Ushtarët e Dikovicit kanë ekzekutuar 35 të mitur

20.02.2012 (komentet: 0)

Provat e Natasha Kandiqit, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, me të cilat ka dëshmuar përgjegjësinë e shefit të ri të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisa Dikovic, për krime në Kosovë, vijnë duke u zgjeruar edhe me dëshmi të tjera, të atyre që kanë qenë viktima të dhunës së ushtarëve serbë, në vitin 1999, në Qirez të Skënderajt dhe në Çikatovë të Vjetër të Drenasit.

Një prej dëshmitarëve, Xhafer Veliqi, nga Polaci i Skënderajt, i cili, siç thotë, ka parë me sytë e tij, kur ushtarët e gjeneralit Dikovic kishin mbledhur burra dhe gra, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, dhe i kishin dërguar në xhaminë e Qirezit. Sipas tij, pas një kohe, ushtarët serbë kishin selektuar vetëm të rinjtë, 35 prej të cilëve nën moshën 18-vjeçare, i kishin hipur në kamionë dhe i kishin nisur në drejtim të Drenasit.

“Në mesin e tyre ka qenë edhe djali im 15-vjeçar. Një komandant serb, i cili hiqej si i mëshirshëm, tha se po ta marrim djalin edhe kemi me ta dërgua në shkollë, ka m’u aftësua. Ai thoshte se këta djem të rinj duhet m’u shkollua. Në këtë mënyrë, edhe mua më tha që mos të mërzitem se kanë me ma kthye djalin. Unë e dija saktësisht se çfarë do të bëhej me ta. Më thjesht, morën shumë burra aty, më shumë të rinj, 35 prej tyre kanë qenë nën moshën 18-vjeçare. I dërguan andej kah Drenasi, dhe ne menduam se po i dërgojnë për në Prishtinë. Ka qenë prilli i 1999-tës. Më nuk kemi ditur gjë për ta, ua humbën gjurmët. Pas lufte, ne i kërkonim të zhdukurit dhe kur u zbulua varreza masive ‘Te Shavarinat’ në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, aty është gjetur edhe djali im, edhe disa të tjerë, të cilët i kishin pas pushkatua”, kujton Xhaferi./Zëri/Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment