Selimi: S’na frikëson SHIK-u

02.02.2012 (komentet: 0)

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpreh i ashpër lidhur me shantazhimet që sipas tij, po i bëjnë pjesëtarë të SHIK-ut, duke theksuar se nuk do të arrijnë t’i fshehin të vërtetat dhe të ngjallin frikë.

Ai para ligjvënësve tha se pjesëtarët e SHIK-ut kanë për qëllim të ngjallin frikë, mirëpo këtë sipas tij, nuk do t’ia arrijnë.

“Mjaft më me shantazhe... Nëse doni të na frikësoni e keni gabim... S’ua ka frikën askush”, ka thënë ndër të tjera Selimi, duke thënë pse është duke u mashtruar opinioni se është shuar SHIK-u, transmeton Telegrafi.

Ai më tej tha se ata që flasin për luftën e UÇK-së, mirëpo vet e kanë zhveshë atë uniformë, mund t’i tregojë me emra.

Selimi ka thënë se nuk do t’i përgjigjen as SHIK-ut as Qeverisë, pasi sipas tij pikërisht këta janë që duhet t’i përgjigjen qytetarëve dhe drejtësisë.

Në foltoren e Kuvendit u paraqit edhe Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Ai u zotua sërish për zbatimin e gjitha rezolutave të Kuvendit të Kosovës duke potencuar atë të fundit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Thaçi iu kujtoi deputetëve obligimet që ka marrë vendi karshi komunitetit ndërkombëtar. Në këtë kuadër Thaçi tha se përkushtimi i qeverisë së Kosovës është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që kanë dalë nga bisedimet teknike midis shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i partisë më të madhe opozitare Lidhjes Demokratike, Sabri Hamiti tha se plani i Ahtisaarit ndonjëherë po përdoret për diskutime politike të brendshme, përderisa bëri thirrje për kujdes gjatë fazës së ndryshimeve kushtetuese që pritet të ndodhin pas miratimit të rezolutës për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. /Zëri/

Kthehu mbrapa

Shto koment