Veriu të zgjedhë përfaqësuesit legjitim!
03.02.2012 (komentet: 0)
Presidentja Jahjaga falënderoi komisionarin Fule për nisjen e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, duke e çmuar këtë si një arritje të përbashkët që sinjalizon përkushtimin evropian për rrugën e qartë të Kosovës drejt integrimit dhe perspektivë të qartë për qytetarët e Kosovës.
Njëkohësisht, presidentja përsëriti përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të adresuar problemet dhe gjetur zgjidhje që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Presidentja Jahjaga theksoi se zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat veriore të Kosovës qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit. Ajo kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legal dhe legjitim që do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës.
Presidentja Jahjaga po ashtu e njoftoi komisionarin Fule për krijimin e dy këshillave kombëtarë pranë Presidentes, Këshillin Kundër Korrupsionit dhe Këshillin për Integrime Evropiane, për të cilat mori përkrahjen e Komisionierit, i cili premtoi pjesëmarrjen e tij në inaugurimin e këshillit që mëton saktësimin, përshpejtimin dhe koordinimin e agjendës evropiane të Kosovës. /Telegrafi/


Shto koment