Paralajmërohet heqja e një përmendore nga Zhegra

03.02.2012 (komentet: 0)

Komiteti për Shërbime Publike ka vendosur që ta marrë pëlqimin e Këshillit Lokal në Zhegër, sa i përket kërkesës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Gjilan, për largimin e një përmendoreje të vjetër në qendër të këtij fshati, e cila i përket periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që rekomandon konservimin dhe ruajtjen e pllakës me emrat e të rënëve, nëse ajo gjendet diku, meqenëse tani për tani nuk ekziston.



Komiteti i Shërbimeve Publike kishte rekomanduar që të kërkohet mendimi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, lidhur me këtë kërkesë, e cila lëndën e ka proceduar në Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (IKMM) në Prishtinë. 

IKMM është përgjigjur, pas më shumë se një viti, duke konstatuar se kjo përmendore nuk është në listën e monumenteve të mbrojtura. Komisioni i këtij Instituti e ka dhënë pëlqimin që për këtë çështje të vendos Komuna dhe fshati, nëse duan ta heqin ose mbajnë këtë objekt.

Sqarime rreth procedurave të deritashme ka dhënë edhe Behar Mehmeti, drejtor i Shërbimeve Publike, i cili ka thënë se një mendim për heqjen e këtij monumenti të vjetër, që gjendet pranë lapidarit të dëshmorit të kombit Idriz Seferi dhe sheshit të dëshmorit të kombit Agim Ramadani, e kanë kërkuar nga këshilli i fshatit, por atë nuk e kanë marrë deri më tani. 

Ahmet Daku, kryetar i OVL të UÇK-së, parashtrues të kërkesës, ka thënë se emrat e të gjithë dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, tani gjenden të skalitur në muralin e Qendrës Memoriale në Gjilan dhe se nuk është e nevojshme të ruhet një përmendore e vjetër, e cila nuk përmban asnjë simbolikë.

Megjithatë, Komiteti vendosi që të pres përgjigjen zyrtare te Këshillit Lokal të fshatit Zhegër, në mënyrë që të respektohet e gjithë procedura e heqjes së këtij monumenti të vjetër, që tani ka ngelur vetëm një mural prej gurësh, për të krijuar mundësi për rregullimin e sheshit “Agim Ramadani” të jetë e përmbushur në të gjitha aspektet. 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment