NUK E FTUAN/TOPI, INCIDENT ME AMBASADËN E KOSOVËS NË DITËN E PAVARËSISË
18.02.2012 (komentet: 0)
Kryeministri Sali Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë qenë protagonistët e kësaj feste të përbashkët, ndërsa në aktivitete nuk kanë munguar politikanë të të gjitha kaheve. I munguari i madh i dy ceremonive ka qenë presidenti Bamir Topi, çka ka kaluar jo pa vëmendje nga të pranishmit, por edhe ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, i cili nuk mungon thuajse në asnjë pritje të kësaj natyre.
Përvjetori i katërt i pavarësisë së Kosovës mbledh në Tiranë politikanët e dy vendeve në një festë që nisi me inaugurimin e ambasadës e më pas me një pritje në hotel “Sheraton”. Kryeministri Sali Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë qenë protagonistët e kësaj feste të përbashkët, ndërsa në aktivitete nuk kanë munguar politikanë të të gjitha kaheve. I munguari i madh i dy ceremonive ka qenë presidenti Bamir Topi, çka ka kaluar jo pa vëmendje nga të pranishmit, por edhe ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, i cili nuk mungon thuajse në asnjë pritje të kësaj natyre. Megjithatë, në pritjen e organizuar mbrëmjen e djeshme ndodheshin dy këshilltarë të Presidentit, Afrim Krasniqi dhe Kasem Seferi. E pyetur për këtë mungesë, zëdhënësja e Presidentit, Mimoza Koçiu tha për MAPO-n se kreu i shtetit nuk ka pasur ftesë për inaugurimin e ambasadës së Kosovës në Tiranë. Megjithatë, ajo e justifikoi mungesën e tij në pritjen e organizuar në ‘Sheraton’, ku edhe ishte i ftuar, me një gjendje virale që presidenti Bamir Topi është duke kaluar.
***
Festa e përbashkët e pavarësisë së Kosovës është hapur me fjalën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi e fill pas tij, nga Berisha. Kreu i opozitës, Edi Rama ka mbërritur disa minuta pas fillimit të ceremonisë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda, në kohën që Thaçi kishte nisur fjalën përshëndetëse. Rama ka qëndruar gjatë gjithë kohës në këndin pranë derës hyrëse, në shoqërinë e bashkëshortes, Blendi Klosit dhe Xhavit Halitit. Pas përfundimit të fjalimeve, ai është takuar me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe më pas është larguar që aty ende pa përfunduar ceremonia. Përveç personaliteteve shqiptare, një numër i madh zyrtarësh dhe drejtuesish të lartë shtetërorë nga Kosova kishin mbushur sallën. Dhjetëra deputetë kosovarë, ministra, drejtues të Kuvendit të Kosovës, politikanë të lartë dhe biznesmenë të rëndësishëm kosovarë ishin dje të pranishëm në këtë ceremoni. Në mbrëmje binte në sy një përforcim i forcave policore, duke filluar nga qendra e Tiranës e deri në hotelin ‘Sheraton’.
***
Në fjalën e tij për 4-vjetorin e pavarësisë, kryeministri kosovar Hashim Thaçi u shpreh se dita e djeshme ishte një ditë krenarie për kombin shqiptar. “Kosova dhe Shqipëria kanë hyrë në kapitullin e ri, atë të integrimit në Europë. Sot është një ditë krenarie për çdo shqiptar, sepse shënon fundin e një sage të jashtëzakonshme sakrificash, fundi i përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe ekzistencë. Ata njësoj si kombet e tjera vendosin krijimin e të ardhmes së tyre. Kjo ditë bëri të mundur që shqiptarët të nisin projektet e tyre të reja për integrimin në NATO dhe BE. Bëri të mundur që ky komb të nisë një kapitull tjetër të bashkëpunimit me kombet e tjera. I përcjell përshëndetjet më të zjarrta popullit të Kosovës, liria e një kombi është një dhe e pandarë. Sot ne jemi të lirë, sot ne punojmë së bashku për një të ardhme më të ndritur”, – u shpreh Thaçi. Nga ana e tij, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria e Kosovës ka mundur që në një hark të shkurtër kohor të kthehet në një faktor në rajon. “Në një hark kohor të shkurtër, qeveria e Kosovës dhe Kosova janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon. Marrëdhëniet e shqiptarëve me kombet fqinje nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa sot dhe këtu një meritë të veçantë kanë autoritetet e Kosovës. Dua t’i përgëzoj ato për dialogun në të cilin janë angazhuar në procesin e Brukselit, me vendosmërinë më të madhe për të hapur një kapitull të ri midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por edhe midis shqiptarëve dhe serbëve në gadishullin e Ballkanit”, – tha dje kryeministri Berisha.
/rrokum/


Shto koment