky aksion i Vetëvendosjes, nga udhëheqja komunale e Gjilanit është cilësuar si një veprim i ulët dhe që nuk i ka hije këtij subjekti politik.
Aktivistët e Vetëvendosjes me maskë në kokë me figurën e Qemajl Mustafës, kanë parakaluar rrugëve të qytetit, me pankartat “O kryetar a po të shiten bananet”, dhe në ato në të cilat shkruante se kryetari i Gjilanit ka edhe biznese të tjera pos atij me banane.
Sipas tyre, kryetari Mustafa ka biznes edhe me vajra motorike, me kompjuterë, sikurse që thanë se e ka edhe biznesin me komunën e Gjilanit. Aktivistët i kanë varur bananet në pemën afër Kuvendit Komunal e më pas ato janë hequr nga sigurimi e aty ka qenë e pranishme edhe policia, e cila nuk ka intervenuar.
Duruntina Hasani, aktiviste e Vetëvendosjes, ka thanë se kanë ardhur për t’i dëshiruar kryetarit sa më shumë biznes, por siç thanë edhe për të kërkuar dorëheqjen e tij, ngase ai komunën e ka shndërruar në biznes të dorës së dytë, duke nëpërkëmbur problemet dhe hallet e qytetarëve.
Ajo tha se Mustafa partneritetin publiko-privat e ka shndërruar në biznes privato-privat dhe se komuna e Gjilanit nuk ka nevojë për një biznesmen, por për një kryetar që rri afër qytetarëve dhe ballafaqohet me pakënaqësitë e tyre. Vetëvendosje ka kërkuar që kryetari i Gjilanit të mos e shes komunën, që e ka shndërruar në biznes të vetin.
Shefik Surdulli, shef i zyrës për Informim në Kuvendin Komunal të Gjilanit, veprimin e Vetëvendosjes e ka quajtur të ulët, të tepruar dhe që nuk i bënë nder askujt. Ai ka thënë se Qemajl Mustafa ka sqaruar marrëdhëniet e tij me kompaninë “Frutta Viva”, bile së fundi ai edhe publikisht ka hequr dorë nga ajo kompani, duke thënë se më nuk është aksionar, raporton zeri.
“Nuk i ka hije Vetëvendosjes e as qytetarëve të Gjilanit të merret me gjëra të tilla e kryetari si çdo qytetar tjetër ka të drejtë të merret me aktivitetet e tija private”, ka thënë Surdulli, që edhe njëherë ka bërë me dije se Qemajl Mustafa më nuk është bashkëthemelues i Kompanisë “Frutta Viva”, ndërmarrje kjo që merret me pjekjen e bananeve.



Shto koment