Veseli: SHIK-u u themelua me vendim të Thaçit
21.02.2012 (komentet: 0)
“Këtyre lëvizjeve iu janë dhënë atë kohë edhe trajnime të inteligjencës nga ata që ia kanë dashur të mirën Kosovës, të jashtëm por edhe nga vendi amë. Kjo strukturë ka qenë baza e SHIK-ut”, ka thënë Veseli për emisionin “Pressing” të KTV-së, raporton Indeksonline.
Pas vendimit për themelimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, ishte vendosur edhe për themelimin e Shërbimit Inteligjent. “SHIK-u fillesat i ka pas nënshkrimit të një marrëveshje në Rambuje në mes të Rugovës, Thaçit e Qosjes, për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Në atë kohë, në fund të marsit a fillim të prillit u themelua edhe SHIK-u, kjo u bë me vendim të kryeministrit të asaj qeverie, Hashim Thaçit” , ka shtuar ish-shefi i këtij shërbimi.
Kadri Veseli ka folur edhe për vitet e themelimit të UÇK-së, e kohën e çlirimit. Në vitin 1992, sipas tij, UÇK-ja kishte tentuar që përmes Adem Jasharit, të takojë Ibrahim Rugovën.
Veseli: Deshëm ta takojmë, Rugova nuk pranoi
“Që në vitin 1996, dërguam Enver Hasanin e Mujë Rugovën për të biseduar me Bukoshin” tha ish shefi I SHIK-ut, Kadri Veseli, për përpjekjet e UÇK-së që t’i vendos marrëdhëniet me Rugovën dhe institucionet e atëhershme të Kosovës.
Prishtinë: “Jemi munduar të takohemi me presidentin e atëhershëm Ibrahim Rugova qysh në vitin 1992. Komandanti legjendar Adem Jashari ka qenë në Rinas për t’u takuar me Rugovën. Është premtuar por nuk është realizuar”, ka deklaruar Kadri Veseli, udhëheqësi i Shërbimit të dikurshëm të Inteligjencës së Kosovës.
Në vazhdën e përpjekjeve për t’u takuar me Ibrahim Rugovën, Veseli përmendi edhe vitin 1996 kur, sipas tij, nga “ne (njerëzit e UÇK-së) janë dërguar në Gjermani Rektori i tashëm i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova dhe Kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës , Enver Hasani, që të takohen me Kryeministrin e dikurshëm të Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshin”.
Ky është shpjegimi që ish udhëheqësi i SHIK-ut, Kadri Veseli i bëri për marrëdhëniet që kanë ekzistuar mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe institucioneve që ishin krijuar pas viteve 90-ta.
“UÇK ja ka ekzistuar edhe gjatë vitit 1992. UÇK ishim vetë ne, njerëzit që angazhoheshim për Kosovën Republikë”, ka thënë mes tjerash Veseli, në intervistën e cila po zhvillohet në televizionin KTV dhe pjesa e dytë e së cilës do të shfaqet nesër.



Shto koment