Policia sjell barrikada
22.01.2012 (komentet: 0)
Nga ana tjetër, “Vetëvendosje” konfirmon se rreth orës 18:00, te Dheu i Bardhë, afër vendit ku po protestohet Policia e Kosovës ka konfiskuar materialet logjistike të cilat do ta bënin të mundshëm mbarëvajtjen e protestës.
“Materialet e konfiskuara nga policia janë: 1 Tendë, 10 reflektorë, 2 fuqi të zbraztë për ngrohje, 1 fuçi me vaj për ngrohje dhe të gjitha mjetet e punës të cilat do të ndihmonin protestuesit në këto temperatura të ulëta. Bashkë me mjetet, Policia ka detyruar edhe aktivistët, Agron Kabashi, Agron Reka dhe Rexhep Sylejmani, që të shkojnë deri në stacionin policor në Gjilan. Kërkojmë nga Policia e Kosovës që urgjentisht të na i kthejë këto mjete të cilat janë shumë të nevojshme për mbarëvajtjen e protestës dhe shëndetin e protestuesve dhe ta respektojë të drejtën tonë për protestë paqësore”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes.
Duke njoftuar se protesta ka vazhduar edhe më tutje në afërsi të dy pikave kufitare, Merdarë dhe Dheu i Bardhë në mënyrë tejet paqësore, Lëvizja “Vetëvendosje” demanton kumtesën e Policisë për një person të arrestuar te Dheu i Bardhë.
“Asnjë akt i dhunshëm nuk ka ngjarë në vendin ku po zhvillohet protesta, dhe asnjë person nuk është arrestuar aty deri më tani. Sikurse te Dheu i Bardhë, ashtu edhe në Merdarë, udhëheqësit e Lëvizjes i kanë bërë vazhdimisht thirrje protestuesve që të jenë të qetë dhe të matur. Ata thanë se kushdo që nuk i përmbahet skenarit paqësor do të konsiderohet se nuk është pjesë e Lëvizjes tonë dhe se nuk janë të mirëseardhur të qëndrojnë në mesin e protestuesve”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosje”.


Shto koment