Qeveria i shet “falë” veturat zyrtare
13.02.2012 (komentet: 0)
Gazeta “Koha Ditore” ka siguruar dokumente, të cilat dëshmojnë se është Ministria e Drejtësisë ajo që ka kërkuar të shesë për 700 euro disa vetura të tipit “Lada Niva”, ndonëse në kategorizimin mbi punën e saj shkruan se ajo është “në rregull”. Po kjo Ministri ka vënë në shitje edhe automjete, të cilave ende nuk u ka skaduar koha e amortizimit, e përcaktuar për shtatë vjet.
Një dëshmi tjetër e bazuar në dokumentet që posedon gazeta, flet se xhipat me pesë dyer janë shitur për 1.200 dhe 1.300 euro. Bëhet fjalë për veturat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Të gjitha këto automjete zyrtare janë shitur përmes ankandeve publike të drejtuara nga një Komision i Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, e cila është kompetente për këto punë. Ndërsa ka vetura që janë shitur edhe me çmime shumëfish më të lira se këto. Ato janë shitur edhe për më pak se 200 euro.
Këtë e pohon edhe vetë Arta Istrefi, këshilltare politike për media e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari.
“Çmimi më i ulët për shitjen e një veture është 117 euro”, ka thënë Istrefi, pa specifikuar se për veturat e cilit dikaster qeveritar bëhet fjalë.
Në anën tjetër, ajo ka pohuar se çmimi më i lartë me të cilin është shitur një veturë zyrtare gjatë vitit 2011, ka qenë 4.582 euro.
E pyetur se si caktohen çmimet për shitjen e automjeteve zyrtare dhe mbi çfarë baze bëhet një gjë e tillë, Istrefi ka pohuar se nuk është MTI-ja ajo që përcakton çmimet.
“Çmimet për shitjen e automjeteve zyrtare i cakton secili institucion që bën kërkesë për shitjen e tyre, që do të thotë se ato caktohen në bazë të vlerësimeve që i bëjnë komisionet e përzgjedhura brenda institucionit gjegjës”, është shprehur Istrefi. /koha/


Shto koment