Stefanoviq demanton Tahirin, s’ka marrëveshje

27.01.2012 (komentet: 0)

Shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq mohon të jetë arritur ndonjë kompromis rreth përfaqësimit të Kosovës në takimet rajonale. Ai ka konfirmuar se gjatë takimit me ndërmjetësuesin evropian Robert Cooper i ka dorëzuar disa opsione të zgjidhjes për përfaqësimin e Prishtinës, të cilat, sipas tij, “të gjitha përmbajnë rezolutën 1244 të KS të OKB”.

Stefanoviq ka thënë se negociatat me Prishtinën do të vazhdojnë në atë moment kur të jetë e qartë përdorimi i rezolutës 1244 në formën adekuate e cila do të mbrojë interesat themelore të Beogradit dhe Prishtinës.

Stefanoviq, siç raporton QIK, duke përgënjeshtruar pohimet e shtypit të Prishtinës, përkatësisht të Edita Tahirit, të ketë thënë se në fillim të shkurtit Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë një kompromis sipas të cilit Kosova do të pranojë të përfaqësohet pa përmendur fjalën Republikë, ndërsa Serbia do të pranojë që në kontekstin e njëjtë të mos përmendet as Rezoluta 1244.

“Është e njëjta palë e cila pohonte se do të jetë në përdorim pasaporta kosovare, dhe nuk është, pohonin se të gjitha targat e Kosovës do të jenë në përdorim, e nuk janë, pohonin se Serbia nuk do të japë letërnjoftime dhe evidencën amë për Kosovën - do të vazhdojmë ta bëjmë. Atëherë, ka edhe shumë shembuj të asaj për çka e kishin përgatitur publikun e vet, por nuk ndodhi. Tekefundit, ditëve të ardhshme do të shohim sesa është i saktë informacioni i ‘Kohës Ditore’. Por unë u them se plotësisht është e pavërtetë”, thotë Stefanoviq. /qik/

Kthehu mbrapa

Shto koment