S’ka strategji për evakuim
14.02.2012 (komentet: 0)
Mospërpilimi i një strategjie të tillë është cilësuar nga opozita dhe analistë të sigurisë si papërgjegjësi e Qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Mirëpo, ky i fundit, i cili kryeson Këshillin e Sigurisë Kombëtare ka vlerësuar se përkundër gjendjes së rëndë që po mbretëron në Kosovë, megjithatë situata vazhdon të mbetet nën kontroll.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se institucionet e shtetit kanë ngritur gatishmërinë e veprimit dhe janë marrë të gjitha masat për t’u përballuar me vështirësi të ndryshme nga reshjet e mëdha të borës.
“Qeveria ka ngritur nivelin e gatishmërisë të të gjitha shërbimeve ekzistuese dhe gjithë mekanizmave qeveritarë për të shfrytëzuar tërë potencialin që kemi me qëllim që t’u dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve në të gjitha zonat e Kosovës që po përballen me vështirësi nga reshjet e borës. Pra, do ta shfrytëzojmë gjithë potencialin që kemi dhe se jemi në gjendje gatishmërie përgjatë 24 orëve për gjithë qytetarët kudo në Kosovë, për t’i zhbllokuar vendbanimet e largëta që janë të bllokuara nga bora dhe t’u ofrojmë energji e ngrohje”, ka thënë Thaçi, në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që përbëhet nga gjithë mekanizmat shtetërorë të sigurisë.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i evitojnë maksimalisht lëvizjet e panevojshme derisa Kosova po përballet me një mot të ligë dhe ulje të temperaturave. E nga ana tjetër, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka njoftuar Këshillin e Sigurisë se një familje 5 anëtarëshe në afërsi të fshatit Restelicë është e ngujuar dhe se ajo është duke kërkuar ndihmën e institucioneve që t’u dalin në ndihmë me ushqim dhe batanije.
“Është vendosur kontakti, por është e pamundur të arrihet atje. Mundësia e vetme është që të dërgohen ndihma”, ka thënë ai, duke shtuar se njësitet e kërkim-shpëtimit të FSK-së janë në gjendje që të nisen për në atë zonë, por ai ka theksuar, se çdo lëvizje në atë drejtim mund të shkaktojë ortekë të rinj të borës.
Sipas tij, pjesëtarët e FSK-së deri më tash kanë qenë të angazhuar në 34 operacione, derisa gjatë ditës së hënën, ka thënë Çeku, kanë qenë të angazhuar 154 pjesëtarë të kësaj trupe me 24 automjete.
Mirëpo, opozita thotë se situata e krijuar e ditëve flet më së miri për moskoordinimin e veprimeve të nivelit lokal dhe atij qendror. Ahmet Isufi , i cili udhëheq Komisionin për Siguri, ka thënë se “vetë fakti se Këshilli i Sigurisë mblidhet pas veprimeve operacionale të FSK-së dhe Policisë në rastin e Restelicës, është e kuptueshme se ekziston një papërgjegjësi e institucioneve dhe e qeverisë në këtë rast”.
Edhe eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se ka vend për kritika në aspektin e kryerjes së detyrimeve dhe mosnjohjes së detyrave të përcaktuara sipas Ligjit për Gatishmërinë Emergjente.
“Kuptohet se kishim një vonesë të papërgjegjshme në preventimin e situatës në Restelicë. Nga kjo ngjarje, institucionet duhet të marrin mësim dhe të mendojnë më seriozisht për situatat emergjente”, ka thënë Qehaja.
Ndryshe, fshati Restelicë i Dragashit të shtunën u godit nga një ortek i borës, ku humbën jetën 9 persona, një tjetër dyshohet se vazhdon të jetë nën gërmadha, përderisa vetëm Amsera Reka 5-vjeçe është e mbijetuara e vetme e tragjedisë së Restelicës.
/Zeri/


Shto koment