Përmbyllet protesta e "Vetëvendosjes!" edhe në Merdar

23.01.2012 (komentet: 0)

Lëvizja "Vetëvendosje!" në orët e para të së hënës ka vendosur ta përmbylë protestën edhe pranë pikës doganore në Merdar, disa orë pasi që e njëjta kishte marrë fund afër pikëkalimit te Dheu i Bardhë.

"Për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe teperaturës së ultë që po mbizotëron atje, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurtë i protestuesve në Merdar", thuhet në një kumtesë shtypi të "Vetëvendosjes!" dërguar pak pas orës 2 të ditës së hënë.

 

Aty shpjegohet se në ora 00:30 policia e Kosovës e ka arrestuar aktivistin Veton Dragusha, i cili ishte i angazhuar në bartjen e batanijeve, ushqimit, reflektorëve, e gjësendeve tjera, duke i konfiskuar ato, të cilat, sipas lëvizjes, ishin mëtuar që t’ua mundësonte protestuesve qëndrimin e sigurtë në Merdar. "Vetëvendosje!" ka njoftuar edhe se policia i ka bllokuar të gjitha rrugët e kryesore për në vendin e protestës, më qëllim të bllokimit të komunikimit mes qendrave urbane dhe protestës.

 

"Në orën 01:35, përfaqësuesit e Lëvizjes 'Vetëvendosje!' e kanë mbyllur protestën e sotme në Merdar që ishte organizuar në mbrojtje të Republikës dhe prodhimeve të vendit.

Në shenjë përgjegjësie për mirëqenien e protestuesve, udhëheqësit e Lëvizjës 'Vetëvendosje!' u kanë kërkuar atyre që të shpërndahen në mënyrë të qetë", thuhet në kumtesë.

 

“Duke qenë se u bë i pamundshëm qëndrimi te Dheu i Bardhë ku tashmë hynë veturat dhe maunet me mallra serbe, u vendos që tani nuk është më e arsyeshme që të bllokohet Serbia vetëm në njërën pikë kufitare. Protesta paqësore në mbrojtje të Republikës për prodhimin vendor dhe kundër Serbisë do të vazhdojë në të ardhmen edhe në forma të tjera, për çfarë do të njoftoheni me kohë”, u ka thënë protestuesve nënkryetari, Shpend Ahmeti.

Ai ka njoftuar se gjatë ditës së hënë "Vetëvendosje!" do të mbajë një mbledhje të kryesisë ku do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment