Të mërkurën temperatura deri në – 22 °C

05.02.2012 (komentet: 0)

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës që kanë përfshirë rajonin e Ballkanit, por edhe Evropën, do të jenë prezente në vendin tonë deri nga mesi i javës së ardhshme.

Dukagjini dhe Drenica janë dy rajonet që janë prekur gjatë ditës së sotme nga reshjet e borës. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Pejë dhe Junik, ndërsa edhe Kaçaniku përballet me gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të shumta.

Të mërkurën, sipas Institutit Meteorologjik, temperaturat do të arrijnë në minus 18 deri në minus 22 gradë celsius.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve të fundjavës deri të mërkurën nuk do të jetë moti stabil, do të ketë reshje, do të ketë ulje të temperaturave dhe nata e mërkurë do të jetë e ftohë, temperaturat do të zbresin deri në minus 18 deri minus 22 gradë celsius në vendet kodrinore-malore. Nga enjtja do të ketë ndërprerje të reshjeve”, tha drejtorit të Institutit Hidrometeorologjik, Sylë Tahirsylaj.

Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta që nisën nga fillimi i kësaj jave, kanë shtyrë disa prej drejtorive komunale që të ndërpresin mësimin nëpër shkollat fillore dhe të mesme. Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, thonë se për vazhdimin e mësimit, u mbetet drejtorive komunale që të vendosin varësisht se si do të jetë moti.

Moti i ligë ka përfshirë gjithë rajonin dhe Evropën. Nga reshjet e borës gjatë kësaj jave është përfshirë edhe Shqipëria dhe vendet tjera bregdetare, përfshi edhe Kroacinë. Po ashtu edhe kryeqyteti italian, Roma është mbuluar nga bora, ndërsa përkohësisht është mbyllur Koloseumi i Romës, për shkak të reshjeve të mëdha të borës. /rtk/

Kthehu mbrapa

Shto koment