“Vërshojnë” Paditë Kundër Gazetarëve

27.01.2012 (komentet: 0)

Gazeta JNK Vetëm të premten, pesë gazetarë kosovarë është dashur të dalin para gjykatësve, pasi janë paditur për shpifje. Paditës janë dy ish-gjyqtarë. Kastriot Jahaj, gazetar i BIRN-it, tha se padia ndaj tij, dhe shumë padi të tjera që po bëhen ndaj gazetarëve, janë tendencë e zyrtarëve të korruptuar, që të ushtrojnë presion në media.

Seanca gjyqësore, në të cilën ka qenë i paditur gazetari Kastriot Jahaj, nga ish-gjyqtari Selman Bogiqi, është shtyrë për datën 22 mars, për shkak se gazetari Jahaj përveç ftesës për pjesëmarrje në seancë, nuk kishte pranuar ndonjë shkresë të lëndës dhe ka kërkuar që të njihet me padinë. 

Ish-gjyqtari, tash avokat, Selman Bogiqi, e ka paditur gazetarin për disa shkrime të botuar në gazetën “Koha Ditore”, ku Jahaj kishte punuar më herët.

Sipas padisë, Bogiqi pretendon se janë bërë shpifje kundër tij. Në lidhje me këta artikuj të botuar në gazetën “Koha Ditore”, Bogiqi e ka paditur edhe gazetarin tjetër të kësaj gazete, Vehbi Kajtazin, por me një padi të veçantë. 

Gazetari i BIRN-it, Jahaj, ka deklaruar se kjo padi dhe shumë padi të tjera që po bëhen ndaj gazetarëve, kinse për shpifje, nuk janë asgjë përveçse një tendencë e zyrtarëve të korruptuar të këtij vendi, që të ushtrojnë presion në media, që të munden të vazhdojnë me veprimtaritë e tyre ilegale.

“Ajo çfarë më shqetëson më së tepërmi, është se ky gjyqtar na është kërcënuar me vrasje, mua dhe kolegun tim të ‘Kohës Ditore’, Vehbi Kajtazi, dhe çuditërisht kolegët e këtij gjyqtari nga Prokuroria Komunale e kanë dërguar lëndën në Kundërvajtje. Sikur, ai t’i kishte shkelur rregullat e trafikut, dhe  jo të kërcënonte me vrasje dy gazetarë. Ky rast fatkeqësisht e dëshmon se çfarë sistemi të degraduar të drejtësisë kemi”, i tha Jahaj, Gazetës Jeta në Kosovë.

Më tutje, ai ka theksuar se kjo padi që është ushtruar nga ish gjyqtari Selman Bogiqi, për artikuj të botuar në gazetën Koha Ditore, është një tendencë e këtij ish-gjyqtari që të vazhdojë t’i mbulojë keqpërdorimet për të cilat është dyshuar. 

Ndërkohë, Agjencia e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), përmes një komunikate për media, ka njoftuar se gjatë ditës së premten do të paraqiten në gjykatore edhe gazetarët Jeton Musliu nga gazeta “Express”, dhe gazetarja e dikurshme e kësaj gazete, tani gazetare në të përditshmen “Zëri”, Selvije Bajrami. Edhe këta gazetarë janë të paditur nga një ish-gjyqtar, Abdullah Robaj. 

I paditur në këtë rast është edhe ish-kryeredaktori i “Express”-it, Berat Buzhala, tash deputet në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment