PRIZRENI SI MITROVICA?

30.01.2012 (komentet: 0)

Shumë qytetarë të Prizrenit dhe të Kosovës protestuan në sheshin “Shatërvan”. Ata shprehën kundërshtimin për Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Organizatorët thanë se nuk do të lejojnë që të krijohet edhe një Mitrovicë e dytë dhe kanë përgatitur parashtresën për Gjykatë Kushtetuese, në rast se Projektligji miratohet.

Prizrenasit dhe shumë qytetarë të tjerë u bënë të dielën bashkë dhe dolën në qendër të qytetit. Përkundër temperaturave të ulëta, ata i bënë me dije Kuvendit të Kosovës në Prishtinë se nuk duan ndarjen edhe të një qyteti të dytë në vend, siç ka ndodhur me Mitrovicën.

Me organizimin e shumë organizatave joqeveritare në këtë qytet, protestuesit kundërshtuan Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

Me moton “Nuk e duam ligjin”, protesta e mbajtur në sheshin “Shatërvan” të Prizrenit, mblodhi qindra qytetarë të cilëve iu drejtuan organizatorët e saj.

Ndër të tjera, pasi shprehën mospajtimin e tyre me këtë projektligj, ata mbajtën edhe pesëmbëdhjetë minuta heshtje. Simbolika e kësaj heshtjeje, sipas organizatorëve, ka kuptimin se këta pesëmbëdhjetë minuta janë të fundit.

Pas kësaj, ata kanë paralajmëruar veprimet edhe më të forta të shoqërisë civile dhe të qytetarëve, deri në mosbindje qytetare ndaj ligjit nëse ai miratohet përfundimisht në Kuvendin e Kosovës.

Përveç fjalimit të organizatorëve të protestës, qytetarëve iu kanë adresuar edhe Bashkim Kajdomçajt nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Protestën qytetare të 29 janarit, publikisht e kanë përkrahur: Lidhja Demokratike e Kosovës (Dega Prizren), Lidhja Demokratike e Dardanisë (Dega Prizren), Lëvizja për Bashkim, Partia e Drejtësisë (Dega Prizren), Bashkimi Demokratik, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike Turke (Dega Prizren), Balli Kombëtar, Bashkësia Islame e Kosovës (Prizren), Teqeja e Saraçhanës (Prizren), Organizata e Veteranëve të Luftës (Dega Prizren), Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, AEGEE Prishtina (Asociacioni i Studentëve Evropianë), komuniteti afarist i Prizrenit dhe shumë OJQ individualisht nga Kosova dhe Shqipëria.

Edhe një herë është potencuar se protesta është qytetare e organizuar nga shoqëria civile, gjatë së cilës, qytetarët, pa marrë parasysh bindjet dhe orientimet e tyre politike, fetare, apo etnike, protestuan të bashkuar nën moton “Nuk e duam ligjin”. Nuk e duam këtë ligj, sepse Kosova ka legjislacion të avancuar dhe institucione adekuate për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, derisa mangësia kryesore është mosrespektimi dhe moszbatimi i ligjit. Nëse nuk respektohen ligjet ekzistuese për trashëgiminë kulturore, çka na garanton që një ligj i ri do të respektohet?! Kjo është vetëm edhe një dëshmi që Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk e ka për qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por krijimin e situatave të reja favorizuese për një bashkësi të caktuar fetare, që paraqet diskriminim të qartë të qytetarëve të Prizrenit.

Koalicioni i OJQ-ve në Mbrojtje të Qendrës Historike të Prizrenit ditëve në vijim do të njoftojë për veprimin e ardhshëm qytetar në kundërshtim të projektligjit. Njëherësh është bërë e ditur se Koalicioni i OJQ-ve e ka përgatitur parashtresën për Gjykatën Kushtetuese, në rast se projektligji miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Ditë më parë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua në parim Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit. Ky projektligj që në momentin e parë të paraqitjes së tij ngjalli reagim qytetar, të Kuvendit Komunal të Prizrenit, të shoqërisë civile dhe të shumë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Organizatorët thanë se e kanë përgatitur parashtresën për Gjykatën Kushtetuese, në rast se Kuvendi i Kosovës miraton këtë projektligj.

Kthehu mbrapa

Shto koment