Presion për kompromisin që ndihmon Serbinë

14.02.2012 (komentet: 0)

Në kohën kur serbët në veri të Kosovës do të zhvillojnë referendumin e tyre ilegal për të shprehur qëndrimin se nuk e pranojnë autoritetin e Qeverisë së Kosovës, në kryeqendrën kosovare pritet të qëndrojë Robert Cooper, i cili në emër të Bashkimit Evropian “lehtëson” dialogun mes, siç quhet në BE, “Beogradit dhe Prishtinës”.

Kjo vizitë e Cooperit është vazhdimësi e përpjekjeve të tij për të arritur kompromis për temën e quajtur “bashkëpunim rajonal” e që në fakt është tashmë tema e ashtuquajtur “çështja e emrit”, sepse kërkohet që palët të pajtohen se me çfarë denominimi Kosova do të merrte pjesë në nismat rajonale dhe si do të shkruhej emri i saj në dokumentet përkatëse në këto nisma.

Një marrëveshje e tillë, thonë në BE, “është kusht i qartë për Beogradin që të marrë statusin e kandidatit, por është edhe në interes të Prishtinës”, raporton "Koha Ditore". 

Sipas të njëjtave burime, ajo që do të dilte eventualisht si kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës do të mund të përdorej si zgjidhje edhe nga Bashkimi Evropian i cili, për shkak të pesë shteteve që nuk e njohin Kosovën, nuk mund të arrijë dhe të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën si shtet dhe me emërtimin kushtetues të saj si “Republika e Kosovës”.

Edhe pse disa ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë kanë thënë se “edhe vendet e tyre marrin pjesë në takime pa u përmendur emri i plotë kushtetues i shtetit”, në traktatet dhe marrëveshjet të cilat i nënshkruan BE-ja, ato nënshkruhen me emrin e tyre të plotë kushtetues.

Diplomatët në BE besojnë se nëse Cooper arrin kompromisin mes “Beogradit dhe Prishtinës” për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale, Gjermania do të lëshojë pe dhe Serbisë BE-ja më 28 shkurt do t’ia jep statusin e kandidatit. Pritet presion ndaj palës kosovare kësaj radhe që të pranojë edhe fusnotën, edhe Rezolutën 1244, ndërsa si “lehtësim”për Kosovën të përmendet edhe mendimi i GJND-së.

Kjo formulë thuhet të jetë tashmë e pranueshme për Beogradin, sepse është përfillur insistimi i tyre që të përmendet me çdo kusht Rezoluta 1244.

Nëse Serbisë i jepet statusi i kandidatit në fund të shkurtit apo fillim të marsit, atëherë pritet që Serbia të shpallë zgjedhjet, të cilat do t’i zhvillonte edhe në territorin e Kosovës. 

Kthehu mbrapa

Shto koment