Pensionistët kërkojnë 112 - 214 euro në muaj

03.02.2012 (komentet: 0)

Pensionistët e Kosovës po kërkojnë që amendamentet e tyre të propozuara për Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti të merren parasysh. Ata donë që qysh tash Qeveria e Kosovës me një vendim të rrisë pensionet e tyre për 20 për qind. Po ashtu pensionistët lypin që të takohen me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i diskutuar këto dy çështje.


Të gjitha këto kërkesa kanë dalë të enjten në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë së Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës, ku janë shqyrtuar hapat e ardhshëm të këtij organizmi pas kthimit në Qeveri të Projektligjit për pensionistët nga Kuvendi i Kosovës. 

Kryetari i Kryesisë së Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës, Shaban Kajtazi, ka thënë se kërkesat e pensionistëve janë imediate. “Ne i kemi dy kërkesa imediate: e para, të përfshihen në Projektligj amendamentet të cilat i kemi propozuar ne, dhe e dyta, Qeveria me vendim të bëjë një rritje të pensioneve për 20 euro”, ka thënë ai. Kajtazi ka treguar se çfarë parashohin amendamentet e propozuara nga ta për pensionistët kosovarë. “Sipas amendamenteve tona, statusi i pensionistit kontributdhënës kategorizohet ku janë pesë kategori me koeficient: shkolla fillore, shkolla e mesme, shkolla e lartë, fakulteti dhe akademikët”, ka thënë ai. “Ne kërkojmë që pensionet të ndahen në bazë të kualifikimeve, dhe sipas amendamenteve që i kemi propozuar pensioni fillon me 112 euro dhe mbaron me 214 euro”.  

I pari i BPIP-së ka treguar edhe arsyen pse Qeveria duhet të veprojë me një rritje prej 20 për qind të pensioneve. “Vendimi i Qeverisë mund të vijë ashtu siç ka ardhur për kategoritë e tjera shoqërore”, ka arsyetuar ai. “Ne nuk jemi kundër që iu ka rritur pagat policisë, shërbyesve civilë e të tjerëve, por në atë mënyrë siç ka vendosur t’ua rrisë atyre të veprojë njëjtë edhe për pensionistët”. 

Ai ka kërcënuar me forma të ndryshme të reagimit po qe se Qeveria e Kosovës nuk i merr parasysh kërkesat e pensionistëve. “Ne do të vazhdojmë me aktivitetet  tona: adresim Gjykatës Supreme, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës në Strasburg deri tek protestat”, ka paralajmëruar Kajtazi. 

Ai ka thënë se Projektligji i cili s’është miratuar në Kuvend nuk i plotëson kushtet elementare të një ligji të mirëfilltë. “Projektligji nuk ka performancë të mirë juridike dhe nuk ka instrumente të normës juridike për zgjidhjen e pozitës së vështirë të pensionistëve kontributpagues”, ka thënë ai. “Projektligji nuk e cakton lartësinë e pensionit dhe nuk i përmbush standardet evropiane për kategorinë e pensionistëve kontributpagues”, ka shtuar ai. 

Sipas tij, është detyrë e Qeverisë së Kosovës kthimi i së drejtës për pensionistët kontributdhënës.  

Gazeta nuk ia ka dalë të enjten që të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës për kërkesat e pensionistëve. As zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, dhe as zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behgjet Gaxhiqi, nuk janë përgjigjur në telefon. 

Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Projektligjin e pensionistëve të Kosovës, duke vendosur që ky projektligj t’i kthehet Qeverisë për rishikim. Në Kuvend është vlerësuar se nëse projektligji do të bëhej ligj, atëherë me përmbajtjen e tij do të shkelej dinjiteti i pensionistëve.

Kthehu mbrapa

Shto koment