Presidenti Bujar Nishani dekoron Halim Oranën, Mulla Idriz Gjilanin, Esat Berishën, Ymer Myqybabën, Hetem Hazirin dhe Rifat Baftjarin

22.01.2015 (komentet: 0)

Presidenti i Republikës i jep Ymer Myqybabes – pas vdekjes, dekoratën e “Artë të Shqiponjës”. Organizator vendos i rezistencës kombëtare, në mbrojtje të vatrave stërgjyshore, frymëzim për bashkëluftëtarët e tij.

 

Në kuadër të manifestimit të Flakës së Janarit 2015, në Akademinë e “Flakës...”, sot janë ndarë dekoratat e presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani, për Halim Oranën, Mulla Idriz Gjilanin, Esat Berishën, Hetem Hazirin,Ymer Myqybabë, dhe Rifat Baftjarin, propozime këto të dërguara nga kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili tha se masakra më e madhe e kohës në këtë regjion.

 

Në ngjarje ka marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, Fliorjan Nuri dhe Flamur Gashi – të deleguarit të presidentit Nishani, deputetë, kryetar të komunave të regjionit, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qindore, përfaqësues nga komunitetet fetare etj.

Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se të rënët në Gjilan në Luftën e Dytë Botërore janë në një numër prej 8 mijë vetash, të cilit ishin ngritur në kryengritje kundër okupuesve të cilët kryenin vrasje, masakrime dhe keqtrajtim të shqiptarëve, derisa për javë të tëra lumenjtë në qytetin e Gjilani kishin ngjyrën e kuqe.

“Neve sot nuk na dallon asgjë. Sot na bashkon 70 – vjetori i kryengritjes së madhe e cila jo vetëm në këtë pjesë të Kosovës, në këtë pjesë të Shqipërisë, në thirrjen për atdhe e për zot, u bashkuan burra e gra, për të luftuar pabarazinë dhe okupimin që u vendos. Jam i nderuar që sot në emër të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe në prezencë të përfaqësuesve më të lartë të presidencës së Shqipërisë dhe përfaqësuesve të tjerë, i ngulfatur nga emocionet, ndjenjat dhe respekti për ata që kanë sakrifikuar. Flaka e Janarit ka qenë qëllim 24 vjet më herët që ti respektojmë dëshmorët, familjet e tyre, veteranët dhe të gjithë ata që kanë dhënë mundi, sakrificë dhe gjaku i tyre i njomë e i derdhur është bërë “nuri” – dritë për lirinë e shqiptarëve dhe lirinë e Kosovës.

Ai gjak i cili nuk është legjendë, në Gjilan ka mbuluar lumenjtë e qytetit siç ka qenë Mirusha dhe lumenjtë tjerë, sepse për javë të tëra uji ka marrë ngjyrë të kuqe, ai gjak i cili ishte i fëmijëve, grave, burrave, të rinjve e të rejave që janë pushkatuar, masakruar, torturuar e ndëshkuar në mënyrën më të egër, sepse donin që Kosova të mbetet Shqipëri, pse donin që Kosova të ketë plisa të bardhë, pse donte që Kosova të jetë aty ku e ka vendin.

Rendi i ri botëror, nuk mund të pranohej me okupim për shqiptarët, andaj për këtë ata u kryengritën që të kenë lirinë. U kryengritën për tu treguar gjeneratave të ardhshme që nuk ka liri, u kryengritën për të dëshmuar qartë që lufta nuk ka përfunduar dhe për të lënë mesazhin me gjakun e tyre në dimrin e ferrit të vitit ’44 – ’45 në Gjilan.

Na lanë amanet që të luftojmë kudo që jemi, na shpërngulën, na konfiskuan, na syrgjynosën, por ne këtë e kthyem në fitore, falë edhe atyre djemve dhe vajzave të luftës çlirimtare të UÇK-së që arritën me e vulos vullnetin tonë për liri dhe pavarësi, të asaj rezistence kolektive që presidenti Rugova e udhëhoqi me urtësi, mençuri, dashuri dhe përkushtim për të realizuar kërkesën sublime të popullit tonë.

Sot ky 22 janar, këtë flakë të janarit është i veçantë sepse përveç vlerësimit nga presidentja e Kosovës, presidenti i Republikës së Shqipërisë ka vendosur që të parët, por jo të fundit sepse ka shumë familje që duhet të nderohen, siç është familja e Shefki Desivojcës, Bejt Pirevës, Sylë Zarbicës e shumë familje të tjera që kanë dhënë vulën e pavdekësisë me aktin e kryengritjes që e kanë bërë. Masakra e ndodhur në Gjilan nuk shlyhet. Është cilësuar si masakrat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore në regjion dhe si e tillë mbetet. Por kryengritja na bënë krenar, na bënë të lavdishëm dhe na bënë poashtu përgjegjës që ta vazhdojmë atë rrugë. Rruga e tyre nuk është përfunduar. Qëllimi dhe gjaku i tyre i derdhur për liri me besim në zot dhe atdhe ka edhe më tutje thirrje. Ajo thirrje duhet të na jehon në vesh çdo ditë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë, ashtu siç punuan ata, për familje, për atdhe dhe në emër të zotit”, tha Haziri në fjalën e tij.

Ndërsa, Florian Nuri sekretar i përgjithshëm në presidencën e Shqipërisë, në emër të presidentit Bujar Nishani, ka falënderuar kryetarin Haziri për propozimin që ka dërguar në kabinetin e presidentit për dekorim të këtyre familjeve që sot u ndahen dekoratat.

“Falënderoj kryetarin Haziri, për iniciativën e tij për të nisur procesin e dekorimeve të atyre familjeve që dhanë gjënë më të çmuar – jetën. Ata sakrifikuan jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre. Përcjellë përshëndetjet e presidentit Nishani. Personalitet, ngjarjet dhe momentet historike që kanë lënë shenjë në historinë shqiptare janë në respektin e veçantë të presidentit Shqiptarë Nishani. Këto ngjaje, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën por mbarë kombin shqiptarë dhe çështjen shqiptare janë një udhëpërshkrim i rrugës sonë të ardhme. Flaka e cila përpos ngrohtësisë sjellë edhe dritën, prandaj ne të gjithë kemi nevojë për të dyja ato. U mbetet punë edhe më e madhe akademikëve dhe historianëve, që të ndriçojnë historinë, sepse të gjithë ne kemi nevojë ta bëjmë këtë, sepse historia jonë edhe pse në shumë momente është e dhimbshme, është me sakrifica të tmerrshme dhe e përgjakur përsëri në vetvete bartë shumë vlera, tradita, që e përbëjnë edhe thelbin e trashëgimisë sonë. Në këtë kontekst, ngjarje sikur kjo dhe të tjera ne kemi nevojë ti reklamojmë sa më shumë, sepse këta njerëz dhe kjo masakër me 8 mijë të masakruar, ranë të gjithë për çështjen kombëtare. Pra luftuan për mëvetësinë, luftuan në emër të patriotizmit, të lirisë, të mendjeve  të ndritura të patriotëve, prandaj e ardhmja jonë nuk duhet të ndërtohet duke kthyer kokën mbrapa thjeshtë për të përkujtuar, por këto parime për të cilat ata kanë rënë, duhet të ndriçojnë edhe rrugën tonë drejtë të ardhmes së përbashkët Europiane. Dera e presidencës së Shqipërisë do të jetë e hapur për të vlerësuar dhe nderuar çdo figurë, që ka luftuar, punuar dhe vepruar për çështjen shqiptare”, ka thënë Nuri.

Ambasador Flamur Gashi, këshilltar i presidentit të Shqipërisë për Rajonin ka thënë se në këto momente solemne fjalët janë të tepërta, sepse të rënët në këtë masakër dhe shumë momente të tjera, ka folur edhe për neve, pra për gjeneratat që kanë ardhur pas tyre dhe që do të vijnë më pas.

Dekoratat nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, janë ndarë për Halim Orana – pas vdekjes, me dekoratën Nderi i Kombit, atdhetar dhe intelektual, kryetar i Komitetit Qendror të Lëvizjes Nacional - Demokratike Shqiptare, organizator i rezistencës kombëtare, me veprën dhe jetën e tij, mbrojti vlerat e mëdha të kulturës kombëtare të lidhura pazgjidhshmërisht me mbrojtjen e atdheut dhe të kombit shqiptarë.

Presidenti i Republikës i jep Mulla Idriz Gjilanit – pas vdekjes, dekoratën “Nderi i Kombit”. Atdhetar, intelektual, humanist dhe prijës ushtarak. Nëpërmjet edukimit fetar me frymë atdhetare, bashkoi rreth vetes shqiptarët pa dallim feje, luftoi deri në vdekje për unitetin  territorial të trojeve shqiptare.

Presidenti i Republikës i jep Esat Berishës – pas vdekjes, dekoratën “Nderi i Kombit”. Patriot dhe intelektual i shquar, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, luftoi me penë dhe pushkë për idealin kombëtar dhe lirinë e shqiptarëve.

Presidenti i Republikës i jep Hetem Hazirit – pas vdekjes, dekoratën e “Artë të Shqiponjës”. Organizator vendos i rezistencës kombëtare, në mbrojtje të vatrave stërgjyshore, frymëzim për bashkëluftëtarët e tij.

Presidenti i Republikës i jep Rifat Baftjarit – pas vdekjes, dekoratën e “Artë të Shqiponjës”. Organizator vendos i rezistencës kombëtare, në mbrojtje të vatrave stërgjyshore, frymëzim për bashkëluftëtarët e tij.

Presidenti i Republikës i jep Ymer Myqybaba – pas vdekjes, dekoratën e “Artë të Shqiponjës”. Organizator vendos i rezistencës kombëtare, në mbrojtje të vatrave stërgjyshore, frymëzim për bashkëluftëtarët e tij.

Ndërsa në fund të pranishmit janë përshëndetur edhe nga përfaqësuesit e familjeve të të dekoruarve, duke falënderuar kryetarin Haziri dhe presidentin Nishani për nderin që iu është bërë heronjve të kombit./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment