Vidhen bustet e dëshmorëve Pajazit Ahmeti dhe Alban Ajeti

20.02.2012 (komentet: 0)

Janë vjedhur bustet e të dy dëshmorëve të kombit, Pajazit Ahmeti dhe Alban Ajeti, që ishin të vendosur në hyrje të ish objektit të komandës së FSK-së, e që tash është destinuar për bibliotekën e re rajonale në Gjilan, “Fan S. Noli”.

(Plotesim)

Janë arrestuar  kryerësit e vjedhjes së  busteve të dy dëshmorëve, Pajazit Ahmeti dhe Alban Ajeti. Sipas policisë ata janë dy të mitur të cilët bustet i kishin shitur  në një deponi të metaleve. Me këtë rast mësohet se ka pas arrestime edhe në deponi për shkak të  blerjes dhe mos deklarimit të vjedhjes. 

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan,  e ka konfirmuar për Portalin e Lajmeve “2lonline”, gjetjen e kryesve të kësaj vepre dhe arrestimet e bëra, duke thënë se së shpejti do të  ofrojë raportin e plotë.

Ndërkohë që edhe kreu i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa i cili bashkë edhe me  OVL e UÇK-se e kishin  dënuar dhe cilësuar si akt vandal vjedhjen e  busteve të dy dëshmorëve, e kanë vlerësuar lartë Policinë e Kosovës. Mustafa është shprehur falënderues ndaj  Policisë së  Kosovës, respektivisht  njësitin për hetimin e  krimeve, për efikasitetin  e treguar në këtë rast, sikurse që është treguar kjo gjë edhe shumë herëve tjera.

Përndryshe, zëdhënësi i komunës Shefik Surdulli tha se  bazuar në informatat që i ka nga  burimet e  Policisë se Kosovës në Gjilan, gjegjësisht Njësitit të Hetimeve Kriminale, mësohet se ky njësit ka arritur qe sot ti zbuloje të dyshimtit (dy te mitur, nga 16 vjeç), të cilë bustet e vjedhura i kanë shitë në një deponi të metaleve për përfitime materiale. 

Bustet kane qene te ndërtuara nga ''bronzi" dhe çmimi për një kg të bronzit, në tregun e këtushëm llogaritet të sillet  rreth  2.80 euro.

Mësohet se policia i ka gjetur  bustet e këtyre dy dëshmorëve në një deponi të metaleve, me ç’rast, të dyshuarit janë arrestuar e bashkë me ta edhe depoisti i cili nuk e ka deklaruar vjedhjen. kurse bustet janë konfiskuar dhe pas përfundimit të hetimeve do t'i kthehen institucioneve përgjegjëse të komunës.

Ndërsa lidhur me të dyshuarit e arrestuar, policia do të procedoj tutje me lëndën  sipas procedurave dhe ligjit. 

--------------------
Biblioteka është investim, në ndërtim e sipër, nga Komisioni Europian dhe hapësira ishte e rrethuar ashtu si zakonisht që rrethohen punishtet ndërtimore dhe bustet, kohët e fundit, nuk janë dukur nga rruga. 

Këtë akt të ulët dhe të papranueshëm për shoqërinë tonë e kanë dënuar edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, bashkë me OVL të UÇK-së, e cila edhe e para e ka vërejtur mungesën e busteve dhe ka reaguar në Policinë e Kosovës. 

Aktin e tillë, kryetari i Komunës Qemajl Mustafa  dhe Kuvendi Komunal, pavarësisht motiveve, e cilëson akt vandal për përfitime të ulëta. 

“Ata që e kanë bërë këtë akt, asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë mësuar për dëshmorët dhe veprën e tyre të madhe e të papërsëritshme. Ju sigurojmë së njerëzit e lig me këtë akt që e kanë bërë, asnjëherë nuk do të na lëkundin e aq më pak ta zvetënojnë veprën e bijve të kombit për themelimin e ndërtimin e shtetit”, thuhet në reagimin e Mustafës .

Duke pasqyruar një qWndrim të përbashkët edhe me OVL të UÇK-së në Gjilan, Mustafa ka premtuar se bustet në afatin më të shkurtër të mundshëm, komuna do t’i kthej në vendin e vet, sepse ata tashmë janë të popullit shqiptarë dhe të komunës së tyre. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment