Vrer mbi Presidenten
20.02.2012 (komentet: 0)
Nxitimi për të vendosur lule te varri i komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari, pa bërë lëvizje nëpër kompleksin e varrezave, e sidomos refuzimi për t’u kthyer në Kullën e Jasharëve, nga qytetarët e komunës së Skenderajt është konsideruar si veprim jo i drejtë, shkruan “Zëri”.
Familjarët e ish-komandantit legjendar Adem Jashari shprehen të rezervuar ndaj vizitës së Jahjagës. Bilall Jashari, kryetar i lagjes, tha se krejt çka ka pasur, e ka thënë Murati.
Mihrije Shala, një qytetare që kishte shkuar në Prekaz për të nderuar komandantin legjendar Adem Jashari dhe dëshmorët e tjerë, në Ditën e pavarësisë së Kosovës, tha se kishte pritur me padurim të vijë presidentja.
“Kur dëgjova se po vjen, u gëzova dhe vendosa ta pres atë. E kam pasur një respekt për të, kam menduar se është e zonja, por më zhgënjeu. U soll me mendjemadhësi, madje nuk përgjigjej as në urimet tona për 4-vjetorin e pavarësisë..”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, Hisni Ngucati, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Skenderaj, thotë për presidenten se “ajo e ka injoruar gjakun e dëshmorëve të Jasharëve”.
Kupa është mbushur, sipas tij, kur ajo nxitoi për t’u larguar nga Prekazi.
“As që e ktheu kokën nga kulla e Jasharëve, të paktën për t’i parë gjurmët e një lufte të madhe që bëri komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij”, thotë ai.
Brahim Misimi, sekretar i degës së Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se “presidentja Jahjaga kishte ardhur në Prekaz me zor”. Të gjithë, sipas Misimit, janë shprehur mirënjohës për këtë familje, përveç Atifetes, e cila “siç duket nuk është fare e vetëdijshme për funksionin që mban”.
Në anën tjetër, kryetari i degës së Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Haki Aruçi, gjithashtu e ka vlerësuar presidenten Jahjaga si të padenjë për ta udhëhequr shtetin. Qytetarët, sipas tij, nuk harrojnë atë që i bëjnë politikanët.
“Ata mbajnë mend për sjelljet e gjithsecilit, qoftë ai edhe president, kryeministër apo lider politik”, ka deklaruar Aruçi. /Telegafi/



Shto koment