Partneriteti publiko-privat ndesh Komunën me lëvizjen “Vetëvendosje

06.02.2012 (komentet: 0)

Qendra e “Vetëvendosjes” në Gjilan, të premten, ia ka dorëzuar Kuvendit Komunal peticionin e nënshkruar nga banorët e lagjes “Dardania III”, me kërkesën që në këtë lagje të mos zhvillohen projekte të partneritetit publiko-privat.

Me këtë peticion është kërkuar që të shfuqizohet vendimi për ndërtimin e një kompleksi rekreativ-afarist. Avni Rudaku, nënkryetar i kësaj lëvizjeje për Gjilanin, ka thënë se shumica absolute e banorëve e ndiejnë të nevojshme ndërtimin e një parku publik apo të ndonjë institucioni parashkollor. “Ne kërkojmë që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të shfuqizohet ky vendim dhe të merret një vendim në përputhje me interesat dhe nevojat parësore të banorëve të lagjes “Dardania III”, ka kërkuar Rudaku.

Ismet Halili, banues në këtë lagje dhe njëherësh ish-drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, kur është përpiluar ky projekt ka thënë se në bazë të planit detaj urbanistik, aty përpos 500 trojeve për ndërtimin e shtëpive individuale janë paraparë rrugët, trotuaret hapësira e lirë për qendrën tregtare zejtare,në dy vende, dhe oborri i shkollës“Selami Hallaçi”. Sipas tij, komuna nuk ka dhënë asnjë cent për urbanizimin apo blerjen e tokave në këtë lagje. 

Nga ana tjetër, zyrtari në zyrën e informimit në Gjilan, Shefik Surdulli, ka thënë se në kuadër të zhvillimit ekonomik Komuna eGjilanit ka planifikuar që në këtë lagje të investojë, ngase ajo është pronë komunale. “Në kuadër të projektit është edhe ndërtimi i një kompleksi rekreativ – afarist në lagjen “Dardania I-II”, në një hapësirë krejtësisht të lirë prej rreth 2 ha, që është pronë komunale, e jo tjetërsim prone, siç pandeh “Vetëvendosje” .“Vetëvendosja” po përpiqetme çdo kusht të pengojë zhvillimin e Komunës, duke zgjedhur edhe këtë formë, për të cilën pretendon se është vullnet i qytetarëve të lagjes ‘Dardania I-II’”, ka thënë Surdulli. (Koha Ditore)

Kthehu mbrapa

Shto koment