Qemal Mustafa: E mbylla biznesin
03.02.2012 (komentet: 0)
.jpg)
Pas reagimeve të Agjencisë Kundër Korrupsion, zyra për media e komunës së Gjilanit ka njoftuar se “duke iu referuar Qendrës për Regjistrim të Biznesit në Gjilan, nga sot, kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, nuk është më aksionar dhe nuk ka kurrfarë relacioni biznesor me kompanisë “Frutta Viva” Sh.p.k.”.
“Pas sqarimeve që këto ditë i ka dhënë për publikun, Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, e ka marrë këtë hap, për shuarjen e aktivitetit të tij biznesor, edhe juridikisht, si aksionar (ligjor), në kompaninë biznisore private “Frutta Viva” sh.p.k., për t’i hequr përfundimisht të gjitha dilemat dhe spekulimet që ishin ngritur këto ditë rreth tij, për konflikt interesi me funksionin e tij publik si kryetar komune duke qenë të njëjtën kohë edhe njëri prej pronarëve të biznesit privat “Frutta Viva” Sh.p.k.”, thuhet në komunikatë.
Ditë më parë, Agjensioni Kundër Korrupsion, përmes një komunikate për medie, njoftoi se i kishte dërguar kërkesë Gjykatës për Kundërvajtje në Gjilan që të fillojë procedurat kundërvajtëse ndaj kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, për shkak se ndodhet në konflikt të interesit.
AKK citon Nenin 16, paragrafi 1, të këtij ligji: “Zyrtari i lartë publik nuk mund të jetë menaxhues ose anëtar i organeve menaxhuese në organizata fitimprurëse dhe jo fitimprurëse, përjashtuar subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet për shkak te funksionit”. /Zëri/


Shto koment