“Vetëvendosje” me 10 pyetje për Thaçin
22.01.2012 (komentet: 0)
“Protesta paqësore është liri e qytetarëve, liri për grumbullimin e tyre për ta shprehur pakënaqësinë dhe për ta ndryshuar gjendjen për të cilën janë të pakënaqur. Por, duket që qëndrimet, akuzat, sharjet, fyerjet, sikleti dhe paniku në përgjithësi i kësaj qeverie të drejtuar nga kryeministri aktual, pikërisht kur bëhet fjalë për Serbinë, nuk janë të rastësishme”, ka thënë lideri i Lëvizjes, Albin Kurti.
Wikileaks ka njoftuar që kryeministri Thaçi është takuar dy herë me kryetarin e Serbisë Boris Tadic, një herë kur PDK ka qenë në opozitë. Sipas Kurtit, meqë Thaçi nuk e ka demantuar asnjëherë këtë informatë, ai duhet të përgjigjet në këto pyetje:
1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi i të takohet me Tadicin?
2. Ku dhe kur saktësisht është takuar këto dy herë me kryetarin e Serbisë Tadic?
3. Kush tjetër ka marrë pjesë në ato takime, për çka kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadicit dhe çfarë Tadici Thaçit?
4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej takimeve?
5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?
6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?
7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?
8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe, nëse po, kush e ka atë?
9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?
10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij PDK për këto takime?
Ndryshe, anëtari i “Vetëvendosjes” dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë në këtë konferencë se “Hashim Thaçi dje na ka treguar se meqë i ka 59 deputetë mund ta sjellë Serbinë brenda Kosovës”.
“Kjo është diktatura e numrave”, ka thënë Konjufca.
“Populli i Kosovës duhet t’i shtrojë disa pyetje: A mund Thaçi ta shpall Kosovën monarki të trashëgueshme, sepse i ka 59 deputetë në Kuvend? A mund Thaçi ta zhbëjë edhe pavarësinë e Kosovës, nëse i vjen puna ngushtë, vetëm sepse i ka 59 deputetë. Unë them se pas 20 janarit të gjitha janë të mundshme. Sepse kemi një Qeveri e cila po luan me fatin e shtetit dhe të popullit nëpërmjet shumicës së thjeshtë parlamentare të cilën e kontrollon dhe manipulon”. /Telegrafi/



Shto koment