Veseli: SHIK-u s’ka bërë krime! Jo, jo edhe jo!

21.02.2012 (komentet: 0)

Ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, ka mohuar të gjitha akuzat se organizata që ai ka udhëhequr ka kryer krime, përfshirë vrasjet e pasluftës në Kosovë. “Jo, jo, edhe jo”

.

“Veprimet kriminale, marrja e jetës së njeriut, është pjesë më e errët që i ka ndodhur historisë e lirisë sonë. Dikush duhet të marrë përgjegjësi. Mu ka mbushur mendja që edhe ata që në mënyrë hipotetike qëndrojnë prapa këtyre gjërave, po mendojnë që SHIK-u do të paguaj faturat e tyre. Për asnjë nga këto krime nuk ka përgjegjësi SHIK-u, as direkt e as indirekt. Përgjegjësi duhet të marrë individualisht kushdo që ka kryer krime të tilla”, ka thënë Veseli, duke shtuar se pjesa më krenare e jetës së tij ka qenë udhëheqja e SHIK-ut.

Në vazhdimin e rrëfimit në KTV, Veseli kryesisht ka folur për veprimtarinë e Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Ai ka treguar se si në vitin 2001-2002 është tentuar që të legjitimohen veprimet e SHIK-ut, duke krijuar një zyrë brenda institucioneve të Kosovës, gjë për të cilën kishte pajtim nga Presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Rexhepi e kryeparlamentari Nexhat Daci. Por, kjo gjë ishte ndaluar nga New York-u pasi nuk e lejonte Rezoluta 1244.

Sipas tij, SHIK-u nuk ka krijuar dosje, por ka pasur vetëm informacione që janë përdorur atë kohë për nevojat e shërbimit, por që kanë qenë gojarisht të raportuara.

Matrapaz që tentojnë të përfitojnë për vete, i ka quajtur personat si Nazim Bllaca e Naim Myftari, të vetdeklaruar si agjentë të SHIK-ut. Veseli gjithashtu ka mohuar që SHIK-u t’i ketë takuar PDK-së, duke thënë se kjo organizatë ‘ka punuar për të mirën e shtetit’.

Ai më tej ka thënë se do t’i hyj politikës ndërsa PDK ka nevojë për reforma. Ai është i gatshëm ti bashkohet kësaj partie nëse do t’i krijohet hapësira për të vepruar. “Shpejt do të bëjë publike edhe partinë ku do të kyçem në politikë”, ka paralajmëruar ish-shefi i Shërbimit Inteligjent të Kosovës

Kthehu mbrapa

Shto koment