Nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme
13.02.2012 (komentet: 0)
Gjatë këtij takimi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se institucionet e Kosovës me të gjitha kapacitetet janë duke punuar që situata të jetë nën kontroll dhe t’i dalin në ndihmë gjithë qytetarëve.
Ai edhe njëherë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka shpreh ngushëllimet familjes Reka dhe gjithë qytetarëve të Restelicës.
Për më tepër, ai ka thënë se është ngritur gatishmëria më e lartë dhe janë marr të gjitha masat për të përballuar këtë vështirësi.
“Edhe njëherë ju rikonfirmoj se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë të gjitha shërbimeve ekzistuese dhe gjithë mekanizmave qeveritar për të shfrytëzuar tërë potencialin që kemi për të dal në ndihmë të gjithë qytetarëve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës të cilët përballen me vështirësi. Pra jemi të përkushtuar 24 orë që t’u dalim në ndihmë gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës me të gjithë kapacitetet që i kemi”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se të gjitha potencialet janë vënë në dispozicion për qytetarët e Kosovës, në rend të parë për të mundësuar qarkullimin e qytetarëve, zhbllokimin e vendbanimeve të largëta të bllokuara nga bora, sigurimin e shërbimeve emergjente shëndetësore, furnizimet e qytetarëve me energji dhe ngrohje dhe furnizime të tjera të nevojshme për t’u përballur me situatën emergjente.
Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se përkundër gjendjes së rëndë, situata në Kosovë vazhdon dhe të mbetet nën kontroll.
“Ajo çka dëshiroj sot t’i ftoj të gjithë qytetarët është që të evitojnë maksimalisht çdo lëvizje të panevojshme në këtë kohë të acartë dhe me reshje të dendura. Në përgjigje të kërkesave të qytetarëve të Kosovës dhe komunave, unë kam kërkuar nga Ministria e FSK-së të angazhoj njësitë e Forcës së Sigurisë të cilët kanë mundësuar hapjen e rrugëve dhe zhbllokimin nga bora e madhe që kanë ndodhur gjatë këtyre ditëve dhe sanimin e gjendjes, si pasoj e reshjeve”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ka informuar Këshillin e Sigurisë se një familje pesë anëtarëshe ka mbetur e ngujuar në fshatin Krushë afër Restelicës dhe e cila është duke kërkuar ndihmën e institucioneve.
“Por sot e kemi edhe një situatë të re. Atje është një familje pesë anëtarëshe fermerësh. Shumë larg fshatit janë të ngujuar nga bora. Janë gjallë. Është vendosur kontakt, por është e pamundur të arrihet atje. Mundësia e vetme është që të dërgohen ndihma. Kanë lypur ndihma mjete për ngrohje, tesha, ushqim, mast kundër ngrirjes dhe disa batanie. Jemi në kontakt me KFOR-in po sa të krijohet mundësia, besoj se KFOR-i do t’ia lëshoj këto ndihma kësaj familje. Gjithashtu, edhe njësitë tona të kërkim shpëtimit janë në gjendje të nisen, por çdo lëvizje në atë drejtim mund të shkaktoj ortekë të reja të borës”, ka deklaruar Çeku.
Për më tepër, ai ka thënë se FSK-ja është në vazhdimësi e angazhuar për përballimin e kësaj situate dhe deri më tash në 34 operacione kanë qenë të angazhuar. Momentalisht sot ka të angazhuar 154 pjesëtarë me 24 automjete.
Këshilli i Sigurisë ka falënderuar të gjithë pjesëtaret e FSK-së, KFOR-in, Policinë, Njësinë e Zjarrfikësve, autoritetet komunale të Dragashit, për ndihmën e dhënë.
Nga orteku i borës në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit kanë humbur jetën 9 persona të familjes Reka, një ende nuk është gjetur, ndërsa personi vetëm i mbijetuar është vajza pesëvjeçare, Osmera Reka. /Kosovapress/


Shto koment