Vetëvendosje: Të ndalet loja me përmendore
22.02.2012 (komentet: 0)
Kurteshi tha se kjo lojë me përmendore ka filluar me vendimin për heqjen e përmendoreve të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, mandej me një vendim tjetër për të mbetur ata aty, për të vazhduar me një projekt rregullore me të cilën pushtetarët po pretendojnë me e rregullua vendosjen dhe zhvendosjen e përmendoreve, pa pritur që për këtë të miratohet një ligj në Kuvendin e Kosovës ku çështja e përmendoreve do të rregullohet në nivel vendi.
Loja e turpit ka vazhduar, sipas Kurteshit, pastaj me heqjen e një përmendore kushtuar veteranëve të luftës në oborrin e fakultetit, ku sipas tij, autori i heqjes së asaj përmendore dihet, është komuna e Gjilanit, e cila pa pyetur askënd e ka hequr atë përmendore dhe i ka fyer të gjithë veteranët e arsimit, punëtorët e arsimit dhe njerëzit arsimdashës.
Ndërkohë që, sipas Kurteshit, rasti i fundit i vjedhjes së përmendoret të dy dëshmorëve të kombit, Alban Ajeti dhe Pajazit Ahmeti, ka qenë akt tronditës për të gjithë.
“Ne dënojmë aktin e vjedhjes dhe të përdhunimit të busteve të heronjvë kombëtarë të Alban Ajetit dhe Pajazit Ahmetit dhe përshëndesim organet e sigurisë për kapjen e supozuar të kryerësve”, tha Kurteshi.
Por, sipas tij, janë të brengosur me qasjen e institucioneve komunale ndaj përmendoreve/busteve dhe kërkojnë nga kryetari i komunës dhe pushteti i tanishëm që në asnjë mënyrë përmendoret/bustet të mos zhvendosen edhe pas këtij akti, kinse për t’i mbrojtur dhe ruajtur nga hajnat, por të kenë vend dhe qasje të respektit maksimal ndaj tyre.
“Ne kërkojmë nga policia që ti bëjë publike emrat e atyre që i kanë vjedhur përmendore dhe atyre që i kanë blerë ato. Dhe po ashtu kërkojmë nga gjyqësia që kryerësve të këtyre veprave shumë të ulëta t'u jepet dënimi i merituar. Kërkojmë nga komuna që menjëherë ti kthejë bustet e dëshmorëve të kombit në vendin e tyre dhe të mbyll njëherë e përgjithmonë lojën e përmendore sepse është edhe lojë me të kaluarën tonë, me dinjitetin dhe me nervat e qytetarëve”, ka thënë Kurteshi.



Shto koment