UNICEF-i DHE ZYRA NDËRLIDHËSE E KOMISIONIT EVROPIAN MBAJTËN DEBAT NË GJILAN

16.02.2012 (komentet: 0)

S`ka bashkëpunim institucional për trajtim të fëmijëve delikuent. Halim Vranovci, zyrtar nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan, tha se kjo drejtori ka marrë nisma të shumta në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me vetëdijesimin e nxënësve ndaj dukurive negative, porse nuk ka gjetur përkrahje institucionale.

 

GJILAN, 15 SHKURT - Në një tryezë të mbajtur të mërkurën në Gjilan është thënë se ka mungesë të vazhdueshme të bashkëpunimit ndërinstitucional sa u përket trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me  fëmijët delikuentë.  Kjo tryezë është organizuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian. Ardian Klaiqi, përfaqësues iUNICEF-it, tha se debati është organizuar me qëllim të identifikimit të problemeve që përballen fëmijët delikuentë gjatë trajtimit nga institucionet korrektuese dhe edukuese. ’’Ne jemi këtu për të financuar nënjë fazë të caktuar implementimin eprojekteve të cilat do të mund të realizoheshin nga bashkëpunimi i zyrtarëve komunalë dhe  organizmave tjerë relevantë, por që ky financim të jetë i përkohshëm, ngase organizmat institucionalë duhet të krijojnë shprehi që t’u ndihmojnë fëmijëve në parandalimin e përhapjes së këtyre dukurive nëpër institucionet arsimore’’, është shprehur Klaiqi. 

Zejnepe Ramizi, zyrtare në shërbimin sprovues të Kosovës në Gjilan, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, tha se numri i rasteve të delikuencës në vitin që lamë pas ka shënuar një rënie të vogël. Ndërsa drejtori për Buxhetdhe Financa në Komunën e Gjilanit, Nuhi Nuhiu, ka bërë të ditur se Kuvendi Komunal asnjëherë nuk ka ndarë fond të veçantë për parandalimin e përhapjes së delikuencës te të miturit. 

Halim Vranovci, zyrtar nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan, thotë se kjo drejtori ka marrë nisma të  shumta në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me vetëdijesimin e nxënësve ndaj dukurive negative, duke shtuar se nuk po gjejmë përkrahje  institucionale që do të ndihmonte zhvillimin e mekanizmave të tillë edukativë.

Florim Bajrami, drejtor ishkollës së mesme ‘’Mehmet Isai’’, ka pohuar se kushtet jo të mira në infrastrukturën shkollore po bëjnë që fëmijët tanë të dalin në rrugë dhe të marrin edukatën e rrugës. “Shkolla jonë nuk ka asnjë sallë sportive apo kulturore ku  nxënësit tanë do të mund të  zhvillonin aktivitete rekreative, andaj për ta rruga mbetet e vetmja alternativë, ku ata mund ta ndërtonin të ardhmen”, është shprehur Bajrami. 

Kthehu mbrapa

Shto koment